Arrestohet tregtari, mashtronte barinjtë
Gjirokastër
Në 2 muaj kapen 13 persona në kërkim
Një tregtar nga Tirana ka përfunduar në prangat e Policisë së Gjirokastrës, pasi dyshohet se mashtronte barinjtë, të cilëve u blinte bagëtitë, e nuk u jepte paratë. Denoncimet që shkuan në Policinë e Gjirokastrës, bënë që kjo e fundit të nisë hetimet dhe të kopsitë një dosje penale për 36-vjeçarin nga Tirana, Shkëlqim Manuka dhe më tej, pas dërgimit të dosjes në prokurori dhe kalimit të çështjes në Gjykatë, togat e zeza të vendosin arrest me burg në mungesë ndaj të dyshuarit. Dje, specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë Gjirokastër thanë se kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e tij. Kapja e tregtarit u bë sepse Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër ka nxjerrë urdhër ndalimi për të, për zbatimin e Vendimit nr. 274, datë 26.10.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjirokastër, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale të “Mashtrimit”. “Shkëlqim Manuka, në muajin shtator të vitit 2009, në Rrethin e Gjirokastrës ka mashtruar disa barinj, duke u marrë bagëtitë e imta dhe s’ju ka dhënë lekët”, thanë burime zyrtare policore. Agjentët dhe strukturat e tjera të Policisë së Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, gjatë këtyre dy muajve të parë të vitit 2010, kanë organizuar një sërë aksionesh për kapjen e personave të shpallur në kërkim, të akuzuar për kryerjen e vepra të ndryshme penale, operacione të kurorëzuara me kapjen dhe arrestimin e 13 personave të shpallur në kërkim.
#