Athinë, vritet shqiptari duke u kthyer në banesë
Hetimet
Policia greke ka ngritur disa pista hetimore, por ende nuk ka asnjë autor për ngjarjen
Një shqiptar është vrarë në mënyrë misterioze natën e së shtunës, duke u gdhirë dita e djeshme në Athinë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një lagje periferike të kryeqytetit helen, ndërkohë që emri i viktimës nuk është bërë publik nga policia greke për shkak të hetimeve. Sipas medias së shtetit fqinj, viktima është një djalë 27-vjeçar, emigrant në Greqi prej disa vitesh. Shqiptari mësohet se është gjetur i plagosur rëndë rreth orës 6 të mëngjesit në rrugën “Fokionos 18” në Kipseli. Kalimtarë të rastësishëm kanë gjetur shqiptarin në gjendje shumë të rëndë. Ata kanë njoftuar policinë dhe më pas në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policore duke e dërguar të riun me urgjencë në spital. Por ai nuk ka mundur që t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Policia greke ka nisur hetimet në lidhje me këtë ngjarje, por ka pasur shumë pak prova. Sapo kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, punonjësit e policisë helene kanë marrë dëshmitë e personave që e gjetën të plagosur viktimën. Sipas të dhënave nga policia greke, që është cituar nga media, ata kanë treguar se e kishin gjetur të plagosur rëndë dhe duke dhënë shpirt. Gjithashtu, ata kanë treguar për policinë se nuk kishin parë person tjetër aty. Efektivët e policisë greke kanë nisur hetimet dhe dyshohet që ai të jetë qëlluar në vend tjetër dhe më pas të ketë ardhur në vendin ku është gjetur në grahmat e fundit të jetës. Mjekët kanë bërë të ditur se gjendja e 27-vjeçarit shqiptar ishte e rëndë dhe ndërroi jetë rrugës për në spital. Sipas tyre, nëse do të ishin njoftuar më shpejt, ata do kishin më shumë mundësi që ta shpëtonin nga plagët e marra. Ai është dërguar i vdekur në Spitalin Popullor të Athinës dhe më pas në morg për t’i bërë autopsinë. Policia tha se ka marrë në pyetje edhe familjen, por rezulton se ai nuk ka pasur konflikte. Megjithatë, kanë nisur hetimet në disa pista, ku ato më kryesoret janë larje hesapesh mes grupeve të ndryshme kriminale, ose ndonjë borxh i vjetër. Gjithashtu duke u hetuar është dhe fakti i një ngjarjeje aksidentale, ose personat që e kanë qëlluar ta kenë ngatërruar me ndonjë person tjetër. Por nga të dhënat, viktima nuk rezulton të jetë kontingjent kriminal i policisë. Efektivët e policisë janë duke kërkuar personat me të cilët 27-vjeçari shqiptar ka qenë deri në orët e para të mëngjesit, kur më pas është gjetur i plagosur rëndë, duke humbur jetën gjatë rrugës për në spital.
#