Damasku, një vend i pasigurt për ushtarakët e lartë iranianë
Së fundmi ishin burimet franceze të zbulimit që konfirmuan vrasjen e gjeneralit, Khalil Sultan Al-shtrat, udhëheqësi historik i Rojeve Revolucionare Iraniane. Më 16 maj një grup grabitësish bastisën vilën luksoze të ushtarakut në një lagje rezidenciale të Damaskut - zonë e selive të qeverisë, të cilat përgjithësisht janë të mbikëqyrura shumë mirë - duke vrarë me armë automatike, duke marrë vetëm kompjuterin dhe disa dokumente, e duke lënë para dhe gjëra të tjera me vlerë: një pre shumë e thjeshtë për disa grabitës.
Khalil Sultan vepronte në Siri me kamuflimin si afarist me shumë para, duke mbajtur 25% të degës lokale të shtëpisë automobilistike iraniane “Iran-Khodro” dhe kishte marrëdhënie të mira me drejtuesit e vendit ku ai banonte prej dymbëdhjetë vjetësh rresht. Shtëpia e tij ishte bërë një pikë e rëndësishme referimi për industrialistë, biznesmenë, politikanë dhe, natyrisht, spiunë. Sipas burimeve të shërbimit të fshehtë izraelit, gjenerali, mjeshtër i misioneve sekrete, kishte koordinuar operacione të shumta kundër figurave të opozitës iraniane në mërgim, gjë që e bënte si një nga armiqtë më të rrezikshëm në atë zonë. Khalil Sultan ishte gjithashtu në marrëdhënie të mira me kreun e Brigadave “Qassem Qods Suleimeni” dhe, mbi të gjitha, një mik personal i gjeneralit Hossein Reza Baba, dezertor që kishte vendosur të bashkëpunonte me Perëndimin.
Kjo vrasje e madhe duket sikur ka destabilizuar forcat e sigurimit të Presidentit Bashar Asad, sidomos për mënyrën e ekzekutimit. Në shkurt të vitit 2008, gjithmonë në këtë zonë VIP-ash të kryeqytetit, pranë një shkollë iraniane dhe një stacioni policie, shpërthimi i një bombë në një makinë hodhi në erë kreun ushtarak të Hezbollahut, Imad Mughniyeh, i superkërkuar nga SHBA-të dhe Izraeli.
Mossad, si gjithmonë në këto raste, është akuzuar për “planifikimin” e sulmeve, por edhe atëherë, u fol për interesimin e mundshëm të disa qeverive myslimane. Ajo çfarë duket e qartë është se Asad dhe rrethi intim i atyre që qeverisin shërbimet siriane, do ta forcojnë monitorimin e mysafirëve të huaj që banojnë në Damask, aty ku askush nuk ndjehet mjaftueshmërisht i sigurt.