E Shtunë, 31 Tetor 2026

84 pikë për titull

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, beson se për të fituar titullin në Premierligë sezonin e ardhshëm nevojiten 84 pikë. Kjo, për shkak të rivalitetit të fortë që ai pret në edicionin e ri, ku, sipas tij, për katër pozitat e para do të luftojnë edhe Liverpool e Tottenham. Ferguson thotë se Premierliga është produkti më i mirë i futbollit. Nga Express më 07 gusht 2011 në ora 13:00

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, beson se gara në Premierligë do të jetë aq e fortë, sa që fituesi duhet të arrijë në kuotën e 84 pikëve për të siguruar titullin.

Ferguson beson se Liverpool dhe Tottenham do t’i bashkohen katër skuadrave të para në betejë, të cilën ai e përshkruan si “produkti më i mirë i futbollit”.

“Të fitoni ligën në Angli është shumë vështirë dhe nuk ka rëndësi si merrni pikët, ju thjesht duhet t’i fitoni ato. Përfundimisht do të nevojiten 84 pikë për të fituar titullin sezonin e ardhshëm. Do të ketë konkurrencë të shtuar në ligë. Pres që Liverpooli të jetë më i mirë dhe t’i shtohet katër ekipeve të para sikurse edhe Tottenham, edhe pse ata ende nuk kanë sjellë përforcime gjatë kësaj vere që është e befasishme, por do të jetë një edicion shumë i vështirë”, tha Ferguson për mediet angleze.

Strategu skocez lavdëroi kualitetet e ekipeve kryesore nga Premierliga, që sipas tij, është produkti më i mirë i futbollit në Evropë.

“Ne kemi gjashtë skuadra që luftojnë për katër pozitat e para dhe kjo vetëm sa shton interesimin dhe rivalitetin në Premierligë, që mendoj se tani është prodhimi më i mirë në futbollin evropian. Në Gjermani në sezonin e ri janë shitur pothuajse të gjitha biletat sezonale dhe kjo do të krijojë atmosferë fantastike në stadiumet gjermane, por Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Chelsea kanë stadiume të mbushura çdo javë dhe ende mendoj se ne jemi prodhimi më i mirë”, u shpreh ai.

Ferguson mohoi spekulimet rreth transferimit të sulmuesit Dimitar Berbatov në Paris St Germain, duke shtuar: “Nuk ka gatishmëri as nga ana jonë”.

Strategu i skuadrës nga Old Trafford po ashtu nuk brengoset për ndikimin e ndeshjeve ndërkombëtare të së mërkurës, vetëm tri ditë para fillimit të sezonit të ri në Premierligë.

“Ata e kanë bërë këtë që dy ose tri vite, andaj nuk do të jetë ndryshe as këtë vit. Nuk kam problem me këtë, disa futbollistë mund të kenë nevojë për një ndeshje gjatë javës. Ne kemi dy ose tre futbollistë, të cilët kanë nevojë për 90 minuta. Anglia ka vepruar shumë mirë në bazë të rrethanave duke reduktuar minutazhin për futbollistët, nuk ka repriza të Kupës ose gjysmëfinales, shkohet në penallti, skuadrat e mëdha nuk hyjnë në Kupën e Ligës deri në fazën përfundimtare. Jemi duke u munduar të udhëheqim futbollin anglez në mënyrën më të mirë të mundshme për t’u ndihmuar futbollistëve sepse nuk mund të luani numër të madh të ndeshjeve pa pritur që kjo të ketë ndikim negativ. Por, me shtimin e numrit të ndeshjeve ndërkombëtare, kjo çështje do të jetë serioze”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›