E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rasti i Feratit

Ottmar Hitzfeld ka shpjeguar arsyen pse e ka ftuar Beg Feratin në përfaqësuesen e Zvicrës. Sipas tij, futbollisti kosovar ka përvojë në ndeshje ndërkombëtare dhe tani ka rastin të dëshmohet edhe në fanellën e skuadrës helvetike. Hitzfeld thotë se Zvicra po çalon në mbrojtje, andaj shpreson në ndihmën e 24 vjeçarit kosovar. Nga Express më 07 gusht 2011 në ora 14:00

Selektori i përfaqësueses së Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, e ka arsyetuar ftesën që ia ka bërë Beg Feratit për t’iu bashkuar skuadrës helvetike.

Strategu gjerman të enjten e publikoi listën me emrat e futbollistëve, të cilët do t’i mbrojnë ngjyrat e reprezentacionit zviceran në ndeshjen miqësore ndaj Litenshtajnit, e cila zhvillohet më 10 gusht në Vaduz.

Në mesin e tyre, Hitzfeld për herë të parë ftoi edhe mbrojtësin kosovar. 24 vjeçari u bë futbollisti i shtatë shqiptar i përfaqësueses së Zvicrës, ngjyrat e të cilës i mbrojnë edhe këta lojtarë: Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Albert Bunjaku, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.

“Jam duke supozuar se Beg Ferati do të jetë një lojtar i rëndësishëm në Freiburg. Ferati ka një përvojë të mirë në ndeshje ndërkombëtare”, ka deklaruar Hitzfeld.

“Andaj Feratit duhet t’i kepet mundësia për t’u dëshmuar në skuadrën tonë. Sidomos tani ai e ka një rast të mirë të dëshmohet, kur pozita ku luan Ferati në ekipin ton po çalon”, ka theksuar gjermani, të cilin e karakterizon fakti se shpesh në përfaqësuesen zvicerane fton futbollistë të rinj dhe shumë nga ta dëshmohen kur u jepet ky rasti.

Ferati deri më tani ishte pjesë e skuadrës zvicerane, Basel. Në janar ai kishte nënshkruar kontratë me Freiburgun. Por, gjatë kësaj vere ai u transferua përfundimisht në Bundesligën gjermane duke iu bashkuar ekipit të tij të ri.

Në Gjermani Ferati po stërvitet intensivisht dhe nga kjo përvojë e tij mund të përfitojë edhe përfaqësuesja zvicerane.

“Puna që bëhet në Bundesligë është shumë më ndryshe sesa në Zvicër. Këtu stërvitjet janë më të vështira dhe shumë më intensive”, është shprehur Ferati.

Ai kishte vendosur t’i bashkohet Freiburgut vetëm për ta sfiduar vetën në një kampionat më të fortë sesa ai zviceran, ndonëse me Baselin ka pasur rastin që në edicionin e ri të luajë në Ligën e Kampionëve. Ferati është optimist se Freiburg do t’i ofrojë mundësi të kënaqshme për të luajtur në Bundesligë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›