Milanit i duhet një mesfushor

Gennaro Gattuso ka theksuar se Milan ka nevojë të transferojë një mesfushor para përmbylljes së afatit kalimtar të verës. Rossonerët mposhtën Interin 2-1 në Superkupën e Italisë të shtunën, por paraqitja e tyre në pjesën e parë ngriti dyshime.
“Ashtu siç e shoh unë, Milan ka nevojë për një njeri të ri në mesfushë”, tha Gattuso për Gazzetta dello Sport.
“Ne pak a shumë të gjithë kemi karakteristika të njëjta në atë fushë. Na nevojitet një futbollist i cili e bën ekipin të lëvizë pak më tepër”, shtoi ai.
Pas largimit të Andrea Pirlos në Juventus, Milan spekulohej se kërkon Alberto Aquilanin dhe Riccardo Montolivon për pasardhës të tij.
“Ndoshta Aquilani udhëheq më tepër, ndërsa të gjithë e njohim Montolivon. Ata të dy janë futbollistë të kualitetit të lartë”, përfundoi Gattuso.