Koka dhe zemra
“Koka dhe zemra”, brohoriste Valon Behrami pas golit të tij të fitores për Lazion kundër rivalit të qytetit, Romës, në mars të vitit 2008.
“Koka dhe zemra” sot thotë edhe Lorik Cana. Një rrol ende për t’u definuar, një djalosh i dashuruar në Shqipërinë e tij, në shikim të parë i heshtur dhe i rezervuar, por që në fushë di t’i tregojë kualitetet e tij si lider.
E ka dëshmuar në Marseille, në Sunderland, në Galatasaray dhe tani mesfushori kosovar dëshiron ta pushtojë edhe Lazion me kokë e me zemër.
Në Angli e quanin ‘The Warrior’ (luftëtar) dhe një motiv ekziston: “Kur jam në fushë, jap 100 për qind nga zemra për të fituar dhe kjo më bën të jem një lider. Është një kualitet natyral, është me rëndësi të luani çdo ndeshje me kokë dhe me zemër”, ka deklaruar Cana për Sky Sport 24.
Koka dhe zemra janë përbërësit e nevojshëm për të fituar, kualitetet të cilat duket se i kanë munguar Lazios në vitet e fundit. Reprezentuesi i Shqipërisë është mësuar të fitojë derbi nga ai francez Marseille – PSG deri tek ai i zjarrti turk, Galatasaray – Fenerbahçe.
“Kush luan me zemër në kësi lloj ndeshjesh, vështirë se do të humbë. Futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe në raste të tilla gjithçka varet nga ajo se sa luftojnë futbollistët për fanellën e tyre. Unë kam më shumë fitore sesa humbje në ndeshje derbi”, ka shtuar Cana duke u dhuruar shpresë tifozëve të zjarrtë të Lazios.
“E di sa i rëndësishëm është derbi i Romës. Këtë vit nuk guxojmë të gabojmë, sidomos për tifozët, por mbi të gjitha duhet ta zhvillojmë një sezon të mirë”, ka pohuar ai.
Mediat shqiptare e kanë akuzuar trajnerin e Lazios, Edy Reja, për përjashtimin e Canës nga ekipi i titullarëve në miqësoren kundër Villarrealit. Rastin e ka shpjeguar edhe vetë Cana: “Nuk është hera e parë që më ndodh diçka e tillë. Jam një prej futbollistëve më të rëndësishëm në vendin tim, andaj ka vëmendje të madhe tek unë nga ana e mediave”, tha Cana.
“Unë jam i lumtur që kam ardhur në Lazio në këtë përvojë të re dhe fantastike për karrierën time, në këtë klub ambicioz. As një problem me Edy Reja. Kam biseduar me të dhe ai i njeh kualitete e mia. Ekziston mirëkuptimi mes nesh. Sa herë që ka nevojë për mua, do të jem gati për të luajtur 100 për qind duke e nderuar fanellën, por vendimet i takojnë atij, edhe pse ka shumë ndeshje dhe do të ketë vend për të gjithë”, vazhdoi ai.
Rroli i tij në Lazio mbetet ende një mister. Drejtori sportiv i klubit, Igli Tare, ka siguruar se Cana është një mesfushor, derisa trajneri Reja tani për tani e preferon në qendër të mesfushës përkrah Ledesmas.
“Varet gjithçka nga formacioni. Nuk është skuadra që duhet t’i përshtatet rolit tim, por unë që luaj për ekipin. Mund të mbuloj pozita të ndryshme nga qendërmbrojtësi apo mesfushor në qendër. Kam zhvilluar 350 ndeshje zyrtare dhe ndryshimi i rolit nuk më brengos”, ka pohuar Cana i cili shpreson që me Lazion të kualifikohet sërish në Ligën e Kampionëve.
Tare: Cana u ble sepse është një kampion
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare i ka siguruar tifozët e klubit se përforcimi i ri, Lorik Cana do t’i tregojë kualitetet e tij në Olimpico.
“Loriku është një kampion. Jo një shok. Ai do të dëshmojë se sa është i fortë”, ka thënë Tare.