85-vjetori i krijimit të Mjekësisë Publike, Berisha merr titullin Fisnikëria Tiranase
Në konferencën e mbajtur me rastin e 85-vjetorit të krijimit të Mjekësisë Publike janë nderuar me çmime mjekë e personalitete të shquara të mjekësisë, ndër ta edhe kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë mori titullin Fisnikëria Tiranase, ndërsa në fjalën e tij tha: Nderohet sot një nga institucionet ndofta më themelore, ndofta me histori më të pasur, shënohet sot 85-vjetori i Spitalit Publik, sot Nënë Tereza në Tiranë. Ky është një institucion i një rëndësie të jashtëzakonshme për vendin dhe kombin, që ka përmbushur në çdo kohë me përgjegjësi të madhe dhe humanizëm të jashtëzakonshëm, dashuri e respekt një mision nga më të vështirët.
Ai premtoi se rritja e cilësisë në sistemin shëndetësor mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë së tij, në interes të qytetarëve dhe shtoi se çmimi është një nderim jo vetëm për të, por edhe për mësuesit e tij.
Është bërë një luftë epike në lidhje me tuberkulozin, një luftë që nisi vetëm me dy mjete, me stetoskopin dhe një aparat radiologjik. Puna që kanë bërë mjekët e atëhershëm dhe punën që bëhet tani, kushtet që punohej atëherë dhe kushtet e tanishme, janë të pakrahasueshme. Unë shpreh nderimin tim për mësuesit e mi. Është fat i madh që unë pata mësues të tillë, kollozë, u shpreh Berisha.
Kryeministri tha se Tiranën kryeqytet e kanë bërë qytetarët e Tiranës
Kryeqyteti po shëtiste nga një qytet në tjetrin. Tiranasit hapën zemrën e tyre dhe këtu u rrit kryeqyteti. Tiranën kryeqytet e bënë qytetarët e saj. Shoqata e Mjekësisë Publike, është bërë një zë i ndershëm me përfaqësues i qytetarëve të Tiranës. Unë ju garantoj se po hidhen bazat e Tiranës së këtij shekulli. Ky bulevard që ne po ecim është një projekt i mrekullueshëm. Këto projekte janë një zhvillim jetik për Tiranën. Qeveria do të mbështesë fuqishëm zhvillimin e kryeqytetit, tha kryeministri./ep