Berisha: Meta të sjellë Ramën në Skrapar për tu kërkuar falje
Kryeministri Sali Berisha ka çelur fushatën elektorale të Partisë Demokratike në Çorovodë ku ka prezantuar edhe kandidatët për deputetë në këtë zonë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri i ka kërkuar kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta që të sjellë në këtë zonë, kreu i PS-së, Edi Rama për tu kërkuar falje banorëve të kësaj zone për fyerjet që u ka bërë.
Kërkesa
Do ti kërkoj një gjë Ilir Metës, ta sjellë këtu Edi Ramën dhe Edi Rama të kërkojë falje para skraparllinjve për fyerjet kolektive që i ka bërë Skraparit e skraparllinjve. Këtë duhet ta bëjë dhe po se bëri këtë, asnjë votë. Votoni për veten tuaj. Kaq ti kërkoni, sepse askush në botë nuk ka të drejtë tju fyejë juve kolektivisht. Ju keni një histori, me të cilën krenoheni dhe do të krenoheni gjithmonë, sepse në çdo rast që ka pasur nevojë kjo tokë, ju nuk keni kursyer asgjë për mbrojtjen e saj. Ndaj edhe zotëria që shëtit me autobusin mavi të vijë këtu e të kërkojë të falur për ato sulme që ka bërë për origjinën skraparlli ndaj aleatit të tij të sotëm, tha kryeministri Berisha. Duke përmendur disa nga arritjet e qeverisë në këtë qark, kreu i qeverisë tha se në këtë zonë janë ndërtuar 20 shkolla si dhe 22 ujësjellësa. Kryeministri Berisha u premtoi banorëve të kësaj zone të tjera investime gjatë mandatit të ardhshëm. Skrapari ka ndër potencialet e turizmit malor më të jashtëzakonshëm në Shqipëri. Tani po ecim drejt Përmetit dhe jam këtu për tu zotuar para jush se shumë shpejt do të ecim drejt Tomorit dhe do ta bëjmë Tomorin të njohur në Evropë e në botë, për potencialin e tij të jashtëzakonshëm turistik. Zotimi im është të bëjmë gjithçka për të shfrytëzuar potencialin e jashtëzakonshëm turistik të malit të Tomorit, në të gjitha anët e tij. Me infrastrukturën e ardhshme, ju do të keni lidhjen me Përmetin, lidhjen me Gramshin dhe në trajektoren e gazsjellësit Trans-Adriatik, rrugën me Korçën, premtoi kryeministri Berisha.
Berisha-fermerëve: Qeveria do të mbrojë prodhimet tuaja
Kryeministri Berisha inauguroi dje nisjen e punimeve për ndërtimin e rrugës Perondi Kuçovë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri u premtoi fermerëve të kësaj zone se qeveria do të mbrojë prodhimet e tyre ndërsa akuzoi opozitën se me vendimin për të hequr TVSH për disa prej produkteve dëmton fermerët vendas. Premtimi im solemn para jush është se do të mbrojmë me forcën e ligjit prodhimet tuaja nga dyndje të prodhimeve të tjera. Shoku i autobusit mavi premton heqjen e TVSH-së për qumështin, çka do të thotë që qumështi i lopëve tuaja të mbetet pa shitur, sepse po erdhën gjemitë me qumësht pluhur dhe qumësht tjetër pa TVSH-së, atëherë ai do të shitet më një çmim që do të mbysë prodhimin vendas të qumështit. Autobusi mavi premton të heqë TVSH-së për miellin, në mënyrë që në Shqipëri askush të mos ketë më leverdi të mbjellë grurë apo misër. Shoku i autobusit mavi erdhi këtu në Berat dhe deklaroi se vaji i ullirit ka mbetur pa shitur. Ai tani premton të heqë TVSH-në për vajin e ullirit, çka do të thotë që ju të mos shisni dot edhe 1 litër vaj, sepse vajrat e vendeve që kanë 600-700 milionë rrënjë ullinj do të pushtojnë Shqipërinë, tha kryeministri Berisha.
Bode: Gatë tetë viteve kemi rritur rrogat dhe pensionet
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Korçës, Ridvan Bode zhvilloi një takim me banorë të qytetit të Ersekës. Në fjalën e tij, Bode tha se gjatë këtyre tetë viteve qeveria rriti rrogat e arsimtarëve dhe mjekëve. Qeveria shqiptare ka rindërtuar 1200 shkolla në të gjithë vendin duke i pajisur me kompjutera dhe internet, ka rritur pagat e arsimtarëve dhe punonjësve të shëndetësisë, tha Bode. Në vijim, Bode i ka cilësuar si të papranueshme deklaratat e Ramës në drejtim të mjekëve dhe arsimtarëve. Unë e konsideroj këtë si të papranueshme, e shikoj si një hakmarrje që e majta dhe kryetari i PS-së, siluron në mënyrë të vazhdueshme administratën edhe në sektorin e arsimit dhe sidomos në sektorin e shëndetësisë. Erdhi këtu dhe tha se duhet të kesh çanta me pare që të vesh të vizitohesh në Spitalin e Kolonjës. Kjo është qesharake sepse pikërisht punonjësit e sektorit të arsimit dhe shëndetësisë janë pikërisht ata që kanë përçuar ato reforma dhe kanë realizuar këto reforma kaq të mëdha, u shpreh Bode. Në përfundim, Ridvan Bode premtoi të tjera reforma në sistemin arsimor dhe shëndetësor në vend gjatë mandatit të ardhshëm.
Ruli: Reformat e ndërmarra kanë
modernizuar sistemin e shëndetësisë
Kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Gjirokastrës, Genc Ruli zhvilloi një takim me mjekët dhe infermierët e Gjirokastrës. Gjatë fjalës së tij, Ruli vlerësoi arritjet dhe reformat e ndërmarra nga qeveria në këto tetë vite në sistemin e shëndetësisë. Duke u ndalur tek debati në ludhje me taksën e sheshtë dhe atë progresive, Ruli tha se taksa e sheshtë është një mundësi për të gjitha bizneset. Heqja e TVSH-së në një pjese të madhet inputeve, sidomos te ato të sektorit bujqësor, heqja e taksave doganore mbi makineritë bujqësore janë mekanizmat që kanë synuar në nxitjen e biznesit të vogël, të mesëm apo të madh, i cili është motori i ekonomisë. Është ky biznes që krijon vende pune, krijon fitim, që krijon depozita bankare apo merr kredi dhe investon. Taksa e sheshtë është favori më i madh për personat, bizneset dhe ekonominë. Nuk e zgjodhëm sepse ishte e thjeshtë, por se ishte e ulët. Nga 25 % që ishte tatim fitimi ne e bëmë 10, dhe mendoni se çfarë lehtësie e madhe ishte për biznesin, Ruli.