E Shtunë, 31 Tetor 2026

89’shi krejt ndryshe

Trepça ’89 edicionin e ri do ta nis shumë më e zbehtë, nëse merret parasysh fuqia që kishte në kampionatin e kaluar. Kjo pasi gjatë kësaj vere stadiumin ‘Riza Lushta’ e braktisën thuajse të gjithë lojtarët kryesor të saj. Megjithatë, me vetëm tri përforcime, trajneri Rafet Prekazi po mundohet të bëjë diçka të mirë.

Trepça ’89 shkëlqeu në edicionin e kaluar, të cilin e përmbylli si nënkampion dhe fitues i Kupës së Kosovës, derisa e humbi luftën me Prishtinën për titull të kampionit.

E shkaku i kësaj humbje, në edicionin e ri në Superligë do të garoj një Trepçë ’89 thuajse krejt ndryshe, respektivisht shumë më e zbehtë. Kjo pasi mitrovicasit ishin të zhgënjyer me mënyrën se si u bë kampion Prishtina, të cilën me një ton të fort dhe disa herë rresht e akuzuan për kurdisje.

Sipas tyre, manipulimet e prishtinasve i zhgënjyen dhe i detyruan ata që në një far mënyre ta ‘lëshojnë në lerë’ mbajtjen e 89-shit, duke mos investuar në futboll siç bënin në edicionin e kaluar, me arsyetim se nuk ia vlen të investosh aty ku vlojnë dallaveret e të tjerëve.

Kjo ‘tërheqje’ e kryesisë së Trepçës ’89 bëri që shumica e futbollistëve kryesorë të saj të transferohen nëpër skuadra tjera. Jan rreth dhjetë lojtarë që e braktisën stadiumin ‘Riza Lushta’ gjatë kësaj vere, si: Berat Hyseni, Liridon Kukaj, Agron Beqiri, Emin Baliqi, Sylvester Ambe, Festim Krasniqi, etj.

Ndërsa, deri më tani ‘Xehetarët’ janë përforcuar me vetëm tre lojtarë - Lorik Maxhunin (Drenica), Edmond Turkun (Trepça) dhe Samir Sahitin (Drenica).E ky bilanc i transferimeve normalisht që nuk i ka pëlqyer trajnerit, Rafet Prekazi, i cili megjithatë po mundohet t’i jap shpirt skuadrës së tij.

“Përgatitjet i kemi nisur më 10 korrik. Atmosfera në ekipin tonë është e mirë, edhe pse kemi mbet pa disa futbollistë të cilët në edicionin e kaluar ishin bartës së lojës”, tha Prekazi.

“Janë dhjetë lojtarë që na u kanë larguar, kurse kanë ardhur tre të tjerë, të cilët faktikisht janë rikthyer. Megjithatë ne po punojmë shumë, me seriozitet, që ta bëjmë një lojë tonën, në mënyrë që kampionatin e ri ta përfundojmë me sukses”, theksoi Prekazi.

Në fakt, sfida e parë e rëndësishme e sivjetshme e Prekazit me ‘Xehetarët’ do të jetë 11 gushti, kur ekipi i tij, si fitues i Kupës së Kosovës, do ta kërkoj edhe Superkupën përball kampionit, Prishtinës – duel ky që edhe zyrtarisht e hap edicionin e ri.

“Ne po përgatitemi për atë ndeshje. Është ndeshja e parë, andaj nuk i dihet. Të shohim”, përfundoi Prekazi, i cili ndihet shumë i gatshëm për ta udhëheq Trepçën ’89 në gjithë kampionatin e ri, pas një sulmi që e pati pësuar në zemër kah fundi i kampionatit të kaluar, me ç’rast për disa javë i mungoi bankinës gjelbër e bardh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›