9 maji, dita e themelimit të Bashkimit Evropian: Projekti unik për një komunitet të bashkuar

Fyle: BE zgjerohet, pasi zgjerimi është në ADN-në e Evropës
Në Ditën e Europës, Komisioneri për zgjerim në Bashkimin Europian Stefan Fyle tha se procesi i zgjerimit duhet të vazhdojë sepse zgjerimi, sipas tij, është pjesë e zgjidhjes së krizës së tanishme në Evropë. “Ne jemi të vendosur për të ruajtur përparimin në procesin e zgjerimit, pavarësisht nga sfidat, me të cilat përballet Evropa”, ka cituar Fyle. Ai ka thënë se sfidat kanë të bëjnë më shumë me globalizimin sesa me zgjerimin. “Zgjerimi nuk është shkaku, ai është pjesë e zgjidhjes”, ka thënë Fyle. Fyle ka thënë se Kroacia së shpejti do t’i bashkohet BE-së, Serbisë i është dhënë statusi i kandidatit dhe negociatat me Malin e Zi duhet të fillojnë muajin e ardhshëm. “Vendet e tjera gjithashtu po shkojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Fyle. Pavarësisht vështirësive të fundit, sipas Fyles, Evropa vazhdon të jetë “një burim frymëzimi, me vlerat e saj, me standardet e saj të jetesës dhe në rastin e zgjerimit, me fuqinë e saj transformuese”.
Themelimi i BE
Guri i themelit për krijimin e Bashkimit Evropian u vendos nga Ministri i Jashtëm Francez, Robert Schuman, në deklaratën e tij të 9 majit të vitit 1950, në të cilën ai parashtroi idenë e përpunuar më parë me Jean Monnet për bashkimin e industrive evropiane të qymyrit dhe çelikut. Sipas tij, kjo do të përbënte një nismë historike për ndërtimin e një “Evrope të organizuar dhe vitale”, pa të cilën paqja në botë do të ishte e pamundur. Plani Schuman u bë realitet me nënshkrimin në Paris të Traktatit Themelues të Komunitetit Evropian të Qymyrit dhe Çelikut më 18 prill të vitit1951. Në nënshkrimin e traktatit merrnin pjesë Gjermania, Franca, Belgjika, Italia, Holanda dhe Luksemburgu. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm erdhi disa vjet më vonë me Traktatet e Romës, të 25 marsit të vitit1957, të cilat krijuan Komunitetin Ekonomik Evropian dhe Komunitetin Evropian të Energjisë Atomike (EUROATOM). Këto komunitete filluan nga puna me hyrjen në fuqi të traktateve më 1 janar të vitit1958. Krijimi i Bashkimit Evropian me Traktatin e Mastrihtit shënoi një hap te mëtejshëm në rrugën e bashkimit politik të Evropës.