Suedia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE
Gjatë vizitës, zëvendëskryeministri Edmon Haxhinasto takohet me zyrtarë të lartë
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto zhvilloi një vizitë zyrtare një ditore në Suedi, gjatë të cilës mori mbështetjen e Suedisë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Sipas zyrës së shtypit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme, Haxhinasto pati takime me Kryetarin e Parlamentit, Per Esterberg, Ministrin e Jashtëm, Carl Bildt, Ministren e Tregtisë, Ewa Bjorling, sekretarin për çështje të BE-së, Oscar Waglund etj. Në takime u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, integrimin e Shqipërisë në BE, zhvillimet në rajonin e Ballkanit, bashkëpunimi në kuadër të organizatave ndërkombëtare, etj. Në takim me Ministrin suedez të Punëve të Jashtme, Carl Bildt u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi i deritanishëm midis dy vendeve, si dhe u theksua se ka shumë mundësi dhe rrugë për t’i forcuar ato më tej, në interes të dy vendeve. Si fusha të këtij bashkëpunimi u identifikuan energjia, burimet natyrore dhe minierat, infrastruktura, turizmi dhe shkëmbimet tregtare. Duke falënderuar për mbështetjen që Suedia i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në procesin e integrimit në BE, liberalizimit të vizave, si dhe në kuadër të programeve dypalëshe të zhvillimit, Haxhinasto kërkoi që Suedia të vazhdojë të mbështesë vendin tonë për të marrë statusin e vendit kandidat. Ministri i Jashtëm suedez, Bildt u shpreh se Suedia, si mbështetëse e përhershme e zgjerimit, dëshiron që të shohë të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor, pa përjashtim, si vende anëtare të BE-së. Në këtë kuadër, ajo mbështet edhe integrimin e Shqipërisë në BE. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se avancimi i axhendës së integrimit në BE përbën një instrument të rëndësishëm për të forcuar më tej reformat dhe proceset e konsolidimit të demokracisë në vendet aspirante. Ministri Bildt vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon si një faktor moderues dhe që mbështet proceset integruese rajonale. Ai nënvizoi se forcimi i marrëdhënieve dypalëshe midis vendeve të rajonit, si dhe i proceseve integruese në rajon, përbën një hap të rëndësishëm në ecurinë progresive në anëtarësimin në BE. Ndërsa në takimin me Kryetarin e Parlamentit Suedez, Per Westerberg, u diskutua për bashkëpunimin midis dy parlamenteve, si dhe integrimin e vendeve të rajonit tonë në BE. Westerberg theksoi se për parlamentarët suedezë është e rëndësishme që gjykatat të jenë të pavarura dhe të vazhdojë të luftohet korrupsioni. Takimi me Ministren e Tregtisë, Ewa Bjorling u përqendrua në rritjen e investimeve suedeze në Shqipëri, si dhe në rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve.
...