E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Berisha: Procesi merr jetë pas samitit të Çikagos

09-05-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha njeh anëtarët e kabinetit qeveritar rreth vizitës së tij të fundit në Itali dhe takimet e nivelit të lartë në Romën Zyrtare

++ Italia mbështet integrimin e Shqipërisë

++ Biznesi italian i interesuar të shtrijë investimet në vendin tonë

Kreu i qeverisë, Sali Berisha bëri një panoramë të detajuar të takimeve që zhvilloi së fundmi në Romën zyrtare. Gjatë mbledhjes së radhës së kabinetit qeveritar, Berisha evidentoi si emërues të përbashkët të të gjitha bisedave të zhvilluara me drejtues të lartë të shtetit fqinjë pikërisht marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve. Por në vlerësimin e kreut të ekzekutivit ekzistojnë të gjitha mundësitë për thellimin e mëtejshëm të tyre. Berisha veçoi takimet më kryeministrin italian, Mario Monti, presidentin Giorgio Napolitano si dhe atë me kryetari i Dhomës së Deputetëve të Parlamentit italian, Gianfranco Fin. “Këto takime ishin një rast shumë i veçantë për mua ti shprehja Presidenti të Italisë, Napoletano, këtij miku të shquar të Shqipërisë dhe kombi shqiptar, një personalitet me staturë shumë të veçantë, i cili në të gjithë karrierën e tij të rëndësishme politike, qoftë në funksionet  e rëndësishme që ka patur në Parlamentin Italian, si ministër i brendshëm në qeverinë italiane dhe tani së fundi si President i respektuar i Republikës Italiane, ka bërë gjithçka për marrëdhëniet miqësore mes dy vendeve dhe kombeve tona, ka bërë gjithçka për të mbështetur shqiptarët, të cilët kanë emigruar në këtë vend mik për arsye tashmë të njohura. Në memorien e shqiptarëve është e pashlyer dekreti tij si ministër i brendshëm për legalizimin e emigrantëve, në tërësi, por shumica ishin emigrantët shqiptarë dhe qëndrimet e tij jashtëzakonisht humane ndaj këtij problemi të ndjeshëm. Me presidentin Napoletano, diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe kombeve tona në fusha me interes të përbashkët, në fushën ekonomike, në arsim, në fushën e shëndetësisë  dhe në të gjitha fushat e tjera. Takimi me Presidentin  e Republikës Italiane ishte një rast i shkëlqyer për mua, jo vetëm për të shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që ky vend i ka dhënë Shqipërisë përgjatë këtyre 20 viteve, por edhe për ta ftuar Presidentin për një vizitë zyrtare dhe miqësore, ftesë të cilën Presidenti e ka marrë dhe nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Kryetarja e Kuvendit për të qenë i pranishëm në rast se do ta lejonte axhenda e tij, në 100 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar apo dhe në çdo ditë të këtij viti, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë. Pata një takim me kryeministrin reformator te Italisë, Mario Monti dhe ekipin e tij, edhe ky takim ishte një rast për mua te shprehja mirënjohjen më të thellë të Shqipërisë dhe shqiptarëve për atë ndihmë të jashtëzakonshme që ky vend mik ka dhënë gjatë këtyre 20 viteve.
Sot është një gjeneratë e re, e cila ka fatin e mirë të mos ketë në memorie fillimin e viteve ’90 kur vendi përjetonte krizën më të thellë humanitare ndofta në tërë historinë  e tij. Italia mike u angazhua në një proces ndihmash të fuqishme, të cilat parandaluan një katastrofë njerëzore dhe ndihma të cilat për hir të së vërtetës regjimi që po jepte shpirt nuk po i ndante dot dhe u angazhua qeveria e Betino Kraksit dhe më pas e Xhulio Andreotit të angazhojë një batalion të ushtrisë së tyre, batalionin “Pelikan” për të shpërndarë ato ndihma në të katër anët e vendit. Më vonë ndihmat e kooperacionit italian janë ndihma me te cilat janë zbatuar me qindra e qindra projekte në këtë vend, projekte në të gjitha fushat që kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore jetën e qytetarëve shqiptarë. Ishte prekëse për mua shumë kur kryeministri Mario Monti njoftoi se pavarësisht vështirësive ekonomike me të cilat përballet vendi i tij kanë vendosur të japë një ndihmë tjetër Shqipërisë prej 52 milion eurosh, në kuadër të kooperacionit dhe të marrëveshjes së partneritetit strategjik të firmosur nga qeveritë e të dy vendeve. Me kryeministrin Monti dhe ekipin e tij diskutuam gjerësisht për marrëdhëniet në të gjithë fushat për rrugët dhe mënyrat e nxitjes së sipërmarrjes italiane për të investuar në Shqipëri, lehtësirat e domosdoshme për inkurajimin e këtyre investimeve, rëndësinë reale që ka Shqipëria në shkëmbimet ekonomike me këtë vend të madh mik, i cili është një ndër 5-6 vendet më të zhvilluara të botës. Diskutuam për bashkëpunimin në fushën e energjisë. Italia është një nga tregjet më të mëdha në Evropë të energjisë. Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha dhe reale energjetike. Por natyrisht u diskutua edhe për diversifikimin e burimeve energjetike. U diskutua për bashkëpunimin në të gjitha fushat. Ky bashkëpunim në fushën e rendit dhe të sigurisë është i shkëlqyer. Institucionet e zbatimit të ligjit të Italisë i japin një ndihmë shumë të madhe institucioneve tona dhe kanë një bashkëpunim mirëbesimi të përkryer. Njësitë tona në Herat janë të inkuadruara në brigadën “Garibaldi”, një brigadë e cila kryen me sukses të madh misionin e saj në Afganistan. Reputacioni i shqiptarëve është shumë i mirë në Itali. Shqiptarët zënë vendin e parë në studentë e huaj në universitetet italiane 26 mijë studentë, që janë ndër më të shkëlqyerit. Por nga emigracioni janë edhe rreth 26 mijë biznesmenë, një faktor i rëndësishëm i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve. Unë e ftova në kuadrin e 100 vjetorit, kryeministrin Mario Monti që të vizitojë Shqipërinë, ndonëse axhenda e tij e ngjeshur e reformave është jashtëzakonisht intensive, një axhendë që ka një reputacion mbarë evropian dhe më gjerë, por kryeministri më premtoi se do të gjejë kohën të vizitojë me kënaqësi Shqipërinë. Më kishte pritur në vitin ’96 në Komisionin Evropian, kur unë isha President. Ndërsa atje u takuam si dy kryeministra të vendeve mike. E kishte dhe kjo një simbolikë shumë të fuqishme. Kryeministri e pranoi ftesën që të vizitojë Shqipërinë.
Unë takova gjithashtu mikun e shquar të Shqipërisë dhe  shqiptarëve Gianfranco Fini, ku diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin mes dy vendeve tona. Marrëdhëniet janë të shkëlqyera por hapësirat për thellimin e tyre janë të mëdha, diskutuam për bashkëpunimin parlamentar dhe probleme të tjera. Në takimet me Presidentin Napoletano, me kryeministrin Monti, me Kryetarin e Dhomës së Deputetëve Fini, një temë e veçantë ishte integrimi i Shqipërisë në BE. Presidenti Napoletano, kryeministri Monti, Kryetari i Dhomës së Deputetëve Fini mbështesin dhe janë thellësisht të interesuar që Shqipëria të arrijë progresin dhe të marrë statusin  e vendit kandidat, natyrisht e gjitha kjo mbi bazën e meritës dhe performancës”- u shpreh kryeministri Berisha.

Biznesi italian, i interesuar për të shtrirë investimet në Shqipëri
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se një takim shumë i rëndësishëm ishte ai me institucionin kryesor të industrisë dhe sipërmarrjes së Italisë, që është Confindustria.
Qëllimi i këtij takimi ishte inkurajimi i investimeve italiane në Shqipëri. “Një vlerësim shumë i madh, “Shqipëria është një nga të paktat vende që nuk pësoi recension dhe ruajti rritjen ekonomike, Shqipëria ka bërë progres të madh”, garantuan audiencën ministri i jashtëm i Italisë dhe zv/presidenti i Konfinduistrisë në rrafshin ekonomik, fiskal dhe në të gjitha fushat. Janë mbi 450 sipërmarrje italiane që operojnë në Shqipëri, hapësirat janë më shumë se për 4500 dhe ne do të bëjmë gjithçka për inkurajimin dhe pjesëmarrjen më të madhe të biznesit italian në këtë vend. Është një rast për të shprehur mirënjohjen më të thelë ndaj mikut tim të shquar Adolfo Urso, ndaj zv/presidenti të Konfindustrisë dhe ministrit të jashtëm për këtë aktivitet shumë të rëndësishëm që organizuan në mbështetje të Shqipërisë, në inkurajimin e madh të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”- tha ai.
Gjatë qëndrimit në Itali, kryeministri Berisha ka zhvilluar takime dhe me kryetarin e bashkisë së Romës, Presidenten e Rajonit të Lazzio, shumë zyrtarë, afaristë, presidentë korporatash etj., Edhe pse nuk arriti të takonte ish kryeministrin Berluskoni, Berisha tha se i ka përcjellë ftesën për të vizituar Shqipërinë në ceremonitë e 100 vjetorit të Pavarësisë. “Natyrisht nuk arrita të takoj mikun  e shquar të Shqipërisë dhe timin Silvio Berluskonin, pasi ai ishte atë ditë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Federatës Ruse Vladimir Putin, si president, por i përcolla urimet më të mitra dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë”.

Zgjedhja e Presidentit, procesi merr jetë pas samitit të Çikagos
Njëkohësisht, në fjalën e tij, Kryeministri u ndal dhe në zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ku në vlerësimin e tij, një çështje e tillë do të jetë në fokus pas përfundimit të samitit të Çikagos. Sipas kreut të qeverisë, ky samit është mjaft i rëndësishëm prandaj dhe vëmendja duhet të përqendrohet atje. “Unë e kuptoj që mendjen e keni tek ethet presidenciale, kësaj radhe janë bërë shumë të forta, kanë përfshirë edhe gazetarët. Kanë zbritur edhe në nivele analistësh dhe gazetarësh, unë i përshëndes dhe them se nuk ka ëndërr më të bukur se ëndrra presidenciale. Me presidentin do merrem pas kthimit nga Samiti i Çikagos, duke respektuar procedurën dhe ky është një angazhim që deklaruar dhe do vazhdoj ta respektoj”- u shpreh Berisha. Samiti i Çikagos do të zhvillohet në datat 20-21 maj ku do të marrin pjesë krerët e shumë shteteve anëtare të NATO-s.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›