E Shtunë, 31 Tetor 2026

9 muaj krizë, institucionet në ngërç

Nga bllokimi i Kuvendit deri tek organet e pavarura që presin votat e opozitës

Që prej konstituimit të Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, institucionet kryesore të shtetit kanë shënuar një impas të përgjithshëm, që ka ardhur duke u zgjeruar. Kjo situatë ka ardhur edhe si pasojë e afrimit të fundit të mandateve të shumë nga organeve qendrore të pavarura, por si rezultat kanë pasur mungesën e një mazhorance cilësuese në Kuvend, që të mund të votojë ligjet dhe të rinovojë institucionet.

Kuvendi

Por kjo anomali ka ardhur në radhë të parë nga Kuvendi i Republikës, i cili nuk funksionon plotësisht sipas të gjithë diapazonit të tij konstitucional. Arsyeja? Numrat në sallën plenare, problemet në komisionet e përhershme dhe anomalitë në përcaktimin e axhendës së punimeve. Kuorumi ka qenë një problem permanent për Parlamentin, edhe pse në fund problemet janë zgjidhur, por vetëm ligjet jo “problematike”. Jo më larg se dy ditë më parë, legjislativi shqiptar ka miratuar materialet e rendit të ditës me një prezencë “in extremis” prej 71 votash. Por kjo është vetëm një anë e faqes së parë të medaljes. Që prej shatorit të vitit të kaluar, legjislativi shqiptar nuk ka mundur të miratojë asnjë prej ligjeve të quajtura “paketë e reformave”, pasi duhen 84 vota dhe me mungesën e opozitës që në fillim bojkotoi Kuvendin e më pas me “marrëdhënien e kushtëzuar” ka paralizuar vendimmarrjen e rëndësishme. Si pasojë nuk janë miratuar dot ligje të rëndësishme, siç është ai i Gjykatës Administrative, ligji organik i Konferencës Gjyqësore që bën fjalë për rinovimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ligji për organizimin e gjyqësorit etj. Ndërkaq, Kuvendi ka pasur probleme për të bërë ndërhyrje në kodet ligjore, që sipas kërkesave të BE-së duhet të përmirësohen, por mungojnë 84 votat. Ndërkaq, një tjetër handikap është mbledhja e komisioneve të përhershme, të cilat gjysma e tyre nuk kanë drejtues, pasi i janë caktuar opozitës, ndërkohë pjesa tjetër që drejtohen nga përfaqësues të mazhorancës punojnë në mënyrë të sforcuar.

Institucionet

Fillimi i kësaj legjislature parlamentare ka afruar edhe fundin e mandatit të një pjese të drejtuesve apo dhe anëtarëve të institucioneve të pavarura kushtetuese. “Viktima” e parë e problemit të mungesës së shumicës së cilësuar në Kuvend ka qenë “Ombutsman”, ose siç quhet në Kushtetutë, “Avokati i Popullit”, i cili, sipas ligjit themeltar të shtetit, është organi që rri mes publikut dhe shtetit. Në fillim të shkurtit ka mbaruar mandati i Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani, dhe ky institucion nuk është rinovuar, pasi ai duhet të zgjidhet me tre të pestat e deputetëve të Kuvendit. Një tjetër institucion viktimë e kuorumit është edhe Komisioni i Shërbimit Civil, i cili pas shkarkimit të kryetares nuk funksionon. Edhe pse është kërkuar rinovimi i tij, ai mbahet pezull. E njëjta gjë ndodh edhe me Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, të cilët duhet të rinovohen, pasi ka mbaruar mandati i disa prej anëtarëve të këtyre institucioneve. Gjykata e Lartë duhet të zgjedhë katër anëtarë të saj, ndërsa Kushtetuesja gjashtë. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, por edhe konstitucionalistë të ndryshëm, kanë shfaqur mendimin që rinovimi i këtyre institucioneve të bëhet edhe me pjesëmarrjen e opozitës, pasi kemi të bëjmë me organe të rëndësishme të shtetit.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›