E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-presidenti Meidani kritikon nisjen e grevës

Deklarata

Ish-presidenti Rexhep Mejdani deklaroi dje nga Prishtina se ai ishte në mënyrë të prerë kundër grevës së deputetëve socialistë dhe simpatizantëve të kësaj partie. Siç njofton zyra e shtypit pranë LSI-së, përgjatë një ligjërate të mbajtur përpara studentëve të universitetit privat “Fama”, në Kosovë, socialisti Mejdani theksoi se futja e grevës së urisë si element në protestën e PS-së për hapjen e kutive është një element i cili nuk i shërben stabilitetit demokratik të vendit. “Për rastin konkret mendoj se është më shumë sesa nevoja që ky proces transparence të gjente përgjigjen e duhur qoftë përmes dinamikës, qoftë përmes ndërhyrjes së institucioneve të tjera, apo rritjes së ndjeshmërisë qytetare. Këto elemente janë realizuar përgjithësisht. Ky element i fundit për mendimin tim është i tepërt dhe mund të sjellë shqetësime relativisht serioze për zhvillimet demokratike dhe për stabilitetin politik dhe ekonomik në Shqipëri", deklaroi Mejdani. Po nga ana tjetër, ish-presidenti deklaroi se kërkesa e Partisë Socialiste për hapjen e kutive është e drejtë dhe e justifikuar. Madje ish-presidenti deklaroi se mazhoranca po spekulon me termat kushtetues, me qëllim që të mos lejojë edhe hapjen e kutive të votimit. “Kushtetuta si parim kryesor ka transparencën dhe ky është parimi që duhet të dominojë në vendimmarrjen politike. është spekuluar edhe në pikëpamje të rezultatit. Pra, në qoftë se ka një vendim gjyqësor dhe mbi këtë vendim gjyqësor ndërtohet një institucion, e ky është Parlamenti, dhe nga ky institucion prodhohen qeveria dhe institucionet e tjera, natyrisht aty procesi politik ka mbaruar”, deklaroi Mejdani për studentët kosovarë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›