Meta: Kriza, për kutitë të shprehet gjykata
“Gjendja e tanishme politike nuk ka të bëjë aspak me procesin e liberalizimit të vizave. Ky i fundit është thjesht një proces teknik që mbështetet mbi parime të drejta dhe rigoroze”. Ky ishte konstatimi i zv.kryeministrit Ilir Meta në një intervistë për “EurActiv”. Sipas tij, ai është një proces që ka të bëjë me njerëzit dhe jo me njërën apo me tjetrën palë. “Gjithashtu edhe opozita është në favor të liberalizimit të vizave për sa u përket të gjitha kritereve. Pothuajse të gjitha këto kritere janë plotësuar dhe ne po thellojmë përpjekjet tona për forcimin e zbatimit të këtyre kritereve”, u shpreh Meta. Ai këmbënguli se marrja e statusit të kandidatit është themelore për përmirësimin e klimës politike dhe rivendosjen e dialogut ndërmjet shumicës dhe opozitës. “Qeveria është tejet e përkushtuar për plotësimin e të gjithë kërkesave të opozitës, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me hetimin e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ne i kemi garantuar opozitës shumicën e një komisioni hetimor parlamentar, kryesinë e këtij komisioni dhe hetimin e çdo çështjeje që shqetëson ata lidhur me debatet mbi hapjen e kutive zgjedhore”, nënvizoi Meta. Ne, vijoi ai, e kemi bërë të qartë se nga ana jonë do të ofrohet vullneti politik dhe gjithçka që është në dorë të qeverisë. “Por kjo është një çështje që ka të bëjë edhe me pavarësinë e gjykatave dhe sistemin e drejtësisë. Pra, ne e kemi bërë të qartë se për ta është mjaft e rëndësishme t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe në rast se kjo e fundit do të bëjë një interpretim pozitiv të kërkesës së tyre, ne do ta respektojmë këtë kërkesë”, u shpreh Meta. Ai u shpreh i hapur edhe lidhur me mundësinë që opozita t’i drejtohet Komisionit të Venecias. “Në rast se duan të hetojnë këto pretendime ligjërisht dhe profesionalisht, ata duhet t’i drejtohen prokurorisë, e cila është plotësisht e pavarur nga qeveria”, u shpreh Meta. Ne sigurisht, tha ai, që duam ta kapërcejmë këtë situatë. “Ne po bëjmë përpjekje për të dhënë mesazhe pozitive dhe konstruktive bashkëpunimi, por ne duhet të respektojmë edhe Kushtetutën, pasi ajo është Kushtetuta e gjithë vendit dhe jo vetëm e shumicës qeverisëse”, insistoi Meta. Gjithashtu, shtoi ai, ne nuk duhet të lejojmë që politika të dalë mbi vendimet e gjykatave, pasi forcimi i sundimit të ligjit është kërkesë themelore për integrimin e vendit në BE.
#