9 muaj nga Gërdeci, Ulqini: Berisha hesht për tragjedinë
TIRANË- Në nëntëmujorin e tragjedisë së Gërdecit, Partia Socialiste denoncon heshtjen e vazhdueshme të qeverisë ndaj kësaj ngjarjeje të rëndë, që solli 26 të vdekur dhe mbi 300 të plagosur. “Sot mbushen plot 9 muaj nga tragjedia e Gërdecit, tragjedi e cila u shkaktua nga një aferë korruptive me përmasa të pabesueshme, ku aktorë kryesorë, siç është bërë e njohur nga fakte të shumta të publikuara në media, janë drejtues të lartë shtetërorë dhe familjarë të tyre. Krimi shtetëror që u konsumua në Gërdec, shkaktoi 26 të vdekur, 42 qytetarë të gjymtuar, 300 të tjerë të dëmtuar, 380 shtëpi të rrafshuara, 4 mijë banesa dhe biznese të dëmtuara. Janë gjithsej 20 mijë banorë që u dëmtuan dhe pësuan dëme në përmasa të ndryshme nga kjo tragjedi, që nuk erdhi nga shkaqe natyrore, por nga një aferë korruptive që eksplodoi me fuqinë e një mbushjeje bërthamore”,- tha dje në Kuvend deputeti i PS-së, Musa Ulqini. Ky i fundit theksoi se edhe pse kanë kaluar 9 muaj nga tragjedia e Gërdecit, qeveria e Kryeministrit Berisha, me gjithë insistimin e opozitës, të medias dhe publikut, ende nuk ka bërë publike asnjë analizë dhe raport të vetin për ngjarjen në fjalë. “Ndërkohë, të gjithë e dimë që në praktikën e institucioneve shtetërore, në botën demokratike, për ngjarje të tilla, qeveritë publikojnë raporte të hollësishme, ku shpjegohen shkaqet dhe përgjegjësitë administrative e shtetërore. Ka më shumë se 8 muaj që Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në sekretarinë e Kuvendit kërkesën që Kryeministri të paraqesë një raport me shkrim për tragjedinë e Gërdecit. Edhe pas 8 muajve e më shumë, përgjigja e Kryeministrit Sali Berisha për këtë kërkesë të opozitës është heshtja dhe vetëm heshtja, një heshtje që flet më shumë në fakt se çdo raport me shkrim! Ndërkohë që, i njëjti Kryeministër nuk heziton të reagojë edhe për gjëra që nuk i interesojnë aspak publikut dhe të flasë gjatë, pafundësisht gjatë, për sukseset e qeverisë, por asnjëherë nuk përmend tragjedinë e Gërdecit”,- tha Ulqini
Sipas tij, edhe pse kanë kaluar 9 muaj pas tragjedisë së Gërdecit dhe 8 muaj nga depozitimi i nismës së Grupit Parlamentar të PS-së për mënyrën ligjore të dëmshpërblimit të të gjithë atyre që e pësuan në 15 mars, kjo nismë asnjëherë nuk u fut në axhendën e Kuvendit, edhe pse rregullorja e Kuvendit përcakton afate të qarta kohore për nisma të tilla. “Edhe pse kanë kaluar 9 muaj pas tragjedisë së Gërdecit, asnjë lloj transparence të vërtetë nuk ka për 20 mijë banorët që e pësuan nga ky krim shtetëror, përmënyrën sesi u shpërndanë fondet e vëna në dispozicion të tyre nga qeveria dhe institucione të ndryshme brenda dhe jashtë vendit”, - tha ai.
Balla: Gërdeci, pasojë e trafikut ilegal të armëve
TIRANË- Deputeti i PS-së, Taulant Balla, deklaroi dje se autorët e vërtetë të tragjedisë së Gërdecit, po mundohen që të bëjnë çdo veprim për të larë duart nga kjo tragjedi. “Autorët e vërtetë të këtij krimi, pasi nuk arritën dot të zhdukin dosjet dhe vendimet që provonin fajësinë e tyre, sonte do të mundohen të përdorin kartonët dhe mandatet e deputetëve për të uzurpuar Prokurorinë dhe gjykatat. Duhet të zhdukim prokurorët dhe gjykatësit, ka dhënë urdhër Sali Berisha. Dhe ky urdhër ka një arsye.
Hetimet për tragjedinë e Gërdecit duket se kanë shkuar përtej ish-ministrit të Mbrojtjes, kanë implikuar ministra të tjerë, por edhe berishët. Duhet zhdukur prokurori i çështjes së Gërdecit, sepse hetimi për këtë çështje po nxjerr fajtorët e vërtetë. Deri më sot, opinioni publik shqiptar është njohur me prova dhe dëshmi të reja lidhur me tragjedinë e dhimbshme të Gërdecit dhe trafikun e armëve që shkaktoi këtë tragjedi”,- tha ai
Deputeti i PS-së shtoi se askush në Shqipëri nuk ka dyshim tashmë, që krimi shtetëror i Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz të thjeshtë, u shkatërruan disa qindra banesa dhe biznese, ka për autorë ata që kishin organizuar dhe kryenin trafikun ilegal të armëve.
“Ka për autorë, ata të cilët bënin vendime, madje dhe ligje në dobi të këtij trafiku, ata që jepnin urdhra me shkrim dhe me telefon, ata që kishin vendosur njerëz të afërm familjarë në pikat kyçe të këtij trafiku, që përdornin ushtarakët dhe makina ushtarake (pamjet) për mburojë dhe transport”,- tha ai.