E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, fushatë shpërblimesh me 62 milionë euro

Fushata elektorale nis me shpërblime, ndërkohë që shumë investime nuk realizohen

Rialokimi i fondeve të buxhetit do të shkojë në masën 63% për shpërblime

Shporta elektorale u hap dje, pasi qeveria miratoi për rialokimin e një fondi prej 12 miliardë lekësh, ku më shumë se 63 për qind e tij do të shkojë për shpërblimin e buxhetorëve dhe pensionistëve. Kryeministri Berisha tha dje se, për festat e fundvitit, shuma e shpërblimeve do të jetë 62 milionë euro.

“Në një farë mënyre, kjo është e barabartë me rritjen qartësisht prej 5 % të pensioneve të fshatit, mbi rritjen që kemi bërë në muajin korrik dhe rritja prej 3 % e pensioneve të qytetit mbi rritjen që kemi bërë në muajin maj”, - tha Berisha. Ai rikonfirmoi se buxhetorët do të përfitojnë nga 10 mijë lekë deri në një rrogë. “Duhet të qartësojmë dhe njëherë drejtuesit e institucioneve se, aty ku fondi i pagave lejon për të dhënë rrogën, rroga shtesë do t’u jepet e plotë punonjësve me rrogë të ulët dhe pjesa tjetër do të ndahet sipas përqindjes që kanë”, - theksoi Berisha. Ai e konsideroi këtë si një rritje shtesë të pagës prej 12 %, për ata që e kanë rrogën e ulët, mbi rritjen e kryer me 1 korrik të këtij viti.

Investimet

Sipas tij, këto fonde janë rezultat i një performance financiare më të mirë nga ç’ishte parashikuar, të cilat burojnë nga miradministrimi i borxhit dhe interesave të borxhit, si dhe nga ruajtja e fondit të kontigjencës. “Në fillim të vitit 2008, Fondi i Kontigjencës është fondi që ruhet për problemet madhore që mund të krijohen gjatë vitit. Në fillim të vitit 2008, FMN-ja dhe ne ishim dakord të rrisnim fondin e kontigjencës për të gjitha eventualitetet e mosrealizimeve apo problemeve të papritura që mund të krijoheshin. Nga ky fond, 4.2 miliardë lekë kanë mbetur të paprekura dhe ky është një zhvillim shumë pozitiv”, - deklaroi ai në mbledhjen e djeshme të qeverisë. Ai tha se 2 miliardë lekë janë realizuar nga miradministrimi interesave të borxhit qeveritar dhe 1.2 miliardë lekë nga shkurtimi i shpenzimeve për personelin dhe shpenzimeve të tjera. Ai konfirmoi se do të bëhen zhvendosje fondesh nga disa projekte në projekte të tjera. Zyrtarisht, deri në fund të muajit nëntor, investimet e parashikuara në buxhetin e këtij viti janë realizuar në masën 88 për qind dhe përfaqësues të qeverisë thonë se deri në fund të dhjetorit ato do të arrijnë në masën 98%. Por, ritmi i investimeve në disa sektorë si, shëndetësia dhe arsimi, ka qenë në nivele mjaft të dobëta. Vetëm për 10-mujorin e parë të këtij viti, investimet në shëndetësi arritën në 28%, ndërsa ato në arsim në 55%. Duke parë ritmin e ulët, qeveria është detyruar të zhvendosë fondet në projektet brenda sektorëve, një praktikë që është ndjekur çdo vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›