Përkujtohet me dy libra poeti Agim Spahiu
Poeti Agim Spahiu u përkujtua dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Këtë përvjetor të 15 të vdekjes të afërmit dhe miqtë e përkujtuan me publikimin e dy veprave, monografia “Agim Spahiu, metafora e lirisë së munguar” dhe ribotimi i vëllimit me poezi “Njeriu mbi pikëllimë”. Monografia është konceptuar si një album ku njerëz që e kanë njohur Spahiun dhe veprën e tij kanë shprehur opinionet dhe kujtimet e tyre. Sabri Hamiti, Novruz XH, Shehu, Izet Duraku, Visar Zhiti janë disa nga emrat që kanë hedhur kujtimet e tyre në këtë libër.
Ndërsa “Njeriu mbi pikëllim” është ribotim i versionit të parë të publikuar në vitin 1993. Kjo vepër përmban poezi të zgjedhura të autorit të cilat trajtojnë tema të ndryshme si liria, dashuria dhe mosha. Miqtë e tij nuk e cilësojnë “poet disident”, pasi për ta Agimi shkroi vetëm për njeriun universal. Më e pranueshme për të ishte të mos jetoje se sa të mos dije të jetoje.
Agim Spahiu u lind në fshatin Kolesjan të Kukësit. Kreu studimet e larta për gjuhë-letërsi në Shkodër. Ai ka botuar përmbledhjet me poezi “Lirisë”, “Duart e punës”, “Vjen një moshë”, “Këngë për Hasin e bardhë”, “Të jetosh me ty”, etj.