E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bizneset, ndarje e re sipas xhiros dhe punonjësve

Ligji parashikon ndryshime në numër të punonjësve dhe xhiros vjetore, si dhe statusit ligjor

TIRANË- Klasifikimi i bizneseve në vendin tonë do të pësojë një ndryshim rrënjësor. Ndryshimet përfshijnë strukturën dhe statusin e tyre. Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi disa dje disa ndryshime në ligjin “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të njohura gjerësisht si SME. Kështu, për herë të parë futën koncepte si, “mikrondërmarrje” dhe “ndërmarrje autonome”. Në ndryshimet e bëra në ligj, klasifikimi do të bëhet në varësi të numrit të të punësuarve dhe xhiros vjetore. Kështu, mikrondërmarrje do të konsiderohen të gjithë ato biznese që kanë të punësuar deri në 9 punonjës dhe shënojnë një bilanc vjetor më të vogël se 10 milionë lekë. Ndërmarrje të vogla konsiderohen ato, të cilat kanë 10 deri në 49 të punësuar dhe një bilanc, i cili në fund të vitit shënon më pak se 50 milionë lekë. Ndërsa sipas ndryshimit më të fundit, ndërmarrje të mesme konsiderohen ato, të cilat kanë nga 50 deri në 249 të punësuar dhe një bilanc vjetor më të vogël se 250 milionë lekë. Sipas përfaqësueses së Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Tefta Demeti, këto ndryshime bëhen në kuadrin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian. Po ashtu, si arsye tjetër e ndryshimeve të këtij ligji, Demeti numëroi edhe ardhjen në ndihmë të ndërmarrjeve shqiptare, për të bërë të mundur thithjen e donacioneve nga skema e BE-së për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. “Këto ndryshime në ligj bëhen me qëllim përafrimin e statusit të ndërmarrjeve shqiptare me ato evropiane dhe me qëllim përfitimin e këtyre ndërmarrjeve nga skema e Bashkimit Evropian për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, - deklaroi Demeti.

Statusi

Për sa i përket statusit të tyre, sipas ndryshimeve në ligj, ndërmarrjet kategorizohen në autonome, partnere dhe të lidhura. Ndërmarrje autonome konsiderohen ato që janë totalisht të pavarura dhe nuk kanë në bordin e tyre asnjë investitor, i cili ka lidhje me ndërmarrje të tjera. Një ndërmarrje e tillë mund të ketë disa investitorë, por me kusht që, secili nga ata, të mos posedojë më shumë se 25 % të kapitalit të saj. Sipas ligjit, nëse ndërmarrjet janë të lidhura ose partnere me njëra-tjetrën, numri i punonjësve dhe bilanci vjetor sipas të cilave bëhet edhe kategorizimi i tyre, do të merret si i tërë për të dyja. Ndërmarrjet janë të lira të deklarojnë statusin e tyre, përfshirë edhe të dhënat mbi numrin e të punësuarve dhe të ardhurave vjetore. Kjo deklaratë është e pranueshme edhe në rastet kur kapitali është i shpërndarë në atë mënyrë që nuk është e mundur të përcaktohet se nga kush zotërohet. Në këtë rast, ndërmarrja mund të deklarojë, në mirëbesim, se as ajo dhe as ndonjë ndërmarrje e lidhur me të, nuk zotëron 25 % apo më shumë të kapitalit. Në përfundim të parashtrimit të propozimeve të Ministrisë së Ekonomisë, për sa u përket ndryshimeve në këtë ligj, Demeti siguroi të pranishmit se këto ndryshime nuk mbartin pasoja fiskale për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. E.Senja

Kategoria                        Nr. Punonjësve        Xhiroja vjetore

Mikrondërmarrje               0-9 punonjës             Më pak se 10 mln lekë

Ndërmarrje të vogla         10-49 punonjës          10-50 mln lekë

Ndërmarrje të mesme       50-249 punonjës        Më pak se 250 mln lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›