E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiunët, diskutimi në Kuvend deri në 01.00. Shtyhet për të hënën

 TIRANË- Parlamenti shtyu për të hënën e ardhshme miratimin e të ashtuquajturit ligji për dosjet, pas më shumë se 7 orë diskutime që zgjatën deri në orët para të mëngjesit të sotëm.

Drafti për dosjet ka sjellë debate të ashpra deri mbrëmë vone, ku diskutimi për këtë projektligj ka vazhduar deri në orën 1 pas mesnate, ndërkohe që opozita ka braktisur këtë proçes. Ashtu dhe sikundër pritej, seanca e djeshme, për shkak të vet ndjeshmërisë që krijon një çështje tillë si ajo e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit ka shkaktuar një përplasje të fortë mes pozitës dhe opozitës, ç’ka ka shkaktuar dhe largimin e kësaj të fundit nga salla.

 Ka qenë kryeministri Berisha ai që ka hapur debatin lidhur me këtë draft, ku në një fjalë të gjatë ka shpjeguar se ai nuk synon hakmarrje politike, por pastrim të të gjithë administratës publike, duke filluar që nga posti më i lartë shtetëror, që është Presidenti i Republikës dhe deri tej Drejtorët e gjimnazeve. Për këtë arsye, ai ka ftuar opozitën që ta trajtojë ligjin si një moment pendese në respekt të vuajtjes së të gjithë atyre individëve që u vranë dhe u përndoqën nga sistemi i shkuar vetëm për shkak të bindjeve të tyre politike “Sot është moment pendese. Pas këtij ligji do vijë ligji i dytë, i Institutit të Kujtesës Kombëtare”, - tha Berisha, i cili gjatë fjalës së vet nuk ka nguruar që të sulmojë hapur në emër individë që sot janë në Prokurorinë e Përgjithshme, siç është rasti i prokurorit të çështjes “Gërdeci” apo në Gjykatën Kushtetuese siç është rasti i Fehmi Abdiut.

Ndërkohë që në emër të opozitës ka folur vetëm kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj e cila duke e cilësuar projektligjin si të njëanshëm, i ka bërë thirrje kreut të mazhorancës që ta tërheqë atë për ta konsultuar edhe një herë me asistencën ndërkombëtare. “Në emër të grupit parlamentar të PS-së ju kërkoj të tërhiqni projektin, të konsultohet me ekspertë të Këshillit të Europës dhe OSBE/ODHIR. Në rast të kundërt, ne nuk do bëhemi pjesë e këtij procesi për një ligj antikushtetues”,- tha Leskaj, duke paralajmëruar njëkohësisht se në të kundërt PS do ta çojë ligjin në Kushtetuese. Pas deklaratës së Leskajt, deputetët e PS-së braktisën sallën në pritje të një reagimi pozitiv nga ana e mazhorancës, e cila ka vijuar debatet deri pas mesnatës.

Drafti

Me anë të këtij ligji çdo person që mban një funksion të lartë duke filluar që nga kreu i shtetit, deputetët, ministrat, zëvendësministrat, funksionarët politikë, drejtorët e përgjithshëm të ministrive, anëtarët e KLD-së, prokurorë, gjyqtarë dhe drejtuesit e lartë në polici dhe në ushtri do ti nënshtrohen verifikimit të figurës së tyre nëse kanë mbajtur në të shkuarën e tyre një nga postet që kanë luajtur një rol të drejtpërdrejtë në ndjekjet dhe persekutimet në sistemin e shkuar, ose kanë hartuar politikat përkatëse. Interesant është edhe fakti se listës së profesioneve që do të verifikohen i janë shtuar edhe drejtorët e gjimnazeve dhe shkollave të mesme teknike.

Ndërkohë që në listën e funksioneve të papajtueshme janë përfshirë të gjitha pozicionet e larta të sistemit komunist, por duke u përjashtuar pozicionet e ministrave (ministri dhe zëvendësministri i Brendshëm nuk përfiton nga ky përjashtim) dhe sekretarëve politikë nëpër rrethe. Për këtë të fundit jo të gjithë deputetët e mazhorancës kanë qenë dakord. Kështu deputeti Dashnor Sula është shprehur edhe në seancë kundër këtij lëshimi. Ligji përcakton gjithashtu edhe të drejtën e të gjithë qytetarëve shqiptarë për tu njohur me faktin nëse kanë dosje ose jo, si dhe me përmbajtjen e tij, por jo me emrat e persekutorëve. Ligji do të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari që kanë qenë pjesëmarrës në strukturat politik-bërëse gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›