E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dostojevski në fatin e një përkthyesi

Romani “Net të bardha” i Fjodor Dostojevskit u përkthye në shqip nga Islam Spahiu në vitet shtatëdhjetë. Në dosjen hetimore të shqiptarit që vuajti 12 vjet heqje lirie, emri i autorit rus shtoi peshën e fajit. Dorëshkrimi shpëtoi. Botohet pas dyzet vjetësh

Kryeveprat e letërsisë botërore janë bërë shpesh burim për kinematografinë. Romani “Net të bardha” i Fjodor Dostojevskit është një ndër to, madje ekranizimi rus i kësaj vepre është shfaqur në kinematë në Tiranës në fillim të viteve 60. Bie poshtë ajo që shumë nga ne dinë për qarkullimin e veprës së Dostojevskit apo masën e ndalimit të saj nga sistemi i censurës në regjimin e kohës.

Personazhet e “Netëve të bardha” nuk qenë ogur i mirë si për aktorët e filmit, edhe për përkthyesin e romanit në gjuhën shqipe, Islam Spahiun. Aktori kryesor në rolin e ëndërrimtarit, realizoi vetëm këtë rol në jetën e tij. Vdiq pas xhirimeve. Ndërsa Islam Spahiut fati i rezervoi diçka tjetër. Kjo histori e fatit të tij ka lidhje edhe me emrin e Dostojevskit, e pikërisht me “Net të bardha” e botuar së fundi nga “Argeta-LMG”.

Në kohën kur nisi të përkthejë atë histori dashurie, Islami ishte një djalosh në rrjedhën e kohës që besonte në ndjenjat dhe veprat ideale. Kurioziteti e çoi drejt takimit me këtë vepër. Ia kishte kapur syri në një cep të studios së piktorit Edison Gjergo. Ishte ky – Gjergo, një nga ata që e rrëmbeu vala e dënimeve në masë që u bënë në art dhe në kulturë në vitet shtatëdhjetë – që i propozoi Islamit ta përkthente, thjesht sa për ta dëgjuar në shqip. Ra në dashuri me punën e Dostojevskit dhe ambicja i thoshte të përsoste atë nivel amator të përkthimit të tij me shpresën se një ditë vepra do të botohej.

Nuk ishte (dhe nuk është) e lehtë puna me Dostojevskin. Mësuesit të vizatimit do t’i vinte në ndihmë nëna e një nxënësi, Ollga Eftimofskaja. Ishte një nga ruset e shumta që erdhën në Shqipëri që pas revolucionit bolshevik. Duke qenë se rridhte nga një familje aristokrate, një grua mendjehapur, Ollga u bë një urë lidhëse për përkthyesin shqiptar me autorin rus dhe në veçanti me “Net të bardha”.

Ky është një roman që i kushtohet tërësish botës së brendshme të një 27-vjeçari që e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës i vetmuar, në ëndërrime. Një mbrëmje ai takon Nastjenkën, vajzën që po vuante nga një brengë e madhe dashurie dhe ëndërrimtari mundohet t’ia lehtësojë barrën. I gjithë romani përshkohet nga mendime dhe veprime të sinqerta, gjuhë e një dashurie që është harruar të flitet në kohën tonë.

E thjeshtë dhe e ëmbël vjen edhe në shqipen e Islam Spahiut. (“Net të bardha” ka dhe një përthim tjetër në shqipe, nga Aurel Plasari).

Nuk ishte e lehtë në vitet ’70 të gjeje një makinë shkrimi, megjithatë ia doli. Ishte pikërisht ky version i daktilografuar që i shpëtoi kontrollit dhe sekuestrimit “të provave të fajit” në shtëpinë e Islamit. Tregon: “Kopjen e daktilografuar e kisha harruar në dhomën e nënës time. Kur erdhën për të më arrestuar i morën të gjitha shkrimet, por fatmirësisht nuk kontrolluan në dhomën e saj.”

Kështu shpëtuan “Netë të bardha” derisa i zoti i punës u kthye nga vitet e gjatë të burgut politik. Sigurisht që ato “net” dhe autori i tyre nuk ishin arsye kryesore në akuzën dhe në dënimin e tij, por ishin pretekst, si shumë “kleçka” të tjera që këtij lloji që kërkoheshin me këmbëngulje kur donin të dënonin. “Vepra nuk u konsiderua reaksionare por frymëzuese e dëshirës për lot. Në procesin gjyqësor perzonazhi kryesor i Dostojevskit u cilësua një qaraman, që nuk edukonte. Kjo për sa i përkiste veprës së shkruar, pasi filmi ishte shfaqur ndërkohë në kinema dhe për të nuk ekzistonte një mendim i tillë.” Megjithatë në vitin 1970 Islam Spahiu u dënua me 12 vite burg për agjitacion dhe propagandë.

Dostojevski do të mbetej për të shkrimtari i shpirtit njerëzor, edhe atëherë kur shkruante për një vrasës. “Personazhet e tij nuk ndriçohen nga drita e jashtme por theksohen nga një dritë e brendshme që u del nga shpirti.”

Ishte një kohë kur letërsia e huaj mund të lexohej në dy mënyra. Mund të njiheshe me autorë botërorë nëpërmjet përkthimit sipas ideologjisë së kohës ose të mësoje një gjuhë të huaj dhe t’i lexoje (gjithnjë në mundje) në origjinal. Të zgjidhje shtegun e dytë do të thoshte veç të tjerash edhe frikë. Nëpërmjet kësaj mënyre Islami mori si shumë të tjerë atë pjesën që ishte e palejueshme, “mollën e ndaluar”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›