9 programe të reja studimi në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë
Në Universitetin “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës, pritet të çelen së shpejti 9 programe të reja studimi, të cilat do të shtojnë numrin e diplomave që jep ky institucion i arsimit të lartë. Rektori i Universitetit të Vlorës, prof.Tanush Shaska, tha se "janë hartuar programet përkatëse dhe është aplikuar për miratimin e tyre pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ku realizohet edhe vlerësimi përkatës. Mes programeve të reja, që synojmë të çelim në vitin e ardhshëm akademik, përfshihen diploma e integruar në inxhinieri elektrike dhe financë, diploma të nivelit të parë në fizikë, kimi, biologji, shkencat kompjuterike, arkeologji, histori dhe turizëm kulturor”, sqaron prof. Shaska. Sipas tij, synimi për çeljen e tyre jo vetëm pasuron numrin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Vlorës, por zgjeron dhe përmirëson ndjeshëm kapacitetet që do të furnizojnë tregun e punës, në përputhje me standardet dhe dinamikën e zhvillimit të tij. "Kjo është pjesë e strategjisë së stafit të ri drejtues të Universitetit të Vlorës, për transfomimin e tij, në një institucion arsimor bashkëkohor", theksoi refktori Shaska. Programet e reja të studimit që priten të miratohen nga MASH, u shtohen atyre që janë miratuar tashmë, prej më shumë se një viti në këtë universitet, ku përfshihet edhe programi i doktoraturës, në matematikë dhe masteri i nivelit të parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë. Me përfundimin e studimeve të nivelit master, studentët përfitojnë diplomë “Master i nivelit të parë(MNP), në mësuesi”, për ciklin e lartë të arsimit bazë. Programet e studimit, zgjasin për një periudhë 1 vjecare dhe, ato realizohen me 60 kredite. Në Universitetin “Ismail Qemali”, në qytetin e Vlorës, studjojnë aktualisht rreth 15000 të rinj e të reja, të cilët përfitojnë 21 diploma, ndërkohë që funksionon edhe Shkolla Pasuniversitare.
...