E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta kundër korrupsionit, Ina Rama: Kemi ngritur 6 struktura të reja “Task Force” në rrethe

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, vlerësoi sot punën e bërë nga struktura "Task Force" në Tiranë për luftën kundër krimit ekonomiko- financiar dhe korrupsionit dhe njoftoi ndërkohë krijimin e  6 strukturave të reja të saj në rrethet e tjera.  Gjatë konferencës së organizuar në "Hotel Sheraton", me rastin e dy vjetorit të krijimit të kësaj strukture, kryeprokurorja Ina Rama tha se rezultatet e sukseshme të arritura nga "Task Force" kanë pasur ndikim në rritjen e besimit të publikut. Gjithashtu, ajo shprehu konsiderata për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të angazhuara pranë kësaj strukture, që funksionon në prokurorinë e Tiranës, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si "shumë të mirë". Mbështetur në eksperiencën e kësaj strukture, Prokurorja e Përgjithshme,  Ina Rama, njoftoi  ngritjen e 6 strukturave të reja "Task Force" edhe në prokuroritë e rretheve të tjera. Struktura "Task Force", u ngrit para dy vjetësh  në prokurorinë e Tiranës, falë mbështetjes së Ambasadës amerikane në Tiranë, dhe pjesë përbërëse e saj  janë specialistë të Ministrisë së Financës, Ministrisë së Brendshme,  Prokurorisë së Përgjithshme dhe Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH). Sipas të dhënave zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme,  gjatë vitit 2008 "Task Force" në prokurorinë e Tiranës ka patur nën hetim 336 procedime penale me 280 të pandehur, nga të cilat 137 procedime kanë për objekt hetimi krimet në fushën e korrupsionit dhe abuzimit në detyrë të funksionarëve të administratës publike, nga të gjithë nivelet.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›