92-vjetori i Tiranës kryeqytet, Rama: Festojnë ata që e penguan dhe vodhën barbarisht
Tirana feston 92-vjetorin e shpalljes si kryeqytet gjatë ditës së sotme. Kryeministri Berisha u shpreh me këtë rast, se Tirana është kthyer sot në zemrën dhe trurin e kombit, por mbi të gjitha ajo mbetet ëndrra e të gjithë shqiptarëve.
Përzgjedhja e Tiranës si kryeqytet ishte një nga aktet më madhore në përpjekjet e shqiptarëve për të krijuar një shtet të lirë. 92 vjet më parë, Sulejman Delvina, Ahmet Zogu dhe anëtarë të tjerë të Kongresit të Lushnjes morën një nga vendimet më të mençura të të gjithë historisë sonë, vendimin për ta bërë Tiranën kryeqytet të shqiptarëve, tha Berisha.
Më tej ai vijoi duke thënë: Tirana ra në kthetrat e një grupi, një bande barbare, e cila u izolua në Bllok dhe nuk u integrua kurrë në zemrat e tiranasve. Por në rastin e parë që iu dha, Tirana përmbysi diktatorin dhe i dha partinë e parë demokratike Shqipërisë.
Duke iu drejtuar kryebashiakut Basha, Berisha tha seTirana pret dhe unë jam i bindur se ju me përkushtimin më të madh me ekipin tuaj do bëni fillimin e saj të dytë të madh, të cilat fatkeqësitë politike ja mohuan asaj.
Pas deklaratave të Berishës dhe Bashës ka reaguar edhe kreu i opozitës, Edi Rama, që ka thënë se sot festojnë ata që e kanë penguar dhe vjedhur në mënyrë barbare Tiranën.
Festojnë 92 vjetorin e Tiranës kryeqytet ata që e penguan barbarisht për synime politike e pastaj ia vodhën votat ditën për diell. Hipokrizia në pushtet!, shprehet Rama.