99, 99%-shat
Mes përshëndetjeve dhe urimeve entuziaste natën e Vitit të Ri për të ardhmen tonë të ndritur “pa viza” në Evropë në mes të 2010-ës, (me shpresë të Zotit, inshallah!), që na bënë udhëheqësit tanë të lartë, pas vizitave të tyre mbresëlënëse në maternitetin e Tiranës (që kushedi pse mban emrin e mbretëreshës Geraldinë, a thua se ajo ka lindur aty!) e më pas, edhe në zonat e përmbytura në Lezhë e në Shkodër, pas këngëve dhe humorit të bollshëm, teksa në furrë po piqej kurbani i gjelit të detit, patëm fatin të dëgjojmë edhe disa thënie qytetarësh të Tiranës. Keta u pyetën se si e shpjegonin zgjedhjen e kryetarit të PD-së me 99.99% të votave në Kongresin e partisë përkatëse...Kurse një tjetër intervistë e ngjashme ishte edhe nëse ata do të pranonin, po t’u rrezikohej jeta, gjak nga gjaku i Edi Ramës...”Kuuuuurrë! Më mirë le të vdes!”, - deklaruan disa syresh me bindje qëndrestari që i ngjan përbetimit që bënin pionierët e skeçeve heroike kur armiku u vinte tytën e pushkës së drunjtë në kokë dhe i urdhëronte të shkelnin kapelën me yll të partizanit... E paskësaj nuk ke si t’u shmangesh pyetjeve retorike që e bëjnë pluhur e hi edhe humorin më të spikatur të shakaxhinjve tanë nëpër TëVëra: Cilët jemi ne, shqiptarët e vitit 2010 apo shqiptarët e ‘44-ës?...çfarë jemi ne, si mendojmë ne, kundër kujt jemi ne, me kë tallemi ne, me kë jemi ne, me partizanët apo me ballistët, me njëri-tjetrin apo edhe kundër vetes, me Shqipërinë apo me ikjen përgjithmonë prej saj? Ku po shkojmë, dreqi e mori? Në Evropë apo në Azi? Pse sa dalim nga një përmbytje, gjendemi në një tjetër llumhanë? Përse sa shpëtojmë nga një diktator biem në karikaturën e një tjetri diktator?...Përse disa ndër ne pranojnë me qejf e pa ngurrim që jo vetëm gojën, po edhe trurin ta bëjnë një uturak propagandistik?...Përse, përse....?! Vetëm ne shqiptarët e Ballkanit nuk u kemi dhënë përgjigje këtyre pyetjeve kaq të thjeshta; ndoshta ngaqë, me sa duket, ne kemi qenë e kemi mbetur 99-shat e fundit të Evropës! *** Ndërsa pyetjes së parë (pse dhe si doli kryetar Berisha në kongresin e PD-së me 99.99%), shumica, duke e parë kamerën drejt e në sy, shqiptuan zëplotë se Berisha meritonte jo aq, po edhe më shumë vota, pra mbi 100%, madje edhe mbi 400%, se ai ishte Skënderbeu ynë, se ishte demokrat dhe se prandaj ai në asnjë mënyrë nuk mund të krahasohej me diktatorin, i cili në kohën e vet merrte po aq vota, kurse Berisha është ai burrë që na solli liri-demokracinë bashkë me këto ditë kaq të lumtura që ne gëzojmë sot etj, etj... Këto përgjigje të sinqerta nuk u dhanë në ndonjë mejhane të Laprakës a të Bathores, as pas avujve të rakisë në natën e Vitit të ri, po në mes të ditës, në rrugët kryesore të Tiranës, në dritë të diellit, para gjithë shqipfolësve këtu e më tëhu, në diasporë...Nuk ka rëndësi nëse ca ndër ne tjetër thonë në kamera e tjetër mendojnë; rëndësi paskan zërat që në kor përbëjnë atë që quhet opinion publik! Me dhe mbi këtë lloj “opinioni publik” po qeveris e po këndon majekrahit e majë plehut tonë mediatik Sali Berisha! Sigurisht që në botë, e jo vetëm tek ne, ka jo pak të tillë njerëz trushkulur e trushpëlarë që nuk e kanë për gajle e për marre të thonë edhe para kamerave të tilla broçkulla, të cilat mund të shërbejnë si lëndë e parë për skeçet dhe gazmoret e Vitit të Ri. Në botën e sotme ka edhe kamikazë, ka edhe skllevër, ka edhe militantë, ka edhe fanatikë, edhe mercenarë, edhe analfabetë, edhe të currufjepsur!...Por sa na takon ne shqiptarëve mund të thuhet se ne duhet të na kishin mbetur shumë më pak të kësollojtë (që thonë e bëjnë atë që nuk e mendojnë e nuk e dëshirojnë), sepse nuk e kemi dhe aq të largët kohën kur, në votimet e bëra në diktaturë, para se të shpallej me bujë rezultati i 99,99%-shit, dilnin përherë njerëz të zellshëm e fanatikë që thoshin me gëzim “votat tona plumb për armikun!”...Edhe këta, po të pyeteshin nga ndonjë kronist nëse do të pranonin të merrnin gjak nga gjaku i Hrushovit apo i Niksonit, shumëkush me siguri nuk do të ngurronte të deklaronte me të njëjtën krenari: kuuuuurrë, më mirë le të vdes! Si shpjegohet atëherë kjo dukuri e njëjtësuar, pavarësisht se, si thuhet rëndom: “sistemi tashmë ka ndryshuar” dhe se njerëzit tani janë të lirë? Një përgjigje e atypëratyshme mund të jetë kjo: sepse ky është një “gen” i trashëguar nga diktatura, andaj marrosja kolektive pas udhëheqësit legjendar mbin më kollaj edhe se virusi i derrit në këtë shoqëri e në këtë taban që ne e quajmë atdhe...E, për këtë shkak, mesa duket, qenka tejet e vështirë që ky “virus” të ndryshojë kahje vetvetiu dhe për gati 20 vjet... Por a është vërtet kështu dhe a mjafton ky justifikim?A thua te ketë edhe në vitin 2010 qytetarë që pranojnë të vdesin, mjaft që të mos marrin gjak nga gjaku i armikut të partisë? *** ”Demokracia kërkon kohë të instalohet”, dhe “ne nuk kemi trashëguar kulturë demokratike”, etj, këto thënie të përsëritura analistësh të bëjnë të besosh se ndoshta nuk ia vlen të trajtohet dhe aq seriozisht kjo kategori e prapambetur njerëzore që pranon kësisoj verbërinë e vet, pasi këta, njëlloj si në kohën e diktaturës, edhe në këtë të sotmen, dëshmojnë me vullnet të lirë e me zërin e tyre se dëshirojnë të jenë, të mbeten apo të bëhen “mish për top”, duke u vetëtransformuar me dëshirë e qejf në një plastelinë të mirëfilltë politike... Por fakti që këta njerëz, mesa duket, nuk janë të paktë, derisa tjetërsohen në votë shumice, jo vetëm në zgjedhjet partiake, po edhe në zgjedhjet politike, do të thotë se dukuria në fjalë, apo më sak, kjo sëmundje sociale meriton vëmendjen dhe pyetjet e mëposhtme, edhe pse dramatike: si, pse dhe qysh ndodh me ne dhe vetëm tek ne kështu? Përse jo vetëm njëherë e jo vetëm në një rast ne, edhe kur e ndjejmë që po gënjehemi, edhe pse e dimë që po mashtrohemi, prapë votën e japim për të sjellë në pushtet berishistët? Përse dehja nga narkoza që na japin sovranët nëpërmjet mediave na del vetëm kur këta bien nga kali, apo, qoftëlarg, kur ata ikin përfundimisht nga kjo jetë? Nuk është hera e parë që e shtrojmë këtë pyetje që ka mbetur pa përgjigje; por fakti që kjo dukuri, në vend që të kurohet, po bëhet si një lloj pandemie mbarëkombëtare, besoj se ia vlen barra qeranë të zbulohen disa nga shkaqet më të spikatura të këtij infeksioni masiv që ka shkatërruar e po degradon dita ditës marrëdhënien tonë me shtetin, me pushtetin dhe me të zgjedhurit tanë...Për të kuptuar këtë “virus” ndoshta nuk është e nevojshme të shkohet larg, në kohën e Enverit, kur edhe ata që pushkatoheshin, disa syresh para vdekjes thërrisnin: Të rrojë partia dhe shoku Enver! Por le të vijmë në Gërdec, kur me bujë e mburrje u tha se edhe ata që u hodhën në erë votuan për PD-në dhe Berishën! Gjykoni p.sh, edhe përmbytjet që u bënë ditët e fundit në Lezhë e në Shkodër. Sikur të bëhen zgjedhje të parakohshme në pranverë, prapëseprapë këta banorë do të votojnë në shumicë për Berishën....Përse? Sepse fajin nuk e paskan hidrovoret, as kanalet e kullimit, as mungesa e investimeve, apo, më keq akoma: bërja e tyre rrush e kumbulla! Madje nuk e ka fajin as uji që u derdh nga digat e hidrocentraleve pikërisht në kohën e përmbytjeve nga shirat, po fajin e paska...e paska ”ngrohja globale”, shkrirja e akujve në Polin e Veriut! Domethënë nuk e ka fajin “qeveria ime”, nuk e ka fajin ai që të përmbyt, sepse, ashtu si në Kanun, ai që të vret, kur të vjen në mort, duhet të trajtohet si mik...Ndaj propaganda intensive që përballoi “me sukses” masakrën e Gërdecit ishte: vërtet në Gërdec “ndodhi një incident” tragjik, por ama rëndësi kishte fakti i pamohueshëm që qeveria e “menaxhoi shumë mirë situatën!”...Ndaj, vërtet po përmbytet Lezha, Shkodra, Lushnja, Fieri e Berati, po ama fajin nuk e ka qeveria, aq më pak Berisha që po na vjen me çizme e kokore e po na qan hallet! Edhe në rastin e përmbytjeve, rëndësi më të madhe po merr fakti që Berisha nuk shkon nëpër kazino kur bëhen përmbytje e ndodhin fatkeqësi, po të vjen në mort e të premton se...se sivjet ne do të marrim vizat!...Pra, më tepër se fatkeqësia, fukarallëku dhe mizerja, rëndësi ka shpresa dhe ëndrra që na jep si narkozë Berisha jo një herë në ditë, por disa herë në ditë: në mbledhje qeverie, në maternitete, në azile, në jetimore, nëpër rrugë, në foltoren e Kuvendit, nëpër studio televizive, në takime me të huaj, në konferenca shtypi, ku dhe kur të mundë... Ky udhëheqës i palodhur dhe i pangopur me kamerat dhe me veten herë paraqitet entuziast e herë i pikëlluar samëska kur shfaqet dhe u thotë jo vetëm të përmbyturve, por gjithë shqiptarëve se, nëse jemi keq tani për tani nga fatkeqësitë e papritura natyrore (d.m.th, jo për faj të tij!), nesër do të jeni të lumtur, se rrogat e pensionet do të rriten si askund në Evropë, se ne kemi rritjen më të lartë ekonomike në botë, se ja, dëgjoni e shikoni o milet, “qeveria ime” ka ndërmend të ndërtojë veç rrugës së kombit, edhe diga madhështore që do të mbajnë larg baticat e detit, tamam si në Holandë!...Pra, ju sivjet vërtet u përmbytët, vërtet ju mori edhe lumi, po edhe deti, po ama në vitet që do të vijnë do udhëtoni pa viza, d.m.th, do të jetoni të lumtur e të qetë tamam si në Holandë!...Nuk ka demagog më të babëzitur e më të paturpshëm se Berisha! Falë nepsit të tij të pashembullt për podiume, për kamera, për mikrofona, për mitingje, për fjalime e premtime, ai po ndjehet edhe i pamposhtur, edhe i papërballueshëm! Të gjithë diktatorët një gjë e dinë fort mirë: nuk ka ushqim më dehës për një të uritur se aroma e bukës së pjekur kur vjen nga vitrina e një furre buke...Asgjë nuk të trullos, të huton e të shastis më shumë se propaganda intensive, e përditshme me gënjeshtra e me iluzione për të shtypurit, për të varfrit, për të prapambeturit, për të pangopurit, për të pakulturuarit, për të pashpresët, për të braktisurit dhe fatkeqët! Derisa këta të jenë në një shoqëri shumicë (duke e nxjerrë rezultatin në mos 99,99%, mbi 50%) kështu ka për të ndodhur: gënjeshtrat dhe mashtrimi kanë për të prodhuar me shumicë pushtete okulte, të cilat më pas do të shpërndajnë falas shpresën si një rrenë të vërtetë që nesër, -inshallah!- do të bëhet realitet! Hiqu diktatorëve dhe demagogëve këtë “armë” dhe keni për të parë se si do të funksionojë mbas sodit demokracia! Edhe qytetarët më të vobektë do ta kuptojnë se si ngjajnë dhe se si e kanë fytyrën e vërtetë udhëheqësit tanë “legjendarë”...Kur këta mbeten pa maskë në fytyrë, pa pushtet dhe, natyrisht, edhe pa kamera....ata ngjajnë ...ata edhe nga varri zhvarrosen!...Gjeni pra në këto gati 100 vjet-shtet një udhëheqës që të mos jetë zhvarrosur, natyrisht përveç Skënderbeut, Ali Pashës, I.Qemalit dhe Hoxhës!