E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha heq ditët e pushimit “ekstra”

TIRANE-Qeveria e kryeministrit Berisha shton një festë zyrtare, si atë të 8 dhjetorit, por shfuqizon rregullin e vendosur nga qeveria e kryeministrit Fatos Nano, që nëse këto festa takojnë të jenë në fundjavë, pushimi shtyhet. Berisha ka hequr paragrafin, aq shumë të kritikuar nga opinioni publik kur u ndryshua ligji më 2004: “Kur ditët e festave zyrtare të mësipërme bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi do të jenë ditët pasardhëse të punës”. Tani ky paragraf nuk ekziston më, se me ndryshimin që u miratua më 23 dhjetor 2009, në ligjin e paraqitur në parlament ishte caktuar pika 2: “Paragrafi i fundit, i nenit 1, shfuqizohet”. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, i ndryshuar nga qeveria shqiptare dhe miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 23 dhjetor të 2009, nuk do të ketë më shtyrje të ditëve të pushimit për administratën. Hyrja në fuqi parashikohet të bëhet 15 ditë pas botimit në fletoren zyrtare dhe pritet që shumë shpejt edhe ky ligj të hyjë në fuqi. Pushimet e fillimvitit për administratën janë bërë sipas ligjit të vjetër, i cili përcakton që më datat 1 dhe 2 janar të jetë pushim. Meqë data 2 janar i takoi e shtunë, administratës shtetërore iu shty pushimi edhe një ditë, ajo do ta fillojë pikërisht sot punën. Ndërkohë që me rregullin e ri, nëse do të kishte hyrë në fuqi, administrata shtetërore do të dilte në punë që ditën e hënë. I njëjti rregull do të ndiqet edhe për festat fetare, që janë konsideruar si festa kombëtare nga ligji i vitit 1992, i cili është ndryshuar disa herë, ku veçse janë shtuar ditët e festave kombëtare. Dy festat kombëtare, 28 dhe 29 Nëntori, këtë vit takojnë të jenë njëra e shtunë dhe tjetra e diel, por pavarësisht kësaj, administrata do të dalë në punë të hënën. Kryeministri Berisha, pikërisht më 8 dhjetor të 2009, në festën e organizuar me rastin e Ditës së Rinisë, ku përkujtohen ngjarjet e vitit 1990, e kryesisht Lëvizja Studentore, e shpalli këtë ditë si festë kombëtare. Një shpallje e tillë u bë realitet pak ditë më vonë në mbledhjen e radhës së qeverisë, pikërisht më 23 dhjetor të këtij viti dhe u kalua menjëherë për miratim në parlament. (d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›