Kombëtarja B në Turqi, Bakaj shkëlqen ditën e parë
ANTALIA- Trajneri i kombëtares Josip Kuzhe e ka nisur me dy seanca stërvitore në ditë grumbullimin e ekipit kombëtar në Antalia të Turqisë. Paraditen e së hënës, kroati ka zhvilluar një mbledhje të gjatë për t’u shpjeguar lojtarëve qëllimet e këtij grumbullimi, nga i cili ai kërkon të gjejë të paktën 2-3 emra premtues për të ardhmen. Në seancën e pasdites, kuqezinjtë kanë zhvilluar një mini ndeshje stërvitore, ku kanë shkëlqyer Elis Bakaj me dy gola dhe Gjergji Muzaka me një tjetër. Ndërkohë, është caktuar edhe ndeshja e parë miqësore, që do të jetë ajo me Adanasporin ditën e mërkurë. Bëhet fjalë për një klub të kategorisë së dytë turke, gjë që do të thotë se Kombëtarja “B” nuk do ta ketë aspak të lehtë. Stafi kuqezi në Turqi ka bërë të ditur se një tjetër miqësore mund të luhet më 9 janar, por ende nuk është caktuar kundërshtari. Në grumbullimin një javor që ka nisur në Turqi, trajneri Josip Kuzhe kërkon të shohë nga afër disa nga futbollistët më të spikatur të kampionatit shqiptar. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)