Dinamo blen Timpanaron, ish-sulmues i Velezit
TIRANE- Ndonëse e mbylli pjesën e parë të sezonit me një rekord pikësh, 42 pas 17 javësh, Dinamo duket skuadra më aktive në merkaton e futbollit shqiptar. Blutë kanë arritur të nënshkruajnë të hënën me sulmuesin argjentinas Maksimiliano Timpanaro, një 21 vjeçar që ka luajtur edhe në kategorinë e parë të këtij vendi me skuadrën kampione në fuqi Velezin. Ai është 1 metër e 71 centimetra dhe është argjentinasi i pestë që bëhet pjesë e bluve. Timpanaro nuk ka patur shumë hapësira në klubet e mëparshme dhe është kjo arsyeja kryesore përse ka zgjedhur Shqipërinë. Ardhja e tij do të thotë se sulmuesi Sebino Plaku, do të largohet nga blutë. Ndërkaq, te skuadra kryeqytetase kanë ardhur për t’u provuar edhe mbrojtësi serb Vladimir Ivanoviç së bashku me mesfushorin shqiptar Semirjano çela. Trajneri Shkëlqim Muça do të ketë mundësi t’i shohë ata në grumbullimin dy javor në Turqi. Dinamo do të udhëtojë të mërkurën drejt Antalias, ku do të zhvillojë fazën përgatitore të dimrit. Pas 17 javësh kampionat, blutë mbeten skuadra më e fortë, duke arritur 13 fitore, 3 barazime dhe vetëm 1 humbje. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)