Reforma në drejtësi, PS mbledh Asamblenë
TIRANE-PS-ja ka vendosur që kontributin e saj si për zgjidhjen e krizës ekonomike, ashtu edhe për reformën në Drejtësi ta bëjë përmes rekomandimeve dhe sugjerimeve në distancë drejtuar Qeverisë. Gazeta Shqiptare ben te ditur se pas Asamblesë Kombëtare të 16 dhjetorit që ju dedikua tërësisht ekonomisë, pritet që së shpejti, një tjetër mbledhje asambleje t’i dedikohet çështjeve ligjore. Dhënia e një përkufizimi konkret se si duhet të funksionojë një shtet ligjor apo se cila do të ishte mënyra më e mirë e funksionimit të marrëdhënieve të institucioneve të drejtësisë me pushtetin politik, pritet të jenë në qendër të ideve që socialistët do të përpunojnë. Nderkohe e gjithe situata e krijuar mes dy forcave politike, por edhe një sërë ligjesh të miratuara në Parlament apo ende në diskutim, pritet të merren në analizë, ashtu si edhe rekomandimet e një sërë institucioneve ndërkombëtare të cilat kanë prekur situatën në Shqipëri.Nderkohe ende nuk është menduar një datë për hyrjen në Kuvend, për sa kohë nuk është pranuar kushti për hapjen e kutive, ndaj edhe diskutimet e deputetëve të PS-së do të mbeten në nivelin partiak. Megjithatë, ende nuk dihet nëse një grup deputetësh do të thyejnë këtë bojkot në ditët e para të këtij muaji, siç ka deklaruar ditë më parë një prej tyre, Marko Bello.(d.b/GSH/BalkanWeb)