E Shtunë, 31 Tetor 2026

I riu anglez u masakrua për grabitje, prangosen autorët

LEZHË – Më në fund zbardhet fati tragjik i shtetasit anglez, i cili është masakruar disa javë më parë nga dy të rinj shqiptarë për motive grabitjeje. Burimet zyrtare të policisë së Lezhës bëjnë të ditur se pas identifikimit të kufomës së gjetur mbrëmjen e së martës në fshatin Mal Shëngjin të Rrethit të Lezhës, e cila i përkiste shtetasit Eduard Craynorne, mbrëmë policia ka ndaluar të rinjtë Arlind Vukaj 20 vjeç dhe Mario Pjetrushin, 18 vjeç, të dy të lindur dhe banues në Shëngjin. Burimet bëjnë të ditur se ata dyshohet se janë autorët kryesorë të grabitjes dhe më pas të masakrimit të 23-vjeçarit anglez, i cili është denoncuar pak ditë më parë në emisionin “Njerëz të humbur”. I riu nga Britania e Madhe ishte hedhur në një pus në fshatin Mal Shëngjin. Trupi i tij u gjet rastësisht nga dy të rinj teksa po ruanin bagëtitë, dy ditë më parë. Por vetëm dje në mëngjes është bërë e mundur që të identifikohet. Burimet zyrtare të policisë bënë të ditur se kufoma i përket shtetasit anglez Eduard Craynorne. Sipas këtyre burimeve, ekzaminimi i kufomës është bërë me vështirësi, mbrëmë, rreth orës 19.00, nga nëna dhe motra e viktimës. Pjesëtarët e familjes Craynorne janë shoqëruar gjatë gjithë ditës së djeshme nga stafi i “Njerëz të humbur”. Policia e Lezhës filloi operacionin për gjetjen e autorëve të krimit që më 3 shkurt 2008, ditë kur familjarët kanë kryer denoncimin në polici. Më pas, ato denoncuan edhe në emisionin e “Vizion plus” për humbjen e të afërmit të tyre. Të njëjtat burime saktësojnë se pas hetimeve intensive, ku janë marrë në pyetje më tepër se 40 persona në lidhje me këtë vrasje, janë ndaluar dy autorët e dyshuar. Ata janë shtetasit Arlind Vukaj 20 vjeç dhe Mario Pjetrushi 18 vjeç, të lindur dhe banues në Shëngjin. Nga të dhënat e para mësohet se i riu britanik ka qenë në plazhin e Shëngjinit dhe më pas është takuar me dy të rinjtë, të cilët fillimisht e kanë mashtruar dhe më pas kanë tentuar ta grabisin. Sipas të dhënave në grupin hetimor, dy të rinjtë më pas e kanë masakruar. Në mënyrë që të zhdukin gjurmët, ata e kanë hedhur në pusin e ujit disa metra të thellë në fshatin Mal Shëngjin. Por, krejt rastësisht, ai është gjetur nga dy të rinj që ruanin bagëtitë. Të nxitur nga era e keqe që kanë ndjerë, ata kanë shkuar në pus ku kanë parë kufomën. Kaq ka mjaftuar që policia të nisë hetimet dhe më në fund të identifikojë kufomën. Gjatë ditës së djeshme për rreth 12 orë kanë punuar ekspertët më të mirë të Ministrisë së Brendshme së bashku me ekspertët vendorë, të cilët kanë arritur në përfundim pas fakteve të dhëna nga e motra dhe e ëma e viktimës. Pa kaluar as katër orë, forcat policore ndaluan edhe dy autorët e dyshuar për vrasjen e tij. Tashmë ndaj Arlind Vukajt dhe Mario Pjetrushit rëndon akuza e “vrasjes për motive grabitjeje”.

Borxhet, vetëvaret biznesmeni në Laç

LAÇ – I ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur me një tel korrenti në ballkonin e shtëpisë së tij. Dyshohet se borxhet kanë qenë shtysa kryesore për të ndërmarrë vendimin fatal. “Shkëlqim Hasolli nga qyteti i Laçit është vetëvarur në banesën e tij, në Lagjen Nr. 4 të qytetit të Laçit”, - bëjnë të ditur burimet policore. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm dhe vetëm në mbrëmje është zbardhur nga ekspertët e krimeve. Asnjë nga familjarët nuk e ka vënë re të zotin e shtëpisë, i cili në mbrëmjen e së martës ka shkuar të flejë në dhomën e gjumit, ndërsa në mëngjes krevati i tij ka qenë i boshatosur. Fëmijët nuk e kanë vënë re “humbjen“ e babait, pasi ai duke qenë se ishte biznesmen dilte çdo ditë herët në mëngjes pa u zgjuar fëmijët. Pas orës 7. 30 të mëngjesit kanë qenë fqinjët ata që kanë dhënë alarmin teksa kanë parë 40-vjeçarin të varur në litar. Policia e Kurbinit nuk ishte njoftuar nga familjarët, të cilët kanë nxituar të fshehin vetëvarjen e të afërmit, por hetimet dhe dëshmitë e banorëve në qytet kanë bërë që uniformat blu të mbërrijnë në mbrëmje në banesën e viktimës dhe të kryejnë këqyrjen e kufomës. Sipas burimeve policore, mësohet se Shkëlqim Hasolli është vetëvarë. Nga të dhënat në grupin hetimor mësohet se shkak mund të kenë qenë borxhet që Hasolli mund t’u kishte të tjerëve. Ndërkohë, hetimet nuk kanë përjashtuar as pistat e tjera.

Arrestohet për mashtrim, u mori 3600 euro për dy viza

KORÇË - Policia e Korçës prangosi një 25-vjeçar pasi akuzohet për “vjedhje me anë të mashtrimit me viza greke”. Burime zyrtare të policisë thanë se është arrestuar shtetasi Eduard Dervishi, 25 vjeç, banor i fshatit Plasë në Rrethin e Korçës. Sipas burimeve të policisë mësohet se 25-vjeçari ka mashtruar dy persona nga të cilët ka përfituar shumën prej 3600 eurosh kundrejt premtimit për nxjerrjen e vizave në Konsullatën e Përgjithshme Greke në Korçë. Ai është denoncuar nga dy personat që kanë paguar shumën e të hollave, por nuk janë pajisur me vizat e premtuara. Burime të policisë së Korçës thanë se janë denoncuar për këtë lloj mashtrimi me viza greke edhe tre persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim nga policia.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›