“Qiriri i ndezur” prangos bandën vlonjato-fierake
Asgjësohet grupi kriminal me aktivitet 10-vjeçar. Shtatë veta në pranga. Bllokohen 284 kg marijuanë
VLORË – Bashkëpunimi i strukturave policore shqiptaro-italiane ka çuar në asgjësimin e një bande të organizuar në trafikimin e drogës dhe armëve mes dy vendeve. Mbrëmjen e së martës janë arrestuar 7 persona, ndërsa dy të tjerë janë në kërkim, të gjithë anëtarë të një grupi që ushtronte aktivitetin e tij prej 10 vjetësh dhe shtrihej në rrethet e Vlorës dhe të Fierit. Mbrëmjen e së martës me dhjetëra forca policore i kanë dalë përpara një furgoni me targa FR7493B, në karrocerinë e të cilit ndodheshin 283 kg Canabis. Kaq ka mjaftuar që të sekuestrohej malli dhe një sasi armësh, si dhe të ndaloheshin personat e implikuar në këtë trafik. Po të martën në mbrëmje, në brigjet e Vlorës është shfaqur një gomone, e cila dyshohej se vinte nga Italia dhe merrej me trafikimin e lëndëve narkotike mes dy vendeve. Por kësaj radhe forcat policore shqiptare dhe të Guardia Di Financës kanë dështuar në kapjen e skafistit.
Operacioni “Qiriri i ndezur”
Drejtori i policisë së qarkut të Vlorës, komisar Vehbi Bushati, bëri të ditur të mërkurën në një konferencë për shtyp detajet dhe bilancin e këtij operacioni që u shtri në disa rrethe të vendit dhe u finalizua me sekuestrimin e disa armëve dhe municioneve, sekuestrimin e 284 kg marijuanë dhe arrestimin e 7 personave. Sipas Bushatit, në përfundim të operacionit “Qiriri i ndezur” u arrestuan në kushtet e flagrancës shtetasit David Islamaj, 36 vjeç, nga fshati Drashovicë (Vlorë), Erion Dulaj, 30 vjeç, nga Vlora, Edison Begaj, 28 vjeç, nga fshati Kaninë (Vlorë), Eduard Marku, 32 vjeç, nga Kavaja, Sokol Cimili, 25 vjeç, nga fshati Dërmënas (Fier), Albert Brahimaj, 36 vjeç, nga Vlora, si dhe Brahim Cimili, 52 vjeç, nga fshati Dërmënas (Fier). Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit Azem e Ali Cimili, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Komisar Bushati sqaroi se “gjurmimi dhe hetimi për këtë grup kishte nisur në muajin dhjetor të vitit të kaluar, por gjithçka u finalizua mesnatën e së martës, në fshatin Dërmënas të rrethit të Fierit, ku u kapën dhe u seksuestruan në cilësinë e provës materiale 284 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë, e paketuar në 9 pako të mëdha. Droga ishte vendosur në automjetin “Ford”, me targa FR7493B, në pronësi të shtetasit Azem Cimili". Po ashtu, brenda automjetit u gjetën dhe u sekuestruan 5 armë zjarri automatike, një pistoletë model 54, 9, krëhëra automatiku, një arkë me fishekë model 56, njëzet granata luftarake ofensive, 100 ndezësa detonatorë, etj. Sipas Bushatit, lënda narkotike, armët dhe municionet luftarake kishin si destinacion grupet kriminale italiane. Në vazhdim të hetimit, policia sekuestroi një automjet “Fuoristradë” tip “Mitsubishi”, si dhe tre automjete të tjera. “Në realizimin me sukses të këtij operacioni u aplikuan të gjitha format bashkëkohore të investigimit të krimeve, ndërkohë që u bashkëpunua edhe me shërbimet homologe italiane që ndihmuan në hetimin e kësaj ngjarjeje”, - nënvizoi Bushati. Ekspertët e policisë zhvilluan hetime në rrethet e Vlorës, Lushnjës, Fierit dhe Kavajës për zbulimin e grupit kriminal.
Zhduket gomonia italiane
Bushati shtoi se pjesë e operacionit gjatë së martës në mbrëmje ishte dhe ndjekja në hapësirën detare e një mjeti lundrues tip gomone që vinte nga Italia për të trafikuar lëndën narkotike dhe armët e sekuestruara. Por, megjithë përpjekjet e mjeteve të “Guardia di Finanzas” me ato të Drejtorisë së Policisë së Kufirit, gomonia arriti të largohej. Nga të dhënat paraprake mësohet se mjeti lundrues i trafikantëve italianë ishte i përmasave të mëdha dhe i pajisur me katër motorë me një fuqi të përgjithshme 500 kf. Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit të Vlorës për veprën penale të trafikimit të narkotikëve dhe të trafikimit të armëve dhe municionit luftarak.
TË ARRESTUARIT
David Islamaj, 36 vjeç, Vlorë
Erion Dulaj, 30 vjeç, Vlorë
Edison Begaj, 28 vjeç, Vlorë
Eduard Marku, 32 vjeç, Kavajë
Sokol Cimili, 25 vjeç, Fier
Albert Brahimaj, 36 vjeç, Vlorë
Brahim Cimili, 52 vjeç, Fier
NË KËRKIM
Azem Cimili, Fier
Ali Cimili, Fier
"Gjuetia malore": Tre në pranga, tentuan të kalojnë 30 kg Canabis drejt Greqisë
GJIROKASTËR - Policia e Gjirokastrës gjatë operacionit "Gjuetia malore" bllokoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës 30 kg lëndë narkotike të llojit Canabis sativa, si dhe ndaloi tre adoleshentë. Gentian Mullai, zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, tha se gjatë këtij operacioni, i cili u organizua në fshatin Bularat të komunës së Dropullit të Sipërm, rreth 25 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës, u bllokua një sasi lëndësh narkotike si dhe u ndaluan në flagrancë tre adoleshentë, 18-vjeçari K. Ll., 17-vjeçari V.Rr. dhe 16-vjeçari P .K., të tre lindur dhe banues në qytetin e Gjirokastrës. Sipas policisë lokale, lënda narkotike ishte e futur në dy çanta shpine me ngjyrë të zezë dhe ishte e paketuar në pako njëkilogramëshe, në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban me ngjyrë kafe. “Nga ana e policisë së Gjirokastrës po punohet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve kryesorë të këtij trafiku në të dyja anët e kufirit, pasi personat e kapur ishin transportues të kësaj lënde narkotike”, - tha Mullai, duke nënvizuar se ndalimi i tre të rinjve u bë për veprën penale të “trafikut të lëndëve narkotike”.
21 Shkurt 2008