Denoncimi, prangoset 23-vjeçari për shfrytëzim prostitucioni
ELBASAN – Një denoncim i bërë nga një 19-vjeçare është shkas për arrestimin e një të riu në orët e para të mëngjesit të së mërkurës pasi akuzohet për shfrytëzim për qëllime prostitucioni ndaj të miturave. Burime të policisë bënë të ditur se është prangosur Elvis Cani, lindur e banues në lagjen ''Skënder Libohova” të qytetit të Lushnjes. Sipas burimeve të policisë lokale, mësohet se 23-vjeçari Cani ka qenë një herë i dënuar dhe arrestimi i tij u bë në bazë të kallëzimit që ka bërë shtetësja me iniciale Q.P., lindur në Elbasan. Ky shtetas u arrestua pasi nga viti 2003 deri në vitin 2006 ka shfrytëzuar për përfitime me anë të prostitucionit 19-vjeçaren me iniciale Q.P, në Tiranë, Lushnje dhe Durrës, e cila në ato vite ka qenë e mitur. Mësohet se arrestimi i 23-vjeçarit u bë në qytetin e Elbasanit, ku ai ndodhej përkohësisht. I ndaluari aktualisht ndodhet në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Elbasanit, në pritje të hetimit për konsumimin e veprës penale “shfrytëzim prostitucioni për përfitim”.
Tenton të marrë peng ish-të fejuarën, shpallet në kërkim
DURRËS - Forcat e policisë po punojnë për kapjen e një 26-vjeçari, i cili një ditë më parë ka tentuar të marrë me forcë nga banesa ish-të fejuarën e tij. Burime zyrtare nga drejtoria e policisë së qarkut bënë të ditur se ka nisur procedimi penal në mungesë ndaj shtetasit Bledar Hilla, 26 vjeç, lindur e banues në Lagjen Nr.10 të qytetit bregdetar. Procedimi penal ndaj këtij shtetasi filloi për arsye se dyshohet se në bashkëpunim edhe me dy persona të tjerë, rreth orës 14.00 të ditës së martë, në Lagjen Nr.1 në qytetin e Durrësit, ka tentuar të marrë me forcë 20-vjeçaren V.Xh., ish-e fejuara e tij. Burimet thanë se ky shtetas më pas dyshohet se ka kërcënuar nëpërmjet telefonit edhe të vëllain e vajzës. Burimet thanë se po punohet për kapjen e shtetasit Bledar Hilla dhe identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të tij. Materialet proceduriale, për veprat penale të tentativës së “heqjes së paligjshme të lirisë në bashkëpunim” dhe kryerjes me keqdashje të thirrjeve telefonike, i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Durrësit.
Digjet me benzinë makina e kryekomunarit
KRUJË - Persona ende të paidentifikuar kanë djegur qëllimisht automjetin e kryetarit të Komunës së Cudhisë, në rrethin e Krujës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Durrësit bënë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01.30 të ditës së mërkurë, në fshatin Ndojë. Sipas të njëjtave burime, mësohet se automjeti tip “Benz”, me targë KR 55 92 A, në përdorim të kryetarit të komunës, ndodhej në një garazh ku persona ende të paidentifikuar e kanë djegur me benzinë. Burimet thanë se policia po punon për të identifikuar autorët si dhe për të zbardhur motivet e kësaj ngjarjeje.
Dy të plagosur, makina bie në humnerë nga rrëshqitja në akull
MIRDITË – Dy persona janë plagosur rëndë teksa po udhëtonin me mjetin e tyre drejt Mirditës si pasojë e rrëshqitjes në rrugën e mbuluar nga akulli. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se aksidenti ndodhi afër orës 9.00 të mëngjesit, në afërsi të lokalit “Shqiponja”. Fuoristrada me targë TR 5744 J, që drejtohej nga Abaz Marku, devijoi nga rruga për shkak të akullit të krijuar nga temperaturat e ulëta të natës duke rënë në greminë nga një lartësi prej 50 metrash. Dy personat që kanë qenë në makinë, drejtuesi i automjetit dhe një pasagjer, Mark Jaku, banor në qytetin e Rubikut, kanë mundur të shpëtojnë mrekullisht edhe pse makina është shkatërruar thuajse e tëra. Kanë qenë disa pemë në të pjerrtën e thiktë që e kanë ndalur makinën për të mos rënë në ujërat e ftohta të lumit Fan. Falë tyre, dy udhëtarët kanë mundur të dalin nga automjeti, duke marrë plagë të lehta. Disa kalimtarë të rastit u kanë ardhur në ndihmë duke i dërguar në urgjencën e Spitalit të Rrëshenit, ku gjenden nën observimin mjekësor jashtë rrezikut për jetën edhe pse me trauma e fraktura të shumta. Burimet në policinë e qarkullimit bëjnë të ditur se gjithçka ka ardhur për shkak të akullit që krijohet në atë aks rrugor të rrezikshëm, buzë lumit Fan.
21 Shkurt 2008