E Diel, 1 Nëntor 2026

A do kemi një kritikë që t’i shërbejë industrisë?!



Në një treg ku rrumpalla të lodh dhe nuk shihen qartë se cilat janë kushtet dhe kriteret e një loje të pastër biznesi, siç është industria televizive, është e vështirë të marrim një realitet vlerash. Mendja e parë është kopjimi i shëmtuar dhe mungesa totale e asaj që po flasim si industri televizive. Nëse dy kamera, një prezantuese që i duhet të ndërrojë garderrobën si “sfidë” e teknologjisë përbëjnë ligjësinë e “kutive” në vend, atëherë i bie që të shtypen tek e kuqja pultet nëpër shtëpi.

Nëse pretendojmë t’i afrohemi industrisë televizive, që paramendon teknologjinë, vlerat reale burimeve njerëzore, të atyre që prodhojnë ide të spektaklit, programeve dhe emisioneve do mund t’i shihnim më qartë, si kriter tregu.

Por kush na e garanton këtë? Labirinti i TV-ve shqiptare është krejt i pakapërcyeshëm, i errët, saqë dhe vetë ata ndoshta nuk e dinë se për ku shkojnë.

Qoftë kjo për arsye financiare (si më e rëndësishmja), por edhe për shkak të një tregu që është i mbingopur me tallavanë televizive, pa kuptuar se çfarë aspirojnë me të vërtetë këto televizione. Kjo nuk ndodh vetëm për botën e spektaklit, por dhe në emisionet që japin çdo ditë mjaft prej tyre, apo linja e programacionit që nuk heq asgjë më shumë nga paralelet e ngjashme që shohin ekranet tek fytyra e njëri-tjetrit.

Numërohen me gishta disa ndryshime, këto në minorancë, për të dalë nga banalja televizive, sidomos në botën e spektaklit, një industri që nuk po ecën mbi këmbët e veta deri tani, që nuk ofrojnë një realitet praktik, dhe mental të jetës shqiptare. Por kjo nuk ndodh vetëm tek “kutia” - në përgjithësi tek ne ripërsëriten epokat e absurdit, mungesë komunikimi në raport me kohën.

Për këtë arsye, ndoshta e gjejmë me vend prezantimin që iu bë, dje, një reviste të re në treg, që quhet “Akt” - me pretendimin e ngritjes së një akademie të vlerësimit vjetor të radio-televizioneve.

Nëse ky ent nuk merr përsipër të kuptojë labirintet e kutisë, por t’i imponojë publikut edhe më magjinë e saj, qoftë përmes nostalgjisë, apo rievokimit të televizioneve, si situata lirie, atëherë do dyshonim pa mëdyshje se ky mund të jetë një truk për t’i mbajtur në këmbë anët më skandaloze të këtij vendi pa asnjë mision. Apo do kemi një shërbim servil, hipokrit, imponues – një imazh që e ka ndarë prej kohësh publikun nga njohja reale, çfarë hyn në termin profesional, kritikën.

Por nëse emrat që na serviren aty, do ta marrin seriozisht çështjen e kritikës televizive për të pohuar pse shpesh mbetemi mbrapa, pse plagjojmë, pse gjuha shkon nga ja ka qejfi, pse kultura bëhet tallava, pse kjo kuti na heq mendjen, por dhe na “helmon” - për gjitha arsyet e mësipërme, por dhe shumë të tjera që lidhen me tregun, me të drejtat e autorëve, me ngritjen e një sistemi vlerash - në kontekstin e një industrie – atëherë kësaj reviste që na ofrohet, e përtremuajshme kritike, do t’i referoheshim plot etje me dëshirën për të pasur për herë të parë një jetë profesionale të kësaj natyre botimi. Revista kushton 5 euro dhe njihet si botim i Institutit Shqiptar të Kulturës dhe Arteve, që njohim si themelues Xhevdet Ferrin, aktualisht drejtor i QKK-së, por ka si drejtore bashkëshorten e tij Rozeta Ferrin, një aktore shpesh në tentativë për aktruar, por që gjithnjë ka qenë një zyrtare pranë Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, ose siç njihet gjerësisht në emërtim, në Piramidë.

Po ashtu revista në faqe të parë ka një shënim se botimi i saj u bë i mundur në sajë të kontributit të kompanisë “Digitalb” dhe mbështetjes së Ambasadës Amerikane. Ky botim është luksoz dhe si fillim era e letrës tërheq rëndë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›