Të injoruar nga kinemaja!
Kinemaja shqiptare nuk e do filmin për fëmijë. Të orientuar pas interesave komerciale, regjisorët nuk e shohin të arsyeshme të shpenzojnë para, kohë dhe mendime për të prodhuar një produksion filmik, me metrazh të gjatë, apo qoftë edhe të shkurtër. Shkaku që regjisorët tanë, pas viteve ‘90 mbajnë një qëndrim indiferent kundrejt prodhimit të filmit për fëmijë, është mospasja e një garancie suksesi në treg të lirë. Ky është shqetësimi që ngre edhe regjisori dhe presidenti i “Giffoni Shqipëria”, Namik Ajazi, të cilin ai e shikon me një këndvështrim më optimist. “Kundrejt formateve të prodhimit të filmit për fëmijë nuk ka pasur asnjë lloj vëmendjeje dhe përqendrimi për t’i trajtuar. Regjisorët e rinj, të dalë në treg pas viteve ‘90 e kanë parë si një gjini pak të mundshme për të pasur sukses, ndërkohë që unë nuk mendoj aspak kështu. Po të hidhet një sy për nga prodhimet e studiove më të mëdha dhe në vende më të zhvilluara se ne, vërejmë një përqindje të konsiderueshme të prodhimeve për fëmijë”, - shprehet regjisori Ajazi, i cili e ilustron këtë çështje edhe me faktin që rreth 1800 filma të prodhuara çdo vit nga vende të ndryshme të botës shkojnë për t’u seleksionuar tek “Giffoni”, prej të cilëve zgjidhen vetëm 36 prej tyre. Është fjala për “Giffoni” “mëmë” në Itali, siç e quan ai. Ajazi bën një lloj apeli që produksionet filmike për fëmijë duhet të gjejë më shumë mbështetje nga prodhuesit shqiptarë, duke marr shkas edhe nga niveli i këtyre filmave nëpër vende të ndryshme. “Prodhimi i filmave për fëmijë është në sferën e momenteve më të mira nëpër botë, kështu që edhe ne duhet të arrijmë të tilla stade”, - thotë ai.
Djali i gjakut
Duke parë indiferencën e filmit për fëmijë në Shqipëri dhe rëndësinë e ndikimit tek brezi i së ardhmes, “Giffoni film festival” në bashkëpunim me qendrën kinematografike kombëtare po përgatit një film me metrazh të gjatë për fëmijë. “Djali i gjakut”, me regji të Ruzhdi Pulahas, ka në fokus plagën e rëndë të shoqërisë, gjakmarrjen. Ngujimi i një numri të madh fëmijësh në rang kombëtar edhe pse jetohet në shekullin XXI, përbën shqetësimin më të rëndë për bashkëprodhuesit, subjekt që pritet të trajtohet në filmin e ri “Djali i gjakut”, për të cilin thuhet se do jetë gati vitin që vjen. “Besoj se shoqëria shqiptare, si të gjitha vendet e tjera ka shqetësime të shumta për fëmijët, brezin e ri. Unë shpresoj që me filmin e parë që kemi zgjedhur, merr spunto nga gjakmarrja, nga ky fenomen i rëndë dhe i tejkaluar në kohë, i cili nuk u jep mundësinë fëmijëve të shkojnë në shkollë, të jetojnë jetën e tyre normale, pasi janë të detyruar të mbrohen nga një kod, sa anormal, aq edhe i vjetër i këtij zakoni tepër të rëndë, gjakmarrja”, - pohon Ajazi, i cili shton se ky është shqetësimi që do të ngrejë bashkëprodhimi i “Giffoni”-t në rolin e bashkëfinancuesit si edhe QKK-së për të afruar më pas edhe prodhues të tjerë. Sipas regjisorit, projekti i filmit është miratuar nga bordi i qendrës kombëtare të kinematografisë qysh në prill, duke marrë një pjesë të mbështetjes. Por kjo është e pamjaftueshme në realizmin e filmit. “Ne po kërkojmë që përpos “Giffoni production”, që është një filial i “Giffoni film festival”, të mundësojmë edhe pjesëmarrjen e producentëve të tjerë për të bërë të mundur realizmin sa më të mirë të filmit. Dihet që buxhetet e filmit janë shuma që shkojnë pesë herë më shumë sesa mbështetja që akordon shteti shqiptar nëpërmjet QKK-së”.
Regjisori Namik Ajazi vë theksin edhe në probleme të tjera që prekin fëmijët shqiptarë, tematika që shërbejnë si lëndë për skenarë filmikë. “Ka shumë probleme të tjera që kanosin të gjithë shoqërinë sot, si raportet me prindërit, me shoqërinë e re të tregut, që tek ne ka një zhvillim të përditshmen dhe dinamik, marrëdhëniet me këtë “bum” të madh informacioni, siç është dixhitalizimi, informatika dhe problemet e mëdha që kanë me përvojën seksuale, drogën, dhunën në familje aty ku ajo ekziston e drama të tjera që çdo shoqëri po i kalon në ditët e sotme. Këto janë probleme sociale që gjejnë pasqyrim tek skenaristët, regjisorët për t’i përfshirë në filmat e tyre, ashtu siç gjejnë pasqyrim në gjini të tjera të artit dhe letërsisë”, - thotë regjisori.
“Giffoni Shqipëria”, edhe në Tiranë
Pas një turi në qytetet kryesore, “Giffoni Shqipëria” mbërrin edhe në kryeqytet. Në konferencën e djeshme për shtyp, organizatorët kanë bërë një bilanc të këtij festivali në pesë vjet të zhvillimit të tij. Për tri ditë, “Giffoni Shqipëria” do të shfaqë në kinema “Millenium” filma me metrazh të gjatë e të shkurtër, për kategoritë e moshave 12-25 vjeç dhe 15-19 vjeç. Çmimet do të ndahen mbrëmjen e 28 tetorit, ora 18:30 në një ceremoni të madhe në Teatrin e Operës dhe Baletit. President i “Giffoni Shqipëria”, Namik Ajazi, e cilëson pozitiv bilancin në këto pesë vite festival. “Bilanci është pozitiv, pasi kemi prekur qytetet kryesore të Shqipërisë, kemi përfshirë në këtë magji të madhe të ekranit rreth 35 mijë fëmijë të dy grupmosha, të shkollave nëntëvjeçare dhe të gjimnazeve në të gjithë republikën, kemi mundësuar që të çojnë rreth 220 e ca fëmijë në edicionin e “Giffoni”-t mëmë në Itali dhe 15 fëmijë kanë pasur mundësi të ndjekin këtë edicion në Hollivud, në perandorinë e kinemasë botërore”, - tha ai. Ndërkohë që drejtori artistik i “Giffoni Film Festival” në Itali, Claudio Gubitosi, tha se “tashmë “Giffoni” është një aktivitet që mund ta quajmë publik sepse mbështetet nga të gjitha institucionet, nga Presidenti ynë i Republikës që do të vijë zyrtarisht në “Giffoni” për të celebruar 40 vjet histori”.
Gubitosi tha se këtë përvjetor, pra kur festivali mbush 40 vjet nga dita e krijimit, do të respektohet nga instancat më të larta politike edhe të vendit të tij - përveç faktit se çdo vit numëron mijëra fëmijë që duan të marrin pjesë në jurinë e këtij festivali. “Nuk ka gjë më të bukur se një mikpritje e familjeve ku shkojnë këta fëmijë, që i duan dhe bëhen pjesë e familjes”. Ajo çfarë shikohet si dukuri sociale nga ky festival është fakti se fëmijët kanë njohur eksperienca të tjera, fëmijë të tjerë, kultura të tjera dhe duke u krijuar një faltore kulturore, ku ka respekt për zakonet, kostumet, integrimin, respekt fetar etj. Sipas drejtorit artistik të festivalit, kjo është fytyra tjetër e “Giffoni”-t, jo vetëm spektakël, jo vetëm kinema, jo vetëm harmoni, por ka edhe një pjesë sociale që shkon përtej gjithçkaje. “Pesë vjet “Giffoni Shqipëria” tregon se ky festival mirëpritet këtu”, - e mbyll fjalën e tij, në Tiranë Gubitosi.
Kryeministri Berisha pret drejtorin e Festivalit të Filmit “Giffoni”
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim të përzemërt drejtorin e Festivalit të “Giffoni”-t, zotin Claudio Gubitosi, i cili shoqërohej nga drejtori i festivalit "Giffoni Albania", zoti Namik Ajazi. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen zotit Gubitosi dhe shprehu vlerësimet e tij për organizimin e këtij aktiviteti kaq prestigjioz edhe në vendin tonë, siç është Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Fëmijë “Giffoni”. Kryeministri Berisha theksoi se ky eveniment është një shprehje e rëndësishme e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe një panoramë serioze e arritjeve të filmit për fëmijë dhe një rast shumë i mirë për shkëmbimin e eksperiencave dhe traditave mes të rinjve dhe fëmijëve nga e gjithë bota. Drejtori i Festivalit të “Giffoni”-t, zoti Claudio Gubitosi, u shpreh mjaft i kënaqur për këtë takim, si dhe për faktin që ky takim koicidonte me 40-vjetorin e Festivalit të Filmit “Giffoni” dhe me 25-vjetorin e aktivitetit të këtij festivali në Shqipëri. Zoti Gubitosi e falënderoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen që qeveria shqiptare ka dhënë dhe do të japë për këtë eveniment kaq të rëndësishëm kulturor dhe formues në vendin tonë, si dhe shprehu gatishmërinë për të çuar më tej lidhjet e ngushta dhe bashkëpunimin në kuadër të këtij aktiviteti të përvitshëm.