Një performancë “alla Jackson”, një biletë premiere dhuratë
Pak ditë pas ofertës prej 100 biletash që kinema “Millennium” dhuroi me një çmim mjaft të mirë për fansat e mbretit të popit, kërkesat e shumta të publikut shqiptar çuan deri në ezaurimin e plotë të premierës botërore në Tiranë. Vetëm pak vende kanë mbetur të lira për mbrëmjen e 28 tetorit, në seancën e orës 20:30, kur do të shfaqet premierë dokumentari i shumëpritur “This is it”. Ndërkohë kinema “Millennium”, duke iu përgjigjur interesimit të publikut ka lënë të hapura edhe prenotimet apo shitjet për datën 29 tetor e në vijim, kur dokumentari do të shfaqet në të gjitha seancat.
Por “Millennium” ka menduar të sjellë ofertën e saj të radhës për këtë premierë. Dhe oferta i drejtohet pikërisht fansave të këngëtarit. Secili prej tyre që ka dëshirë të performojë si Michael Jackson para premierës, më 28 tetor, do t’i dhurohet bileta e premierës, (duke iu rimbursuar bileta e blerë më parë).
Premiera e “This is it” është krejt ndryshe nga premierat e realizuara deri më sot nga kinema “Millennium”. Ndryshimi i saj qëndron në nivelin botëror të projeksionit të parë, ku përfshihet edhe kryeqyteti shqiptar, një tjetër ndryshim ka të bëjë me konceptimin e saj, pasi këtë herë premiera është e hapur për të gjithë ata që e dëshirojnë, ashtu sikundër edhe muzika e Michael Jackson ishte e të gjithë publikut në mbarë botën. Nga ana e saj, kinema “Millennium” mirëpret të gjitha format e homazheve që fansat do të dëshirojnë të bëjnë para premierës. Natyrisht nëse do të ketë grupe të organizuara që kanë dëshirë për të realizuar diçka në mbrëmjen e 28 tetorit, ata duhet të kontaktojnë më parë me drejtues të kinemasë, për të mundësuar realizimin e suksesshëm të idesë së tyre.