E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të hapen dosjet e të kapurve nga shërbimet e huaja sekrete?

Nga Izet SHEHU
Hartimi në mënyrë të përsosur i Katovicës nga Ramiz Alia dhe shpura e tij ka si zanafillë përgatitjen e një kontigjenti të rinjsh, të rekrutuar nga demonët e Sigurimit të Shtetit dhe të shpërndarë në sektorë të ndryshëm të veprimtarive sociale dhe ekonomike të vendit.
Këta të rinj, kryesisht me vese shoqërore të spikatura dhe prirje karrieriste perverse, e përqafuan me zell këtë program. Mos të harrojmë se në vitet 1989-1990 e gjer në mars të vitit 1991 ky kontigjent u aktivizua në formacione pro e kundër ndryshimeve të mëdha. Disa prej tyre, në mos shumica, të indoktrinuar gjer në palcë, sqenë në gjendje të kuptonin thelbin e këtij ndryshimi, por një gjë u ishte ngulitur në tru: komunistët kurrë nuk e lëshonin realisht pushtetin, fiktivisht po. Ndaj dhe u hodhën pa rezervë në këtë Lëvizje. Disa me komunistët e disa me neokomunistët. Komunistët në qershor, me një të rënë të gongut, u konvertuan në socialistë. Pra, nga të kuq në rozë. Ndërsa grupi tjetër nga të kuq në blu. Këtu, për hir të vërtetës, të grumbulluar edhe pronarët e ligjshëm e ish- të përndjekurit politik, por këta u përdorën si garniturë, sa për tu hedhur hi syve të huajve dhe për të përmirësuar imazhin e tyre në popull. Që në fillim, u bënë përpjekje për ti eliminuar dosjet e sigurimit, pra, dosjet e bashkëpunëtorëve. U hapën fjalë se natën në bodrumet e Ministrisë së Brendshme po bëhej eliminimi i tyre. Nga Degët e Brendshme bëhej transportimi i dosjeve drejt qendrës. Në ikje e sipër, nga pakujdesia apo nga djallëzia u gjetën ndër raftet e shkalafitur lista me emra dhe pseudonimet përkatëse. Kryesisht ndër to gjendej emri i ndonjë informatori ekonomik apo i ndonjë të përndjekuri politik me qëllim keqdashës. Ka të ngjarë që disa nga këto lista të jenë shkruar nxitimthi nga operativë që endeshin në korridoret e Ministrisë së Brendshme apo të Degëve të saj ndër rrethe. Sipas ish- Kryeministrit, Aleksandër Meksi, në shkrimin Emrat e fshirë në dosjet e Sigurimit po citojmë: Sipas një urdhri të qeverisë u inventarizuan si dosjet, ashtu edhe regjistrat, por në regjistrat e agjenturës ishin fshirë 542 emra për interesa të mbrapshta, në mënyra të ndryshme (gërvishtje, zhgaravitje, me bojë të bardhë).
Nga shkrimet e lexuara për bëmat famëkeqe të Sigurimit dhe për dosjet e bashkëpunëtorëve të tyre, kam konsoliduar bindjen se, sado që ndër vite, që nga 1991 e deri më sot, janë munduar individë të veçantë apo të organizuar për ti eliminuar, fshirë apo shkarravitur ato, nuk ia kanë arritur qëllimit. Rrallë, rrallë për ndonjë demon të fuqishëm, por edhe për të, diku ka mbetur gjurma e ndonjë thoi. Nuk po flas për ata që kanë bërë pjesë në agjenturat e huaja, sepse, diku-diku, në ndonjë raft të mykur ato flenë gjumin e akullt. Në mos sot, nesër ato do të dalin në dritë: Çdo gjë e hedhur në det, një ditë do të dalë në breg. Pse nuk janë hapur dosjet e Sigurimit të Shtetit komunist tek ne?
Sipas mendimit tim, ata që e kanë në dorë hapjen e tyre, jo se e kanë hallin tek katrahura që shkakton hapja e tyre, por me to luajnë për ti mbajtur nën kthetra të thyerit. I kanë përdorur si çekiç. Po hape gojën, ti nxorëm lakrat në shesh. Sust! E këta e kanë mbyllur gojën. Për të tjerët, që sjanë thyer. Është përdorur mekanizmi i shpifjes. Të thyerit i mbajnë ndër poste kyçe. Të pathyerve, që e kanë ruajtur me dinjitet figurën e tyre edhe në ato kushte tejet të egra, nëse si përkrah, mos sajo shpifje për ta, sepse ke bërë njëmijë herë krim, je më kriminel se krimineli. Dosjet një ditë do të hapen. Duan apo sduan elefantët e politikës. Nëse si hapin ata, do ti hapin të tjerët. Bashkë me ligjin e hapjes së dosjeve, të hartohet edhe ligji i ndëshkimit për shpifësit, qofshin këta kryeministra, ministra, deputetë. Tu thyhen hundët atyre që kanë 17 vjet që shpifin. Në përgjithësi, shpifësit janë të ndotur në karakter. I ndoturi të ndot. I daluri nga gjirizi për një kohë të gjatë kundërmon me erën e tij. Dosjet e agjentëve do të hapen. Me siguri do të hapen. Pa hapjen e tyre për të gjithë ata që janë marrë dhe merren me politikë, Shqipëria sdo të jetë e qetë, sdo të ketë moral, sdo të ketë ecje normale si vendet e tjera demokratike, por do të jetë e marrë peng, e varfër dhe e helmatisur nga merimangat e zeza. Do të jetë e asfiksuar nga ajri i kuq. Ndaj ato domosdoshmërisht duhen hapur, në radhë të parë për agjentët e lidhur me policitë sekrete të vendeve të huaja (sidomos serbë e grekë) e, në radhë të dytë për bashkëpunëtorët e sigurimit komunist shqiptar. Ndryshe, sdo të kemi demokraci, sdo të integrohemi. Këtë e thekson dukshëm Rezoluta e Këshillit të Evropës. Me hapjen e dosjeve bëhet panik mbi pjesën e inkriminuar të popullit. Po me hapjen e dosjeve të agjentëve, që u kanë shërbyer të huajve kush trembet, populli apo ato që u udhëhoqën duke e zvarritur këtë tranzicion?

Last Updated on Wednesday, 18 February 2009 12:09

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›