E Shtunë, 31 Tetor 2026

Degjenerimi i të Majtës nga "ish"- at e komunizmit

Nga Pirro PRIFTI
Një nga plagët e pashëruara deri tani të politikës së vjetër shqiptare është vazhdimi me këmbëngulje i taktikës të trashëguar që nga koha diktatoriale për të mbajtur me çdo kusht pushtetin personal. E kështu kemi dalë para një fakti komiko-tragjik të demokracisë post-komuniste ; nga njëra ana rotacioni demokratik i pushtetit, dhe nga ana tjetër dhe në të njëjtën kohë- riciklimi i të njëjtëve individë në këto rotacione duke realizuar që pas çdo rotacioni demokratik na dalin si "fandi spathi" po ato fytyra që i kemi trashëguar që nga koha e diktaturës me bekimin e Don Ramizit. Rezultati? Dihet. Zgjatje e tranzicionit, mungesë inventari të popullatës, mungesë inventari të pronave, papunësi, emigrim masiv. Vetëm tani pas 20 vitesh ka përpjekje nga koalicioni në fuqi për të ndaluar këtë rreth vicioz që ka ngërthyer politikën shqiptare të mbushur plot me reminishenca të së kaluarës, reminishenca të cilat kanë krijuar politika paradoksale si ajo që përmendëm më lart, d.m.th.: në kohën kur rrota e rotacionit demokratik rrotullohet periodikisht për të bërë ndryshimet e pritura nga elektorati, një rrotë tjetër e brendshme, e maskuar dhe e padukshme për popullin e thjeshtë dhe për KE, vazhdon të rrotullohet nga ana e kundërt, duke nxjerrë në sipërfaqe po të njëjtët individë ish-komunistë që prej fillimit 1991 të cilët me pretekstin e shëmtuar  se duan ti shërbejnë vendit, me argumentet bajate të servirura para popullit për të integruar Shqipërinë në BE- ama "vetëm nëpërmjet tyre", me politikat djallëzore të të mbajturit me çdo kusht të drejtimit të partisë dhe pushtetit (këtë të fundit kur u vjen radha), kanë realizuar një filozofi mashtruese e të sofistikuar të një lloji të veçantë që rrallë gjendet në vendet e ish- kampit socialist. Kjo filozofi e krijuar nga këta ish- ë, nga këta nomeklaturistë të kuq, mund të shpjegohet me këto aspekte:
-Të mbahet pushteti politik partiak apo legjislativ-ekzekutiv me çdo kusht në duart e tyre;
-Të mbajnë përreth brenda partisë të cilën ata drejtojnë njerëz pa identitet në mënyrë që ti përdorim për vota pro vetes së tyre dhe ti përdorim kundër kundërshtarëve pa asnjë lloj kufizimi (filosofia ish-komuniste: "le të zihen e të grihen ata për ne");
-Të vendosin në administratë vetëm individë pa personalitet e pa identitet që ti komandojmë më mirë dhe që të mos kundërshtojnë kur ata i detyrojmë të shkelin ligjin;
-Nëse dënohen, të lihen në mëshirë të fatit se (filozofia ish-komuniste): "mirë t'u bëhet sepse ata janë jo vetëm të pasuruar tani por dhe me eksperiencë - prandaj le të shpëtojnë vetë;
-Kur u duhen nëse janë të zellshëm e besnikë atëherë (filozofia ish- komuniste): le  ti mbrojmë në Prokurori e Gjykata, se do të na duhen në të ardhmen;
-Parulla "klasa punëtore e fshatare drejton", të transformohet në (filozofia ish-komuniste): "të ruralizojmë administratën, legjislativin dhe partitë, sepse kështu i mbajmë pushtetet nën zap sepse kulishi duhet rrahur që i vogël";
- Të mbahet larg inteligjencia e vërtetë se (filozofia ish- komuniste):"Inteligjencia e përgatitur për vite me radhë, plot eksperiencë që ka qEnë paparti, - të mbahet jashtë drejtimit sepse na rrezikon, fundi fundit ata janë frikacakë e tremben dhe ikin vetë kur u bën presion, skanë ç'na duhen, edhe Enveri e mbante larg inteligjencien nga drejtimi". Intelektualët "e ndyrë qytetare", ata le të ikin jashtë shtetit. Ne drejtojmë me fshatarë dhe me intelektualë fshati apo me pseudo-intelektualëta po Din-Pakët, që ndonëse janë të papërgatitur ata anë profesionistë në intriga". Rroftë Ruralizmi drejtues!
-Politika tjetër e rrezikshme e këtyre individëve ish- nomeklaturistë të kuq (filozofi ish-komuniste): të mbajmë të afruarish sigurimsat e ish- spiunët se ata janë edhe të persekutuar në një farë mase nga rrëgjimi jonë (d.m.th., i kaluar) sepse janë besnikë dhe të zellshëm ende".
-Politika e fundit por jo më pak e rëndësishmja (filozofia e re neo-komunsite): "të qëndrohet në pushtet deri në fund në mënyrë që të mos mund të akuzohen dot për korrupsion, e as për shitje të interesave kombëtare, e as për  futje në burg qoftë për realizimin e projekteve mafioze të miratuara nga vetë ata për qëllime përfitimi, qoftë që mund të kenë dëmtuar dhe mund të dëmtojnë vendin në të ardhmen".
Nevoja imediate për të qëndruar në pushtet i ka detyruar ata të bëjnë dhe pakt me djallin sepse duke pasur parasysh që qëllimi justifikon mjetet, qëllimet e tyre politike dhe strategjike në fakt kanë kaluar në dy faza kryesore:
Faza e parë : 1991-1997, opozicion i ashpër dhe pasurim i shpejtë për të pasur mundësi të marrin pushtetin: shitje të pasurisë kombëtarë dhe mbajtje në amulli e konfuzion popullin, reklamim se sa i keq është kapitalizmi e sa i mirë ishte socializmi, mbajtja afër e ish- sigurimsave dhe ish spiunëve, marrja e pushtetit me një nga mënyrat marksiste-leniniste: o me zgjedhje, o me dhunë.
Faza e dytë: 1997-2005 në pozitë, ndryshim i strategjisë 180 gradë pra: kapitalizmi i realizuar nga ne është më i mirë, mbajtja në turbullirë social-ekonomike vendin, lejim i emigracionit dhe futje masive e fshatarëve dhe e ish punëtorëve (tani bodigardë dhe shoferë dhe intelektualëve me shkollë të jo të plotë apo pa identitet, kryesisht nga rrethe të largëta e të vogla kujtoni parullën leniniste: "analfabetizmi na ndihmoi të fitojmë revolucionin") në drejtim të administratës, legjislativit dhe ekzekutivit; o burra të pasurohemi dhe të mbahet pushteti duke përdorur Berishën si "Antikrisht".
Ndryshimi i pushtetit në 2005 për shkak të manovrimeve të Nanos por dhe për arsye se KE nuk dëshironte një mandat të tretë të së majtës, frikësoi të majtën sidomos për shkak të aferave korruptive të tyre të cilat Berisha premtoi që do ti luftonte. Probleme të mëdha ndodhën pas 2005-2008, por dhe përmirësime të mëdha, vetëm një aspekt nuk ndryshoi në të dy koalicionet : ideja e majtë e mbajtjes së të tre pushteteve me anë të ruralistëve u përdor qoftë me dashje, qoftë pa dashje nga Koalicioni i djathtë, duke lejuar një ish-nomeklaturist të kuq. Ngjela të thotë që "pushteti bën rotacion njëherë më punistë të jugut njëherë me punistë të veriut"; megjithatë rezultati i futjes masive në drejtim të jo-kompetentëve rurale po i shkakton koalicionit të djathtë kokëçarje qoftë për shkak të vazhdimit të korrupsionit nga këta ruralistë të babëzitur, qoftë nga inkompetenca profesionale e tyre. Rezultati? Në atë Ministri ku kanë qenë partitë e vogla ndodhën katastrofa: në ushtri- Gërdeci; në Shëndetësi- katastrofë e spitaleve; në Arsim ulje e cilësisë së mësim-dhënies në arsimin e lartë për shkak qoftë për mbajtjen në drejtim ne universitete publike të ish- nomeklaturistëve të kuq (kujtoni ka rektorë e dekanë që janë në drejtim që nga fillimet e demokracisë), qoftë nga futja masive e pedagogëve me rrugë totalisht klienteliste duke masakruar mësim-dhënien. Maxhorancës së djathtë tashmë i duhet të reformojë përsëri Shkollën e Lartë dhe të vendosë Ministra vetëm nga PD për të shmangur situatat jo normale. Le të shpresojmë që ti realizojë. Megjithatë mendoj se ngadalësimin e luftës kundër Korrupsionit të Maxhorancës së sotme, e ka shkaktuar sot ruralizimi i administratës dhe i pushteteve, së bashku me mbajtjen në drejtim tëi sh-nomeklaturistëve të kuq e të ish- spiunëve dhe të ish- sigurimsave. Dihet që Pushteti në një farë mënyre të inkriminon, dhe rotacioni i pushteteve është e vetmja mënyrë për ta shmangur këtë dukuri, ose vendosja e njerëzve profesionistë të tjerë në drejtim.

*Analist

Last Updated on Wednesday, 18 February 2009 12:10

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›