E Diel, 1 Nëntor 2026

A do të jetë 28 Qershori, dita e fitores së demokracisë në Shqipëri

Nga Sadedin CELIKU
Edhe pak ditë na ndajnë nga 28 Qershori, dita e zgjedhjeve të reja nga ku do dalin  parlamentarët dhe qeveria e re. Këto zgjedhje kanë një veçori në llojin e vet sepse tashmë Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe e asociuar me Bashkimin Europian.
Duke patur parasysh se zgjedhjet në Shqipëri janë kontestuar ose janë cilësuar të papranueshme, me të drejte populli shqiptar pretendon që këtë radhë të shkojë në zgjedhje ndryshe. Këtë e bën më të domosdoshme fakti që faktori ndërkombëtar i ka vënë kushte qeverisë shqiptare për organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme si parakusht për marrjen e statusit të kandidatit të Bashkimit Europian, heqjen e vizave me vendet e BE dhe krijimin e një klime pozitive për investitorët e huaj të cilët Shqipërinë e shohin si një vend me risk politik. Ajo që bie në sy edhe pse fushata elektorale nuk është hapur zyrtarisht është administrimi i pushtetit si qëllim në vetvete, rritja e shpenzimeve dhe thuajse shpërndarja e të gjithë qeverisë anë e kënd Shqipërisë në fushatë. Këtë fenomen nuk e shohim vetëm tek partia në pushtet, por edhe te partitë e vogla të cilat edhe pse të vogla edhe ato premtojnë. Tashmë partitë janë kthyer në organizata jofitimprurëse të cilat janë të gatshme të ndihmojnë këtë popull fukara. E pra në qoftë se në zgjedhje shkojmë me këto ngarkesa dhe me këtë klimë, vështirë se mund të realizojmë zgjedhje të ndershme. E them këtë sepse shqiptarët pak besojnë se do të realizohen vërtetë ato standarde që kërkohen. Për të realizuar këtë, qeveria duhet të heqë dorë nga këmbëngulja për të mbajtur pushtetin  me çdo kusht dhe nga manovrimet që kërkojnë të bëjnë disa njerëz primitivë.
Shqiptarët kanë të drejtë të zgjedhin midis atyre që qeverisin sot apo të atyre që kërkojnë të vijnë nesër. Të gjithë duhet të kuptojnë qoftë edhe një herë se në 28 Qershor fiton demokracia dhe të gjithë shqiptarët. Çdo përpjekje tjetër do të penalizojë procesin dhe të gjithë ne. Shqiptarët janë të lodhur nga lojërat politike me emërtimet e majta, e majta e vërtetë, apo e djathta, apo e djathta e vërtetë. Të gjithë e dimë se sa ju dhemb barku atyre që qajnë nëpër sheshet elektorale. Përcaktime të tilla janë më shumë simbolike se sa realitet. Qeveria në këto 4 vjet ka bërë shumë pak dhe ka qeverisur me mjaft gabime. Ngjarjet e Gërdecit, çështja Fazlliç, tullumbacet për ndërtimin e parkut më të madh në Mesdhe, çështja Basha, keqadministrimi i ligjit të koncesionit edhe në sektorë rentabël, futja e teknologjive primitive të sistemit energjetik kur bota i ka hequr, përpjekjet e pamjaftueshme për reduktimin e varfërisë, punësimin, gabimet në arsim në veçanti në arsimin e lartë, përcaktimi i gabuar i prioriteteve, kriza ekonomike që po ndjehet etj., i bëjnë shqiptarët të mendohen mirë në këto zgjedhje. Për zgjidhjen e gjithë këtyre sfidave që e presin qeverinë e re, qytetarët kanë nevojë për një politikë të re dhe jo thjesht rotacion pushteti. Qeverinë nuk mund ta shpëtojë vetëm politika e jashtme. Njerëzit duan të jetojnë në paqe, të kenë siguri, punë dhe mirëqenie. Kjo është arsyeja që ata kërkojnë të jenë të përgjegjshëm këtë radhë. Për të realizuar dhe aspiruar për një të ardhme demokratike duhet të votohet. Pjesëmarrja në votime është arma e vetme demokratike që çdo shqiptar duhet ta administrojë me kujdes. Votimi, vota është kartëmonedhë. Nga mënyra se si voton vijon dhe përgjegjësia personale. Çdo person duhet të ushtrojë vullnetin e vet, përvojën, mençurinë dhe nuhatjen. Prej këtej fillon ndryshimi, ndryshimi i shumëpritur për zgjedhjen qe kë bërë. Populli ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Cilido qoftë fituesi, në fund të fundit do të fitojë demokracia që aq shumë e ëndërrojmë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›