E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama premton libra falas për fëmijët e varfër, pas ardhjes në pushtet

Kreu socialist zotohet të bërë realitet premtimet e Berishës në 2005
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, premtoi abetare dhe libra falas për të gjithë fëmijët e varfër, në një takim të zhvilluar me banorët e Uznovës në Berat. Sali Berisha pati pafytyrësinë të thotë, se abetaret të jenë falas. Abetaret nuk janë falas. Ato janë shitur një për një, siç janë shitur një për një të gjithë librat e klasës së parë dhe të gjitha klasave të tjera, dhe janë shtuar radhët e fëmijëve që nuk kanë shkuar dot këtë vit në shkollë për shkak të varfërisë. Kjo do të ndryshojë pas 28 qershorit. Ne, abetaren dhe librat e shkollës do ti japim falas për të gjithë fëmijët e varfër, jo me rimbursim, por drejtë e në dorë u shpreh Rama gjatë këtij takimi, duke kërkuar votën e qytetarëve. Duhet ti japim politikës një zemër, në qoftë se duam tu japim fëmijëve tanë mundësi të barabarta qofshin të lindur në Tiranë, qofshin të lindur në periferi të qyteteve apo në fshat:, ka apeluar Rama për banorët e Uznovës së Beratit, gjatë turit të tij për programin. Rama shtoi gjithashtu se politika e re dëgjon dhe ndjen problemet e shqetësimet e qytetarëve të këtij vendi. E në Uznovën një zonë e varfër Kryetari socialist bëri premtimin për abetare e libra falas, duke vënë në dukje premtimin e pambajtur të qeverisje aktuale. Sipas Ramës, duhet të ndryshojmë politikën, në qoftë se duam të ndryshojmë qeverisjen. Ai gjatë këtij takimi masiv, në Uznovë premtoi se edhe në qeverisje komunikimi me njerëzit dhe me grupet e interesit do të jetë një pikë kyçe ku do të mbështetet qeverisja, jo duke marrë vendime që bien ndesh me interesat e qytetarëve. Rama nënvizoi edhe faktin se politika e vjetër ka 18 vjet që ka futur mes njerëzve ndarjen e përçarjen, duke mos u dhënë dot qytetarëve të këtij vendi arsye për tu bashkuar. Kanë 18 vjet që ju japin ju dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm arsyen pse duhet të jeni të ndarë, pse duhet të jeni të përçarë, pse duhet të bëni sherr dhe për çfarë, në fund të fundit, për ata, për politikanët. Kjo është një lojë që ka 18 vjet që e luajnë ata dhe që e paguani ju. Është dita që kjo lojë të mbarojë, sepse këtu luhet me fatin e të rejave dhe të rinjve e këtij vendi, ka vijuar më tej Rama, sipas të cilit Shqipëria nuk mund të jetë njerkë për disa dhe nënë për disa të tjerë. Rama ka konsideruar se Shqipëria nënë e të gjithë fëmijëve të këtij vendi mund të ndërtohet duke i lënë politikanët e vjetër të së shkuarës, në kutinë e televizorit dhe duke e sjellë qeverinë mes popullit. Nga Uznova e Beratit, Rama ka preferuar të udhëtojë me qytetarët në autobusin e linjës ku është përballur me shqetësimet e qytetarëve. Unë shes banane pranë një agjencie. Një herë marr vaj, një herë makaronat, një herë sheqer, një herë oriz. Arrita edhe kripë nuk kisha në shtëpi me këtë qeveri që jemi sot, u shpreh një qytetar. Ndërkaq, edhe në autobusin e linjës Uznovë Berat, në një komunikim miqësor me ata që udhëtonin në këtë linjë Rama ka bërë apel për të pasur sa më shumë pjesëmarrje në votim. Unë e di që ju keni vështirësi të mëdha, por të gjithë duhet të shkojnë të marrin kartën dhe të japin votën për ndryshimin në jetën e familjes së tyre, për ndryshimin në shkollën e fëmijës së tyre, për ndryshimin në listën e ilaçeve të të moshuarve të tyre dhe për ndryshimin që prej kaq shumë vitesh e prisni të sjelljes së politikës ndaj jush, ka vijuar më tej Rama, duke vazhduar takime spontane me qytetarë ku u ka kërkuar atyre të aplikojnë për kartat e identitetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›