Arratisja nga gënjeshtra
Çfarë paradoksi politik i paparë: Serbisë katastrofën ia shkaktuan vetëm radikalët pararendës në pushtet, por Serbinë mund ta shpëtojnë vetëm radikalët pasues në pushtet! Ka dy arsye të mendohet kësisoj: njëra është se, radikalët zotërojnë fuqi me kredite dërrmuese në popullin dhe shtetin serb dhe, tjetra është se, rrethanat ballkanike, europiane dhe botërore kanë ndryshuar thellësisht. Shenjat rroken nga kushdo qoftë: Boris Tadiç, ose ish- presidenti “kurrë”, Vuk Jeremiç, ose ish-ministri i jashtëm agresiv, dhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë, bojkotonin çdo veprimtari rajonale, europiane e botërore, nëse në to ftohej një përfaqësues nga Republika e Kosovës. Kjo është tejkaluar, as fare nga kërkesa serbe për përdorimin e fusnotës në vend të shtetësisë së Kosovës, por nga politika euro-atlantike e kushtëzimit të prerë me integrim, ndaj të cilës radikalët u avitën me ngurrim, por ngërçi duket se po kapërcehet. Janë kryer një numër bisedimesh mes kryeministrit Ivica Daçiç dhe kryeministrit Hashim Thaçi, si dhe është regjistruar një takim mes presidentit Tomisllav Nikoliç dhe presidentes Atifete Jahjaga, gjithmonë me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Catherine Ashton dhe mbështetjes së përsëritur të Uashingtonit. Dhe, pas kaq takimesh, deri edhe te ai, për shtrimin e problemit më të vështirë, të shpërbërjes së strukturave paralele në veri, kryeministri Ivica Daçiç pati kurajë të shprehet, për të përjavëshmen NIN, siç nuk ka guxuar askush në Serbi t’i flasë popullit serb: “Gati dhjetë vjet Kosova ka qenë një temë e ndaluar dhe për të, zyrtarisht, askush nuk ka guxuar të thotë të vërtetën. Janë treguar përralla. Është gënjyer se Kosova është e jona, dhe madje kjo është zyrtarizuar edhe në kushtetutë. Sot, e njëjta kushtetutë nuk ndihmon aspak. Presidenti i Serbisë nuk mund të shkojë në Kosovë, as kryeministri dhe as ndonjë ministër. Aq më pak policia dhe ushtria. Serbëve u lejohet vetëm që në çdo kohë, të ikin nga Kosova. Kaq është e jona Kosova, dhe kaq vlejnë në të kushtetuta dhe ligjet tona”. Dhe, duhet theksuar që, ky është shqiptimi i parë zyrtar i diagnozës së sëmundjes gjithë serbe. Fillimi i rënies së çdo gënjeshtre nis me pranimin e së vërtetës. Por, siç në mjekësi, kjo për pacientin vlen kur thuhet nga mjeku i duhur, edhe në rastin e Serbisë, thënia e së vërtetës nga radikalët, e bën të vërtetën më të besueshme në popull, ndihmon pranimin hapur nga politika dhe populli të asaj që pohohet në heshtje nga të gjitha palët.
Por, ky nuk mund të quhet dorëzimi i Serbisë. Siç, radikalët, nën pushtetin e Millosheviçit nuk u dorëzuan pa luftë të përgjakshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, edhe radikalët e sotëm në pushtet, të presidentit Tomillsav Nikoliç dhe kryeministrit Ivica Daçiç, nuk dorëzohen pa luftë politike e diplomatike për të marrë në Kosovë përtej Planit Ahtisaari. Kreu i ekzekutivit serb ka paraqitur vetveten përballë rrëzimit të gënjeshtrës duke pohuar botërisht që, “Isha pjesë e qeverisë, e cila edhe me luftë është munduar që të zgjidhë çështjen e Kosovës. Ndoshta, vërtetë, ka drejtësi në atë që sot të jem kryepërgjegjësi për zgjidhjen paqësore, një zgjidhje përmes negociatave, dhe një zgjidhje, e cila nënkupton që gjithkush të humbë nga pak”. Kreministri serb madje është shprehur fare qartë në qëllimin se “…para së gjithash për serbët që jetojnë atje, të shpëtojmë çka mund të shpëtohet”, gjë që përbën planin serb, tashmë i shtruar në tavolinë, dhe që ka për synim krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe të Kosovës, me të drejta ekzekutive dhe ligjore. Këtu palët ndahen plotësisht: Serbia udhëhiqet nga strategjia e copëzimit perfid të Kosovës, thënë ndryshe, pranimit të kërkesës për prishjen e strukturave paralele të paligjshme dhe këmbënguljes për shndërrimin e tyre në institucione paralele serbe të ligjshme, përkrah ekstra territoreve të objekteve të kultit dhe gjithë çfarë janë të garantuara maksimalisht nga Plani Ahtisaari; ndërsa Kosova e ka pranuar krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, por pa fuqi ekzekutive e ligjore, vetëm në përputhje me Planin Ahtisaari dhe kushtetutën e saj. Kosova jep maksimalisht për pakicën serbe, por pa lejuar cënimin e integritetit territorial e shtetëror, ndërsa Serbia shkon drejt normalizimit të marrëdhënieve, me pranimin e realiteteve të reja në Kosovë, por pa deklaruar, ajo synon ta kontrollojë territorin dhe shtetin e Kosovës përmes pakicës serbe organizuar në “shtetin amebë”, brenda shtetit të Kosovës. Po të arrihej kjo, me marrëveshje zyrtare, radikalët nuk do të shfaqeshin të dëshpëruar për prishjen e strukturave paralele, dhe nuk do të akuzoheshin më se Beogradi mban në gjendje të pastabilizuar shtetin e Kosovës. Kjo betejë nuk është e lehtë as për Prishtinën, por Kosova duhet ta zhvillojë atë me vendosmërinë e të qenit e barabartë në tavolinat ndërkombëtare, si dhe duke u mbështetur sidomos të faktori amerikan, i cili mbetet investuesi dhe garantuesi numër një i çlirimit, pavarësimit dhe moscënimit të integritetit territorial e shtetëror.
Ajo çka është për t’u pohuar, duhet pohuar: radikalët serbë, që bënë luftën, pranojnë botërisht se popullit i janë thënë gënjeshtra, dhe për një kohë shumë të gjatë. Kjo shënon fillimin e arratisjes nga gënjeshtra. Por ikja përfundimtare prej saj do të ndodhë atëherë kur, gënjeshtra e zyrtarizuar të bjerë edhe nga kushtetuta e Serbisë. Kryeministri Ivica Daçiç ka shqiptuar një lloj paralajmërimi për domosdoshmërinë e shfuqizimit të nenit që ka ligjëruar gënjeshtrën, duke thënë fjalë për fjalë se, kjo “…kushtetutë nuk ndihmon aspak”.