E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muri ra... udhetim te mbare ne Evrope!

Ministria e Brendshme ka vene prej kohesh ne dispozicion informacionet qe ju duhen per te kaluar kufirin pa pasur probleme

E mërkurë 00:00. Muri ra. Dyert u hapën. Evropa prej sot është vetëm një biletë autobusi larg, por para se të dilni nga shtëpia, ju duhet të kontrolloni mirë xhepat, për të parë nëse i keni gjërat që duhet me vete. Së pari sigurohuni që në xhepin e palltos keni, veç biletës së tragetit, avionit apo autobusit, edhe pasaportën biometrike dhe një siguracion shëndetësor të vlefshëm për aq kohë sa do të rrini brenda kufijve të BE-së.

Shumë njerëz dje në Tiranë nuk ishin ende të sigurt se kaq është e mjaftueshme dhe vazhdojnë të përsëritin të njëjtën pyetje. Si do të shkojmë në Evropë? Ministria e Brendshme ka vënë prej kohësh në dispozicion informacionet që ju duhen për të kaluar kufirin pa pasur probleme.

Le të bëjmë një udhëtim imagjinar për në Berlin me “Standard”. Ju keni paketuar valixhet, jeni veshur trashë dhe jeni përgatitur për temperatura disa herë më të ulëta se ato që keni në kryeqytetin shqiptar. Tani me marrëveshjen për liberalizimin e vizave që hyri në fuqi, ju nuk duhet asgjë tjetër, përveçse të niseni, sigurisht duke pasur në xhepin e djathtë një pasaportë biometrike dhe brenda saj paketën e sigurimit që ju duhet për në Gjermani. Por kujtoni policët kufitarë, mund të jenë të bezdisshëm dhe dyshues.

Kjo, në fakt, është puna e tyre, në një Evropë në alarm për sigurinë ata duhet të jenë rigorozë dhe ndonjëherë më shumë se kaq, prandaj bëhuni gati që të përgjigjeni për një listë me pyetje. Për së pari, polici mund të dojë të dijë se ku po shkoni, cili është qëllimi i vizitës tuaj, sa kohë keni ndërmend të rrini, ku do të strehoheni dhe kur do t’ju shohë sërish për t’ju uruar udhëtim të këndshëm për në Shqipëri. Nëse ju jeni nisur te vëllai, motra apo një i afërmi juaj, është mirë të dini paraprakisht adresën, njëkohësisht është mirë të keni para të mjaftueshme (sipas koutave më poshtë) për aq ditë qëndrimi në Berlin.

Sigurisht, askush prej nesh që po niset për një fundjavë apo 15 ditë pushimesh në Paris apo Berlin, nuk po shkon me xhepa të zbrazur dhe nëse polici ju pyet për këtë, ai thjesht do të garantohet që ju nuk do të mbeteni në rrugë dhe nuk është duke kërkuar të dijë se sa i pasur jeni, kështu që tregojini policit që ju keni mjaftueshëm para për t’i kaluar Krishtlindjet në Berlin.

 Nëse ju që po udhëtoni jeni një pensionist që do të takojë birin apo bijën dhe këta të fundit kanë marrë përsipër shpenzimet, mjafton t’ia thoni këtë policit. Për ta bindur edhe kufitarin më dyshues është e mjaftueshme që bashkë me biletën e vajtjes të keni dhe një biletë kthimi.

Për të tjerët që bashkë me të dashurën do të duan të kalojnë një fundjavë romantike në Paris, pra që nuk u nisën me ne në udhëtimin për në Berlin, këshillohet të googlojnë për një hotel që ua mban xhepi. Hoteli mund të jetë me pamje nga Sena ose diku në një cep të fshehur të qytetit të madh, ju vetëm duhet të dini mirë adresën tij, të keni të qartë kohën e qëndrimit atje dhe nëse pyeteni të tregoni që keni me vete mjaftueshëm para për të kaluar fundjavën në Paris. Sado i rreptë polici kufitar nëse ju u përgjigjeni këtyre pyetje, edhe pse të bezdisshme, ai do të ngrejë traun dhe ju do të mund të kaloni duke marrë me vete edhe urimin për ditë të këndshme në Berlin apo Paris. Vetëm mos harroni, ju nuk keni një vizë pune dhe nuk mund të punoni, ju nuk mund të qëndroni më shumë se 90 ditë brenda 6 muajve dhe duhet të jeni të kujdesshëm të zbatoni ligjet e vendit ku po buni. Udhëtim të mbarë!

Lëvizja e lirë, shtohen pikat kufitare

Pikat kufitare nga ku qytetarët shqiptarë do të hyjnë pa viza për në vendet e hapësirës Shengen janë gati për të pritur fluksin në sportelet e kontrollit dhe sigurisë. Për të shmangur konfuzionin dhe radhët, në Portin e Durrësit janë shtuar kapacitetet përpunuese si dhe personeli kufitar. Sipas autoriteteve ka një qartësi të plotë për procedurën e re të kalimit drejt vendeve të hapësirës Shengen. Edhe në pikën kufitare të Kakavijës, porta kryesore drejt Greqisë, janë shtuar 10 sportele në dalje, duke e çuar në 15 numrin e tyre. Qytetarët që do të kalojnë nga pika kufitare e Kapshticës do të kenë në dispozicion 14 sportele si dhe asistencën e një personeli të kualifikuar. Edhe në Portin e Vlorës janë marrë masat për hapjen e 8 sporteleve nga 4 që kanë ekzistuar më parë. Në të gjitha pikat kufitare policia ka shpërndarje, fletëpalosje për informimin e qytetarëve lidhur me procedurat e reja të kalimit drejt vendeve të hapësirës Shengen.

Sot pa viza, çfarë duhet të dini

Udhëzimi i shpërndarë nga Policia Kufitare saktëson:

Nëse ju qytetarë do të udhëtoni tek të afërmit tuaj, ju duhet:

1. Të tregoni të dhënat e personit që ju pret dhe gjeneralitetet si dhe adresa e banimit.

2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete në cash apo në kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni, ku këto mjete financiare mund të garantohen se mbulohen dhe nga personi që ju pret.

3. Të keni biletën e kthimit me vete

4. Si dhe të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim.

Nëse udhëtoni për turizëm, aktivitet biznesi etj:

1. Të keni një rezervim hoteli

2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni

3. Të keni biletën e kthimit me vete

4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim

Nëse udhëtoni për arsye shëndetësore:

1. Duhet të keni një rezervim hoteli ose rekomandimin për shtrim në një institucion shëndetësor në vendin ku do të trajtoheni

2. Të keni mjete të mjaftueshme financiare me vete, në cash apo kartë krediti për të mbuluar shpenzimet e qëndrimit sipas kuotës së përcaktuar nga vendi ku ju do të qëndroni

3. Të keni një korrespondencë me institucionin shëndetësor që ju do të kontaktoni

4. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim

Nëse duhet të udhëtoni për të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme:

1. Të keni ftesë për të marr pjesë në aktivitet

2. Të keni sigurimin shëndetësor në udhëtim

Dhe e fundit kërkesë për të gjithë qytetarët që udhëtojnë pas datës 15 dhjetor thuhet se:

1. Të mos tejkalohen afatet e qëndrimit 90 ditë për 180 ditë

2. Të mos punohet ilegalisht

3. Të mos bëhen barrë publike

4. Të mos përfshihen në aktivitete kriminale.

Nëse nuk plotësohen kushtet e sipërpërmendura, autoritetet kufitare të vendit ku ju po udhëtoni mund të mos lejojnë hyrjen tuaj deri sa ju të plotësoni këto kushte dhe mund t`ju kthejnë menjëherë në Shqipëri.

Minimumi financiar për qarkullimin tremujor në zonën Shengen

Itali - 54 euro në ditë

Greqi - 20 euro në ditë

Gjermani - 45 euro në ditë

Belgjikë - 38 euro në ditë për ata që s’kanë kartë krediti

Francë - 52,60 euro në ditë

Holandë - 34 euro në ditë

Zvicër - 100 CHF në ditë, ndërsa për studentët ( 30 CHF) në ditë

Danimarkë - 60 euro në ditë

Spanjë - 63,20 euro në ditë

Finlandë - 30 euro në ditë

Hungari - 1000 HUF në ditë

Islandë - 4000 ISK në ditë

Letoni - 60 LVL në ditë

Lituani - 15LVL në ditë

Maltë: - 20MTL (48 euro në ditë

Norvegji - 500 NOK për ditë (për ata që s’shkojnë te familjarë)

Poloni - 500 PLN

Portugali - 75 euro për hyrje dhe 40 euro në ditë

Slloveni - 70 euro në ditë (për ditë për ata që s’shkojnë te familjarë)

Republikë Çeke - 0,5 herë minimumin e nevojave personale në ditë (sipas legjislacionit) për më pak se 30 ditë

Ndërsa Austria, Qipro, Suedia, Sllovakia dhe Luksemburgu nuk e kanë të përcaktuar.

*Kujdes, kjo listë nuk do të thotë se ju duhet të keni dëftesa që tregojnë se jeni kaq apo aq i pasur, nuk bëhet fjalë për një deklaratë pasurie, por thjesht për t’i treguar punonjësit të policisë kufitare që keni me vete mjaftueshëm para për të shpenzuar në 5 ditë pushime. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›