A do të mundë Rama ti largojë tre liderët historikë në një ditë?
Analisti Skënder Minxhozi komenton situatën pas publikimit të listave. Misioni i vështirë i zotit Rama dhe aleanca e padukshme e Nanos me PD-në
Më datë 28 qershor politika e re e zotit Rama synon largimin e tre liderëve historikë, Fatos Nano, Sali Berisha dhe Ilir Meta, gjë që duket faktikisht e vështirë. Një konstatim të tillë e bën zoti Skënder Minxhozi, analisti i njohur i medias shqiptare, sipas të cilit, për të arritur një qëllim të tillë, mbase do të duhej të përdoreshin edhe mjete apo strategji të tjera. Ai ka komentuar për “Albania”-n edhe shfaqjen publike më të fundit të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit socialist Nano, të cilin e ka konsideruar një “aleat të padukshëm të PD-së në këto zgjedhje”. Minxhozi analizon edhe publikimin e listave të kandidatëve në këto zgjedhje nga partitë politike, të cilat, dukshëm, kanë handikapin e presionit dhe pushtetit që Kodi Zgjedhor i jep lidershpit. Ai është skeptik se ky proces votimi popullor do të selektojë një korpus parlamentarësh më të mirë sesa ato të legjislaturës që po lëmë pas.
Si e vlerësoni fushatën e deritanishme të forcave kryesore politike, kur kanë mbetur më pak se 40 ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit?
Fushata aktuale po ecën, përgjithësisht, në shinat e parashikuara edhe më parë përsa i përket asaj që dy forcat politike po ofrojnë: Nga njëra anë kemi një maxhorancë që po përpiqet që të japë idenë se Shqipëria ka ndryshuar, se Shqipëria po ndërtohet, po përmirëson infrastrukturën e saj, po rrit pagat dhe pensionet, se Shqipëria përbën një rast special në këtë kontekst global krize, duke ofruar parametra financiarë më të mirë sesa shtetet e tjera, se investimet e huaja jo vetëm nuk janë frenuar, por se ato kanë ardhur duke u rritur. Realisht, kjo është teknologjia që operon çdo maxhorancë pas katër vitesh drejtimi dhe konsumi në pushtet. Pra, i parapëlqen të shohë gjysmën plotë të gotës dhe jo gjysmën bosh.
Në anën tjetër kemi një opozitë që vë në dukje anët negative të kundërshtarit të tij politik; që luan, ndoshta, më shumë se ç’duhet me tragjedinë e Gërdecit, në dëm të disa historive të tjera korruptive apo problemeve të tjera të qeverisjes që nuk spikaten apo denoncohen aq sa duhet nga kjo opozitë. Pra, kemi një fushatë klasike, ku njëra palë gjuan dhe tjetra mbrohet dhe anasjelltas.
Para tri ditësh partitë pjesëmarrëse në zgjedhje paraqitën “ushtarët” në fushën e betejës. Si i vlerësoni ofertat, sidomos te dy koalicionet kryesore?
Mendoj se të dyja partitë e mëdha janë munduar që të bëjnë një lloj transfuzioni në listat e tyre. Natyrshëm, legjislatura e fundit ka nxjerrë në pah se cilët deputetë meritojnë një mandat tjetër dhe se cilët kanë qenë të rastësishëm në atë sallë, cilët kanë qenë të mirët dhe cilët të këqijtë, cilët të fortët dhe të dobëtit; natyrshëm ka një ndryshim listash në raport me vitin 2005, që u përgjigjet gjendjeve të reja në të cilat ndodhen dy partitë e mëdha. PD-ja ndodhet në një gjendje të re cilësisht krahasuar me vitin 2005. Tashmë është një maxhorancë 4-vjeçare. PS-ja është në një gjendje cilësisht të re, sepse nuk kemi më Nanon kryetar, siç ishte në vitin 2005, dhe objektivat e Ramës janë krejtësisht të ndryshme. PS-ja ka ndryshuar 70 për qind të trupës së saj që ishte në Parlamentin që sapo u mbyll.
Diçka të ngjashme ka bërë edhe Partia Demokratike, e cila është munduar që të fokusohet te prurjet intelektuale, te njerëzit e shkencës, kulturës dhe botës akademike. Por, kam përshtypjen se duke e krahasuar listën me sistemin zgjedhor, do të jetë e vështirë që këto asete njerëzore t’i imponohen lidershipit politik. Do të jetë pikërisht lidershipi që do t’u imponohet listave. Pra, kemi një marrëdhënie jo fort të ndershme, disi të pavërtetë dhe hipokrite mes listës dhe atij që ka bërë listën. Kjo përcaktohet jo aq nga ajo që përfaqësojnë dy udhëheqësit kryesorë, por nga ajo që iu ka dhënë në dorë vetë sistemi zgjedhor; që iu ka lënë në dorë që të bëjnë dhe të zhbëjnë listën zgjedhore sipas dëshirës së tyre.
Pra, ju thoni se do të kemi një Parlament të ri, cilësisht më pak të mirë se ai i vitit 2005?
Të them të drejtën unë dyshoj për cilësinë e anëtarëve të pritshëm të Parlamentit të ri, teksa analizoj të dhënat menjëherë pas publikimit të listës së kandidatëve të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Siç e thashë edhe më parë, voluntarizmi i udhëheqësve të partive kësaj radhe ka qenë absolut. Zakonisht, rrethana të tilla nuk pjellin gjëra të mira. Ky ka qenë ndoshta një nga defektet e sistemit zgjedhor sepse e linte listën e kandidatëve tërësisht në dëshirën e udhëheqësve të partive.
Duhen marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, si për shembull, vihet re që me synimin për të fituar sa më shumë vota, partitë kanë pranuar që të ulin standardin e kandidatit në dobi të pasurisë së tij financiare, ose të asaj që ai përfaqëson; ai mund të jetë një person që i imponohet mjedisit ku jeton dhe garon në zgjedhje. Këto janë rrethana të dyshimta dhe jotransparente. Kam frikë se ndodhemi sërish përballë të njëjtit fenomen si në zgjedhjet e kaluara, ndonëse në raporte pak më të vogla. Pra, që paraja dhe mundësia për t’u imponuar tek elektorati mbizotëron mbi arsyen, logjikën dhe formimin intelektual dhe politik të kandidatëve.
Në momentin kur PS-ja po përgatitej për të shpallur listat e kandidatëve për zgjedhje, kjo u parapri me një dalje publike të ish-kryeministrit dhe ish-kreut të PS-së, zotit Fatos Nano. Ai lëshoi kritika të ashpra ndaj kreut aktual, zotit Rama. Si e vlerësoni qëndrimin e tij dhe a e dëmton realisht kjo partinë më të madhe të zgjedhjeve?
Personalisht mendoj se Edi Rama duhet të kishte bërë një zgjedhje mes krahëve dhe frymëzimeve të ndryshme brenda opozitës dhe partisë së tij në këtë moment. Taktikisht, zoti Rama e ka të vështirë që ta mundë Berishën, duke pasur kundërshtarë njëherazi edhe Metën, edhe Nanon. Teknikisht mendoj se është një operacion politik i vështirë në funksion të shifrave që do të dalin; pra të arritjes së shifrës magjike prej 71 mandatesh. Pra ai do të duhej të ishte afruar, ose të paktën të kishte “nënshkruar” një pakt mossulmimi ose me njërin, ose me tjetrin, në këmbim të disa ofertave që mund t’iu kishte bërë. Rama vendosi t’i shpërfillë këta dy persona, të cilët, për hir të së vërtetës, kanë dominuar të majtën shqiptare deri në vitin 2005. Duke pasur edhe Berishën përballë, Rama do të ndodhet më 28 qershor përballë alternativës që brenda ditës të nxjerrë nga politika tre persona që kanë dominuar politikën e gjithë këtyre viteve të tranzicionit. Mua më duket ritmikisht e vështirë.
Tani le të ndalemi te dalja publike e para disa ditëve e zotit Nano. Ajo është një “thikë pas shpine”, ishte një goditje poshtë brezit, siç do të cilësohej në gjuhën e boksierëve, ishte një qëndrim i pandershëm i ish-kryetarit të partisë, i cili për fenomene apo pakënaqësi të vjetra, del e flet në minutën e fundit, del e kritikon atëherë kur ai e di mirë se dëmi është edhe më i madh, duke shpresuar kësisoj që të dëmtojë Ramën. Dhe jo vetëm kaq: Duke dëmtuar Ramën dhe PS-në, ai direkt ose indirekt, ka favorizuar PD-në dhe në rastin më të mirë LSI-në. Pra, eventualisht, Nano mund të jetë një aleat i padukshëm i PD-së në këto zgjedhje. Nuk përbën sekret se Berisha është ndjerë shumë mirë kur ka parë Fatos Nanon të thotë ato që tha për Ramën dhe t’i bëjë një favor jo të vogël elektoral në prag të zgjedhjeve.
Tashmë PS-ja ka paraqitur kandidatët dhe programin. A ju duket bindëse oferta programore për të marrë votat e elektoratit në zgjedhjet e 28 qershorit?
Unë nuk dëshiroj që të vë në dyshim faktin se programi i PS-së është konsultuar dhe ka brenda tij ekspertizën e duhur për çështjet madhore dhe për reformat e qeverisë së katër viteve që do të vijnë. Ai merr parasysh prioritetet e vendit, siç janë integrimi, infrastruktura, bujqësia etj. Ai merr parasysh shtatë shtyllat që janë evidentuar në programin, që për hir të së vërtetës, më është dukur paksa voluminoz. Një vend si ky i yni nuk mund të ketë 1000 faqe prioritete. Ky duhej të ishte, ndoshta, paksa më i koncentruar. Por shtatë prioritetet përkojnë me nevojat urgjente që ka ky vend në momentin ku ndodhemi. Problemi nuk është aq shumë te programi. Edhe qeveritë e kaluara socialiste kanë hartuar programe, strategji dhe matrica për zhvillimin e vendit. Madje ka pasur një gjuhë paksa të mbingarkuar me këto terma. Problemi është te vullneti politik për të çuar para ato që thuhen. Unë mendoj se Rama ka më shumë energji se liderët e tjerë, pjesëmarrës në këtë fushat, për t’i çuar përpara dhe për t’i bërë ato që thotë. Ai ka një projekt, siç është Tirana, i cili sado që të sulmohet apo kritikohet, mbetet një projekt i suksesshëm. Kjo është edhe hipoteka e tij në këto zgjedhje. Po ashtu, ai nuk ka kurrsesi shkallën e konsumit të Berishës apo Nanos. Ndoshta edhe të Metës. Fokusi në këto zgjedhje nuk do të jenë letrat, por personi, oferta që bën Rama dhe stafi i tij, dhe jo aq shumë ato që thuhen dhe ofrohen nëpër programe. Me fjalë të varfra, kjo do të përmblidhej në realizimin e reformave standarde që kanë të bëjnë jo me gjërat e reja, por me problemet e vjetra. Pra, nëse Rama do të ketë vullnetin dhe aftësinë për të zgjidhur problemin e infrastrukturës, furnizimit me energji elektrike, ujin e pijshëm, përmbylljen e procesit të integrimit, heqjen e vizave etj., ringjalljen e bujqësisë, një arsim që të dalë nga situata ky vegjeton etj., - pra nëse arrin suksese në këto drejtime, ka bërë gjithçka.
Së fundi, zoti Berisha, ka refuzuar pak ditë më parë shefen e misionit të OSBE/ODIHR-it, ambasadoren Glover. Por, në anën tjetër, ai ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar që të ketë monitorim maksimal gjatë procesit. Si shpjegohet një fakt i tillë? Mos ndoshta është një alibi e zotit Berisha për kontestin, apo humbjen zgjedhore?
Nëse njohim zotin Berisha do të kuptojmë se ai ka disa ide fikse mbi të cilat operon në politikë. Nëse ai nuk e ka pëlqyer 13 vjet më parë zonjën Glover, të jeni të sigurt se ai nuk e pëlqen as tani. Pra, zonja Glover ndodhet e skeduar në kujtesën e zotit Berisha si një “person që nuk duhet bërë biznes”, sepse ka pasur një përvojë të keqe me të në atë kohë. Me lejoni që të kujtoj se nuk ka qenë faji i zonjës Glover që pozita e asaj kohe mori vendimin qesharak për të rrahur opozitën në mes të sheshit “Skënderbej”, dy ditë pas zgjedhjeve; nuk ka qenë faji i zonjës Glover që nëse amerikanët i kërkuan Berishës që të përsëriste zgjedhjet në 40 zona, ai e bëri një gjë të tillë vetëm për 17 zona, pra duke e kthyer procesin nul. Pra, ai nuk njohu realitetin e zgjedhjeve të 26 majit, ku votat u vodhën në mënyrë të hapur, çka solli edhe bojkotin e opozitës. Pra, nuk është faji i zonjës Glover se ne në atë kohë ishim më shumë një karikaturë demokratike, sesa një shtet demokratik. Besoj se nuk mund të atakohet një personalitet i tillë si ai i zonjës Glover që ka kryer misione të ngjashme monitoruese në të gjitha vendet e Lindjes Europiane; që është një nga ekspertet më të spikatura të monitorimit të proceseve zgjedhore brenda ODIHR-it. Pra, ajo ofron të gjitha garancitë e duhura për të vëzhgim të paanshëm dhe një raport të balancuar për zgjedhjet e 28 qershorit. Besoj se ka qenë një gafë ajo që bëri Berisha me zonjën Glover. Kjo është pjesë e traditës së zotit Berisha, duke i krijuar vetë krizat, pa qenë nevoja e ndërhyrjes së opozitës apo faktorëve të tjerë. Zoti Berisha e fut veten në mënyrë ciklike dhe të panevojshme në telashe të kota dhe refuzimi i zonjës Glover është njëri prej tyre. Zoti Berisha e ka shumë të qartë se një vend anëtar i NATO-s nuk mund të sillet në këtë mënyrë me partnerët e tij; dhe zonja Glover është përfaqësuese e një vendi partner të NATO-s, me të cilin ne kemi marrëdhënie të vjetra, që do të kemi marrëdhënie dhe që ka peshë shumë të madhe për Shqipërinë në kuadrin e integrimeve europiane dhe euroatlantike.
Bisedoi Albert Gjoka
22 Maj 2009