E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçarët kërcënohen nga sëmundja e qenit

22/05/2009  Sipas veterinerit Shpëtim Agolli, ekinokoku mbetet rrezik, janë shtuar qentë rrugaçë

KORÇE- Jeta e banorëve të qytetit të Korçës po kërcënohet çdo ditë e më shumë nga sëmundja e qenit ose ekinokoku. Kjo për të vetmen arsye, sepse lukuni të tëra qensh, tashmë kanë zbritur nga periferitë e këtij qyteti dhe kanë zënë vend në qendër të Korçës, në shëtitore, në lulishte dhe parqe.

Rreziku

Pa asnjë hezitim qentë mund t’i gjesh në çdo çast te kazanët e plehrave, nëpër rrugë dhe pranë çdo cepi shtëpie. Ndërkaq, frika e banorëve tashmë i ka kapërcyer limitet e veta, sepse aktualisht po shqetësohen gjithnjë e më shumë mbi mundësinë e përhapjes të ndonjë epidemie, ose siç njihet ndryshe me emrin “sëmundja e qenit”, e cila shkencërisht njihet me termin “Ekinokoku”. Në të vërtetë Bashkia e Korçë ka nxjerrë një urdhër, si për eliminimin e qenve rrugaçë, ashtu edhe për mbajtjen e qenve shtëpiakë brenda banesave të tyre, por deri më sot, ky urdhër nuk ka gjetur asnjë zbatim. Ndërsa vera po bëhet çdo ditë e më e nxehtë edhe sëmundja e ekinokokut ka të gjitha gjasat të bëhet gjithnjë e më e pranishme dhe më e rrezikshme. Arsyeja ose justifikimi që nga nxjerrë Bashkia e Korçës, (serioze ose jo) ka të bëjë me faktin, që sipas saj, deri më sot nuk ka mundur të gjejë një vendgroposje për qentë që do të vriten. Dr. Shpëtim Agolli, thotë shprehimisht se kjo sëmundje rrezikon jetën e njerëzve.

Sipas Agollit, kafshët e prekura nga ekinokoku infektojnë tokën, ujin, perimet, agrumet, pemët, por edhe pluhurin e ajrit. Në organizimin e njeriut dhe te kafshët barngrënëse shoqërohet me zhvillimin e formës larvore (mëshikëzave) në mëlçi dhe organe të tjera, duke dhënë altracione kërcënuese për jetën. Te mishngrënësit, si mbartës definitiv të shkaktarit, format e rritura të parazitit lokalizohen në zorrët e holla. Forma e rritur e parazitit ka një gjatësi 2-5 ose 5-8 mm, i ndarë në 3-4 segmente (proglotide). Paraziti ka një kokë me 28-50 të ashtuquajtura çengel me dy radhë. Në kokë ka dhe katër ventuza që së bashku me çengelat bëjnë të mundur kapjen në mukozën e zorrëve të mishngrënësve, thithjen e gjakut dhe derdhjen e nënprodukteve toksike.

INFEKTIMI

Kafshët e prekura nga ekinokoku infektojnë tokën, ujin, perimet, agrumet, pemët, por edhe pluhurin e ajrit. Në organizimin e njeriut dhe te kafshët barngrënëse shoqërohet me zhvillimin e formës larvore në mëlçi dhe organe të tjera, duke dhënë altracione kërcënuese për jetën.

PASOJAT

Sipas dr. Shpëtim Agolli, njerëzit e prekur nga sëmundja e ekinokokut dobësohen, tronditen, humbasin aftësinë për punë, disa herë mbeten invalidë dhe kur nuk bëhet ndërhyrja kirurgjikale e nevojshme dhe e shpejtë mund të rrezikojnë edhe jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›