E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të ndërhyjnë ndërkombëtarët?

Kastriot Islami Klasa politike e veçanërisht opozita, nga njëra anë kanë shpërfillur me mungesë të plotë pjekurie dhe mendjemadhësi, naivitet e mendësi të vjetër vlerësimet, qëndrimet, rekomandimet, raportet dhe këshillat e ndërkombëtarëve. Nga ana tjetër, kërkojnë ndërhyrjen për moderim të ndërkombëtarëve por pa lëshuar deri tani aspak nga qëndrimet e tyre fikse. Më keq paraqitet opozita. Ndërkombëtarët janë të shqetësuar nga situata, nga tejzgjatja dhe acarimi i saj, por mbi të gjitha që nuk po gjendet zgjidhja nga vetë klasa politike shqiptare. Deri tani për ndërkombëtarët arsyet kanë qenë të shumta për të mos ndërhyrë dhe lënë zgjidhjen në duart e klasës politike shqiptare. Ata e kishin të qartë se secila forcë politike, sidomos opozita, kërkonte të siguronte mbështetjen e tyre apo së paku, të krijonte përshtypjen se kishte mbështetjen e tyre për të fituar betejën politike të brendshme politike; sëmundje gjenetike kjo e politikës shqiptare. Dhe në shumë raste, veçanërisht opozita, kur nuk arrinin të siguronin mbështetjen e menduar i ktheheshin shpërfilljes të rekomandimeve të tyre duke shkuar deri në aplikimin e politikes së “we don’t care” (shqip: “nuk çajme kokën fare çfarë thoni ju”). Bile kohët e fundit, personazhe politikë joseriozë u përpoqën të shkonin më larg me idetë dhe veprimet “për të krijuar krizë e destabilitet” me gjykimin se “kjo do të ishte e vetmja mënyrë për të tërhequr vëmendjen e ndërkombëtarëve”. Cilat mund të ishin disa prej arsyeve përse deri tani ndërkombëtarët nuk kanë ndërhyrë dhe nëse do të ndërhynin në të ardhmen. Dhe mbi të gjitha a do të ndërhyjnë dhe çfarë mund të sillte ndërhyrja e tyre. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe shumë shpejt kandidat për në BEAta nuk kanë ndërhyrë se Shqipëria konsiderohet formalisht “mjaftueshmërisht e pjekur” (që mesa duket mbetet për t’u testuar) për të parandaluar, shmangur, menaxhuar dhe zgjidhur vetë të gjithë llojet e situatave apo bllokimeve politike, ashtu siç veprojnë të gjithë vendet anëtare të këtyre dy familjeve të vlerave. Nuk është në traditën e NATO dhe BE apo të vendeve të tyre të ndërhyjnë në një vend anëtar të së njëjtës familje për zgjidhjen e situatave të ndryshme politike. Po natyrisht kjo nuk do të përjashtonte një asistencë të tyre për të ndihmuar daljen nga kjo situatë komplekse me dinamikë të paparashikueshme, ndonëse kjo do të ishte një ndërhyrje atipike, por që mund të bëhej e pashmangshme po t’i referohemi leximit të tyre për situatën aktuale që nuk është gjë tjetër veçse një përsëritje e një traditë të vjetër e të njohur prej tyre. OSBE/ODIHR kanë publikuar raportin për zgjedhjet dhe vendet e NATO e BE  e kanë mbështetur atëAta nuk kanë ndërhyrë sepse “arbitri” ndërkombëtar, OSBE/ODIHR i ka vëzhguar zgjedhjet dhe ka publikuar raportin përfundimtar. Ndryshe kapitulli i zgjedhjeve është i mbyllur dhe Shqipëria duhet të orientohet nga e ardhmja për të përmirësuar cilësinë e zgjedhjeve të ardhshme. Vendet anëtare të OSBE, SHBA dhe vendet e BE, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi, kanë pranuar dhe mbështetur përfundimet e rekomandimet e këtij raporti. Nga një lexim integral i këtij Raporti, realist e objektiv, por mbi të gjitha perspektiv i tërhiqet vëmendja i) maxhorancës të angazhohet për të garantuar zgjedhje e ardhshme në përputhje të plotë me normat demokratike për shkak se standardet nuk u arritën plotësisht dhe ii) opozitës bazuar në legjitimitetin e plotë të zgjedhjeve,  të ndalë bojkotin dhe të futet në Kuvend për të dhënë kontributin e saj për  reformat integruese evropiane. Maxhoranca dhe opozita kanë keqlexuar qëllimisht vlerësimet dhe qëndrimet e ndërkombëtarëveAta nuk kanë ndërhyrë sepse prisnin që sjellja tipike e lidershipit politik shqiptar të mos përsëritej. Ata e dinë shumë mirë se sa herë lidershipi shqiptar është në pozitë të vështirë kërkon ndërhyrjen e tyre. Sa herë që ndërkombëtarët thonë diçka në favorin e tyre apo u duket në favorin e tyre ata e hiperbolizojnë sugjerimin e tyre dhe e paraqesin si mbështetjen vetëm ndaj tyre. Sa herë që ndërkombëtarët bëjnë vërejtje apo japin këshilla lidershipi shqiptar gjithnjë e më shumë po bëhet refraktar duke u shprehur së “jemi vend sovran” dhe “ne nuk e çajmë kokën” (we don’t care) për çfarë thonë ndërkombëtarët. Tipike në këto 19 vjet është edhe keqleximi i vlerësimeve dhe qëndrimeve të ndërkombëtarëve; ato lexohen në mënyrë të pjesshme, selektive e spekulative dhe gjithnjë paraqiten sikur të ishin në favorin e tyre. Konkretisht maxhoranca e lexon përgjysmë qëndrimin e ndërkombëtarëve duke fshehur mosarritjen e plotë te standardeve në zgjedhjeve. Kurse opozita keqlexon qëndrimet e tyre sikur ata “nuk flasin kundër bojkotit” dhe përpiqet të argumentojë se “zgjedhjet ishin ilegjitime” për shkak “të keqnumërimit në një të tretën e zonave” (gjë që nuk është aspak e vërtetë) dhe se gjoja ata ia “lënë të gjithë zgjidhjen vetëm maxhorancës”. Ndërkombëtarët kërkojnë qartas që “opozita të futet në Kuvend” dhe maxhoranca “të krijojë të gjithë kushtet për pjesëmarrjen e opozitës në kryerjen e të gjithë reformave në të ardhmen” pra e gjithë beteja politike të bëhet bazuar në rregullat e demokracisë parlamentare. çdo lexim tjetër është i gabuar. Ata e konsiderojnë si shpërfillje të vlerësimeve rekomandimeve të tyre. Në thelb ata e quajnë këtë papjekuri të lidershipit shqiptar.Ndërkombëtarët e kanë të qartë se çfarë ndodh dhe nuk është e vërtetë se “..ata nuk kanë informacion dhe nuk e dinë mirë gjendjen” ...”.Ata nuk kanë ndërhyrë sepse e dinë që sa herë që lidershipi politik shqiptar është i pakënaqur me vlerësimet dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve, një nga reagimet e tyre është se i) ndërkombëtarët nuk kanë informacionin e mjaftueshëm, ii) ato nuk e kuptojnë mirë situatën, iii) atyre nuk iu interesojnë parimet e demokracisë apo të drejtat e njeriut por vetëm siguria dhe stabiliteti i vendit në kurriz të parimeve. është krejtësisht e gabuar të mendohet se ndërkombëtarët nuk kanë informacionin mbi situatën, ndërkohë që informacionet për situatën në Shqipëri nga burime të ndryshme janë të plota e integrale dhe për më tepër qarkullojnë midis tyre. Edhe njohjen për situatën e kanë të plotë e të thellë. Natyrisht e kanë të vështirë të kuptojnë sjelljet bizantine, tipike ballkanike e komuniste dhe nuk mirëkuptojnë mungesën e zgjidhjes, zvarritjen e zgjidhjeve apo zgjidhjet e çastit të fundit nga lidershipi politik. Konkretisht situata aktuale është për ta jonormale për një vend demokratik deri në kufijtë e një bllokimi apo qorrsokaku me pasoja për kryerjen e reformave me shumicë të cilësuar në Kuvend. Situatë që mund të pengojë marrjen e statutit të vendit kandidat dhe in ekstremis edhe të frenojë liberalizimin e vizave ndonëse deri tani është thënë se ky proces do te përfundojë ne mesin e vitit tjetër kur të përmbushen vetëm disa kërkesa teknike. Thelbi i kësaj “krize/qorrsokaku politik” vlerësohet prej tyre me burim artificial. Kjo sjellje konsiderohet prej tyre si “precedent i rrezikshëm” apo praktika e radhës në “rrethin vicioz shqiptar”. Teza për të krijuar “krizë e destabilitet” duke shpërfillur fillimisht ndërkombëtarët dhe më tej tërhequr vëmendjen e tyre është e njohur prej tyre, konsiderohet e gabuar dhe në asnjë rast nuk do të gjente përkrahje.  Ndërkombëtarët e kanë të qartë se për çfarë fshihet realisht pas “betejës për votën e lirë”...Ata nuk kanë ndërhyrë sepse për ta është e qartë se e gjithë “kjo betejë nuk është aq parimore sa ç’kërkohet të shitet”. Sepse për ndërkombëtarët prioritet është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sidomos në gjirin e politikës. Shqetësim i tyre i madh mbetet kapja e shtetit nga politika në bashkëpunim me biznesin dhe median. Dhe mbi të gjitha konsiderojnë rrezik lidhjen e politikës me biznesin e dyshimtë e median përkatëse dhe implikimin e tyre në afera kurruptive; jo rrallë edhe me bashkëpunim të krimit të organizuar, vendas, rajonal e ndërkombëtar. Dhe fatkeqësisht po ashtu si shqiptarët që votuan pothuajse në mënyrë të barabartë për dy ofertat kryesore që ju ofruan ata përgjithësisht i vlerësojnë po ashtu simetrike të dy opsionet, edhe në aspektin e lidhjeve me aferat kryesore korruptive. Ata e perceptojnë përplasjen aktuale më pak si një “betejë për votën e lirë” sesa një “luftë për pushtet” midis grupimesh që kanë “integritet moral” pothuajse të njëjtë dhe perceptime publike gati të njëllojta përsa i përket korrupsionit dhe kapjes së shtetit. Dhe ata e kanë të gjithë informacionin dhe dijeninë për këtë thelb pavarësisht se interlokutorët shqiptarë të partive kujtojnë apo gjykojnë apo akoma më keq përpiqen te krijojnë përshtypjen se ata “nuk e kanë informacionin e duhur” apo “nuk e njohin mirë situatën” apo deri në marrëzi “se nuk na paskan nivelin adekuat profesional”. Për çështjen e korrupsionit, krimit të organizuar dhe të trafiqeve dhe të lidhjeve të politikës me to kanë informacion të plotë e të saktë sepse kjo lidhet me impaktin që këto dukuri kanë në vendet e tyre. Ndërkombëtarët nuk arrijnë të shikojnë një “zgjidhje kompromisi” por vetëm “luftë pa kompromis për pushtet”.Ata nuk kanë ndërhyrë sepse në mënyrë racionale, ata e kanë të vështirë të gjejnë një zgjidhje kompromisi midis qëndrimeve diametralisht të kundërta të “hapjes dhe moshapjes së kutive”, të “legjitimitetit dhe ilegjimitetit të Kuvendit”, “të pranimit dhe të mospranimit të rezultatit të zgjedhjeve”, të “zgjedhjeve të parakohshme dhe të mandatit të plotë të Kuvendit”. Për ndërkombëtarët është e pamundur të gjendet një zgjidhje kompromisi kur opozita kërkon të jetë maxhorancë dhe maxhorancë kërkon të mbetet maxhorancë, në këtë betejë pa kompromis për pushtet. është e nevojshme që publiku shqiptar të ndërgjegjësohet për faktin se jashtë Shqipërisë, përgjithësisht partnerët ndërkombëtarë i) zgjedhjet i konsiderojnë një kapitull të mbyllur; ii) Kuvendin dhe maxhorancën aktuale i konsiderojnë legjitime, iii) hapjen e kutive një çështje që nuk ka bazë ligjore (por një çështje të brendshme), iv) bojkotin e Kuvendit një praktikë të dënueshme; v) zgjedhjet e parakohshme. Kërkesa për “zgjedhje të parakohshme” përmes veprimeve të rrugës nuk u duket se ka bazë politike e ligjore dhe është me kosto të lartë për vendin, aq më tepër që me konsensus kjo opozitë dhe kjo maxhorancë kanë bërë tanimë ndryshimet kushtetuese për të shmangur në mënyrë institucionale maksimalisht zgjedhjet e parakohshme. Qëndrimi i ndërkombëtarëve është unik. Edhe ata që flasin edhe ata që duken sikur heshtin, edhe ata që i bëjnë thirrje të forta opozitës për të ndërprerë bojkotin edhe ata që kritikojnë qeverinë për luftën kundër korrupsionit, kërkojnë pa përjashtim që të gjithë politikanët të veprojnë në Kuvend pra të zhvillojnë demokracinë parlamentare. Askush nuk mbështet një skenar destabiliteti politik për çfarëdolloj arsyeje apo “shkaku”, qoftë edhe krizë ekonomike, në mënyrë që njëra forcë politike të realizojë qëllimin politik të marrjes së pushtetit.Në vend të një përfundimi...Këto janë vetëm disa nga arsyet përse ndërkombëtarët nuk kanë ndërhyrë deri tani. Ky qëndrim është bërë i ditur publikisht dhe/ose në takime zyrtare. Fatkeqësisht të gjitha këto qëndrime janë keqlexuar apo akoma më keq shpërfillur. Edhe mosndërhyrjen e ndërkombëtarëve një pjesë e lidershipit e ka marrë si mbështetje për opsionin e tij apo si lënie e duarve të lira për të vazhduar opsionin “të thellimit të krizës apo deri edhe të destabilitetit”. Po ashtu ata ndoqën me kërshëri edhe betejën e fundit, me tone dha akuza direkte, shpifje dhe gjuhë agresive, individuale dhe me rreshtim frontal, duke pritur që aktorët e politikës shqiptare të lodhen. Ndoshta pas “balancimit të armatosjes” dhe presionit të tyre në rritje po presin të vijë faza e reflektimit për negocim. Me shpresë por më shumë skeptikë për gjetjen e zgjidhjes nga vetë shqiptarët. Përfundimisht ata janë të zhgënjyer, edhe këtë herë ashtu si çdo herë tjetër. Dhe për më tepër që ata kuptojnë se prapa të gjithë kësaj situate fshihet “beteja alla shqiptare për pushtet politik e ekonomik”. Mbetet për t’u vlerësuar nëse do të ndërhyjnë; gjë që duket se përsëri do të ndodhë. Kur ekzaktësisht; duket para përfundimit të afatit 6 mujor të mandatit të deputetëve. Cilat do të ishin termat e referencës mbi të cilat do të negociohej dhe gjendej zgjidhja. Duket që zgjidhja nuk do të ishte e lehtë për tu arritur, sepse për tri çështje jo vetëm do të ishte i pamundur kompromisi por edhe sepse ai do të kthehej në një precedent të rrezikshëm. Hapja e kutive, legjitimiteti i cunguar i Kuvendit dhe zgjedhjet e parakohshme duken çështje për të cilat qëndrimet e palëve janë diametralisht të kundërta. Të tria çështjet janë të ndërlidhura dhe një farë mënyrë janë “sinonime” të njëra tjetrës. Nga pozicionet aktuale nuk duket se mund të gjendet një pikë takimi për një, dy apo këto tri çështje një nga një apo së bashku. Bile nëse nga ndërhyrja e ndërkombëtarëve do të arrihej në kompromisin për zgjedhje të parakohshme atëherë dy dukuri do të kishin shanse të larta të ndodhnin 1) zgjedhjet e ardhshme të zhvilloheshin në një klimë konfliktuale aq të lartë dhe me tiparet e një beteje “luftarake” saqë rezultati i tyre me probabilitet të lartë do të kontestohej përsëri dhe/ose 2) pas zgjedhjeve opozita e ardhshme do të aplikonte të njëjtën strategji, bile më intensivisht. Mekanizmi i ndërhyrjes mbetet për tu vendosur. Ndërkombëtarët për të mos qenë tërësisht të implikuar në çështjet e brendshme do të preferonin të fusnin në lojë Presidentin e Republikës, të asistuar prej tyre, gjë që ende nuk është pranuar nga palët, por që në rastin e një kontributi ndërkombëtar do të ishte e vështirë të mos pranohej. Duket se pas vitit të ri do të shkohet drejt një zgjidhje pavarësisht vazhdimit të “armatosjes psikologjike” të publikut përmes retorikës së rënduar të lidershipit dhe rreshtimit frontal “ushtarëve të bindur” në dy llogore, njëra në Kuvend e qeveri dhe tjetra në rrugë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›