E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Partitë të ulin armët dhe të mbyllin konfliktin”

 Genc MllojaAmbasadori danez, Karsten Ankjaer Jensen shprehet se partitë politike duhet detyrimisht të nisin dialogun për uljen e konfliktit të krijuar.  Në një intervistë diplomati danez e cilëson si urgjente dialogun dhe se në procesin e anëtarësimit në BE gjithçka varet nga vetë klasa politike shqiptare.Sa e rëndë ju duket situata politike aktuale në Shqipëri? Rregullat e funksionimit të BE-së përfshijnë shtetin e së drejtës, dialogun e qytetëruar, dhe jo më pak se ato, kompromisin. Pa to, bashkimi i 27 vendeve me pikëpamje gjerësisht të ndryshme, thjesht nuk do të mundej të funksiononte. Shqipëria dëshiron të anëtarësohet. Dhe çdokush dëshiron që Shqipëria të anëtarësohet. Por vitet e fundit në këto tre fusha Shqipëria ka bërë hapa të konsiderueshëm prapa. Dhe në javët e fundit, padyshim. Shumë sinqerisht, zhvillimet nuk janë në përputhje me vlerat, që qëndrojnë në thelb të Bashkimit, dhe po ashtu të anëtarësimit në BE. Sikurse tha përpara disa ditësh, Ministri i Jashtëm i Presidencës së BE-së, Bildt, partitë duhet të ulen, të flasin me njëra-tjetrën dhe të gjejnë një zgjidhje. Sigurisht që është e vështirë. Tensionet janë në rritje. Por  mendoni për një moment: Nëse klasa politike shqiptare nuk është në gjendje t’i gjejë zgjidhje një krize politike të krijuar nga vetë ajo, si mundet të japë një kontribut pozitiv në Evropë? Me rastin e fundit, si mundet Shqipëria të shpresojë të bëhet anëtare? Kur juve ju shkon në mend të drejtoni pyetje të tilla, gjendja duket se është serioze. Po për sa i përket bojkotit të Parlamentit nga opozita?Parlamenti është një institucion themelor në një demokraci moderne. Bojkotimi i Parlamentit nuk është mënyra e reagimit në një demokraci, në kuptimin e saj të vërtetë. Megjithatë, bojkotin e shoh më shumë si një simptomë se sa si sëmundjen vetë. Dhe sëmundja është shtimi i mungesës së besimit tek institucionet e qeverisë dhe të shoqërisë. Jo, pa arsye, më vjen keq ta them. Institucionet publike janë shtyllat e demokracisë. Nëse ato nuk lejohen të ushtrojnë forcën dhe paanshmërinë e nevojshme, për të siguruar rregulla të njëjta për të gjithë, atëherë demokracia vuan. Kjo duhet të preokupojë të gjithë shqiptarët, edhe nëse ata nuk janë të interesuar në politikë. Kështu keqpërdorimi i politikës dhe korrupsioni janë jo vetëm moralisht të gabuara. Përse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët? Nuk mund ta bëjmë këtë. Shqipëria i ka të gjitha institucionet e një demokracie. është në dorë të popullit shqiptar për t’i bërë ato funksionuese. Ne nuk mund t’i detyrojmë shqiptarët apo klasën tuaj politike të bëjnë zgjedhjet e duhura. Sikurse vepron ndonjë prej nesh, herë pas here, ajo çka ne mund të bëjmë, është t’ju informojmë rreth pasojave të veprimeve tuaja. Megjithatë, zgjedhjet janë në dorë të shqiptarëve. Po ku, në cilat fusha, është injoruar këshilla e komunitetit ndërkombëtar? Më lejoni të jap disa shembuj. Shembulli i parë: Unë dhe shumë kolegë, shumë herë, kemi paralajmëruar për pasojat e korrupsionit në aftësinë e Shqipërisë për t’u zhvilluar dhe hyrë në BE. Megjithatë, raporti i fundit i “Transparency International”, i cili është edhe pikë e njohur referimi  në nivel ndërkombëtar,  tregoi një rënie të madhe në renditjen ndërkombëtare të Shqipërisë. Ky është lajm i keq për Shqipërinë, jo vetëm në lidhje me anëtarësimin e saj në BE. është një frenim i madh i përpjekjeve për ta paraqitur Shqipërinë si një mundësi tërheqëse investimi për kompanitë ndërkombëtare. Pra, nuk është bërë shumë për ta ulur në mënyrë efektive korrupsionin. Disa individë në nivele të ulëta janë goditur. Shembulli i dytë: Ndërkombëtarët, shumë herë, janë lutur që Shqipëria të heqë dorë nga zakoni i pushimit të njerëzve nga puna në sektorin publik, sa herë që ka ndonjë ndryshim në udhëheqje. Praktika e heqjes nga puna e personave të kualifikuar, cilado qoftë arsyeja, padyshim, siguron se anëtarësimi në BE dhe liberalizimi i vizave do të shtyhen edhe më tej në të ardhmen. Shumë sinqerisht: ju po dëmtoni veten tuaj. As anëtarësimi në BE, as liberalizimi i vizave nuk do të vijnë si dhurata në pako. është një shpërblim për një punë të kryer më së miri. Kështu që koha dhe vendi është me të vërtetë në dorë të Shqipërisë dhe shqiptarëve. BE-ja dhe shtetet anëtare të saj po presin vetëm që Shqipëria të jetë gati. Fati i të ardhmes tuaj është me të vërtetë në duart tuaja. Shembulli i tretë: Dy herë në vit, Komisioni i BE-së kryen një vlerësim për përparimin e Shqipërisë në të gjitha fushat që kanë lidhje me anëtarësimin në BE. Raportet, gjithashtu, përmbajnë rekomandime rreth detyrave që Shqipëria duhet të kryejë për të arritur këtë synim. Shprehja më e përdorur në raportin e fundit të BE-së ishte “pak progres”, nëse e kujtoj mirë. Në politikën shqiptare, duket të jetë një përshtypje e zakonshme, se nëse keni disa miq të mirë brenda BE-së, atëherë jeni të sigurt se do të bëheni anëtar. Miqtë tuaj do të kujdesen për ju.  Fatkeqësisht, nuk është kjo mënyra e funksionimit të BE-së. Anëtarësimi kërkon që të gjithë vendet anëtare të bien dakord. Pa përmbushur kërkesat, Shqipëria do ta ketë të vështirë arritjen e një konsensusi të 27 vendeve. Po e them këtë në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë, sepse dëshiroj që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë funksionimin e BE-së. Në fund të fundit, votuesit dhe taksapaguesit evropianë janë ata që do të vendosin. Kështu, ju nuk duhet të prisni marrjen e mbështetjes së tyre përpara se Shqipëria të ketë vullnetin dhe aftësinë e përmbushjes së kërkesave dhe t’u përmbahet rregullave të BE-së. Ju, me të vërtetë, duhet të tregoni, se jeni gati të kontribuoni pozitivisht në Bashkim, çdo vend dhe çdo parlament i Bashkimit duhet të bindet që Shqipëria do të jetë një shtesë pozitive dhe jo një barrë, në familjen evropiane. Ky është thelbi. Evropa dhe shtetet anëtare të saj, i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve një perspektivë për anëtarësim në një nga familjet më të begata në botë. Duke vepruar në këtë mënyrë, të gjithë evropianët, pa mëdyshje, kanë treguar besimin te Shqipëria dhe shqiptarët.  E kemi treguar atë besim me veprat tona, si kombe të veçanta dhe si BE. Kemi bërë ç’është e mundur dhe kemi bërë pasur shpenzime të mëdha për t’ju ndihmuar në arritjen e synimit tuaj.  Dhe vendet apo organizatat e tjera ndërkombëtare kanë vepruar kështu. Megjithatë, fati dhe e ardhmja e Shqipërisë dhe shqiptarëve me të vërtetë është në duart tuaja. Veprat tuaja, vetëm veprat tuaja, janë ato që i realizojnë apo i thyejnë shpresat për të ardhmen.Z. Ambasador po tregoheni jo si zakonisht, i drejtpërdrejtë, pa petkun e diplomatit…   Zakonisht diplomatët flasin në ato mënyra, ku edhe kritika më e ashpër paraqitet si një përgëzim. Kjo i shërben një qëllimi të mirë, sepse ul tensionet. Megjithatë nëse dëgjuesi nuk e kupton mesazhin, apo e dëgjon atë në mënyrë të gabuar, atëherë duhet ndryshuar mënyra e të komunikuarit. Ne nuk mund ta ndihmojmë Shqipërinë të ndihmojë veten, nëse nuk e themi të vërtetën në atë mënyrë që njerëzit ta kuptojnë. Ndryshe, ju nuk do të mund të merrni vendimet e duhura.Po flas hapur, sepse me të vërtetë besoj se Shqipëria, që nga zgjedhjet, dhe veçanërisht gjatë dy javëve të fundit, e ka shtyrë në drejtimin e gabuar, datën në të cilën ne do të mund t’i uronim Shqipërisë dhe shqiptarëve mirëseardhjen në familjen evropiane. Politika e jashtme dhe toleranca fetare e Shqipërisë janë të pashoqe, dhe shumë nga ne brenda BE-së mund të mësojnë nga kjo. Në fakt, për mendimin tim, jeni të nivelit botëror në ato fusha. Shqipëria dhe shqiptarët, që ne ftuam të bashkohen në NATO dhe që synojnë anëtarësimin në BE, ishin ata individë që përfaqësojnë anët më të mira të vendit dhe kombit tuaj, dhe një të ardhme të ndritur e të begatë. Ne nuk ftuam anën e errët: Ne nuk ftuam Shqipërinë e gjymtuar nga korrupsioni, institucionet e shtrembëruara dhe të bllokuara politikisht. Por edhe njëherë: nuk është Danimarka apo BE-ja që kontrollon të ardhmen e Shqipërisë. Ajo është në dorë të shqiptarëve dhe të klasës tuaj politike. Ajo çfarë ka bërë pjesa tjetër e Evropës, është drejtimi i një ftese për një të ardhme më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. është zgjedhja juaj, nëse do ta pranoni ftesën tonë duke bërë atë çka duhet. Për disa ky mund të duket një mesazh i zymtë, por mendoni pak: Sa herë në histori, shqiptarët kanë qenë në gjendje të vendosin për veten e tyre se ku duhet të shkojnë? Tani e keni një zgjedhje. Tradicionalisht, pushimet e fundvitit janë për t’u gëzuar, për të mbyllur konfliktin dhe për të ulur armët. Gjithashtu është një kohë ku shumica prej nesh reflektojnë rreth të kaluarës dhe të ardhmes. E gjithë kjo duket se është urgjentisht e nevojshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›