E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Meta: Duhet kontributi i opozitës

 Aristir LumeziIlir Meta kërkoi dje kontributin e socialistëve në procesin e integrimit, ndërsa i cilësoi deklaratat për krizë ekonomike si tensione false. Kryetari i LSI-së, njëkohësisht zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta zhvilloi dje takime me strukturat e kësaj partie në qarkun e Elbasanit. Duke folur për situatën politike në vend dhe përpjekjet e qeverisë në procesin e integrimit, Meta i ka bërë thirrje opozitës të lerë retorikat dhe të japë kontributin e saj në këtë proces. “Ne jemi këtu ku jemi, në një proces intensiv integrimi dhe ata që ngrenë këto retorika, përpara se të përpiqen të shpërndajnë tym të panevojshëm duhet të japin kontributin e tyre edhe për liberalizimin e vizave, edhe për Pyetësorin e Komisionit Europian, sepse ai është pyetësor për Shqipërinë, nuk është vetëm për qeverinë, edhe për gjithë proceset e tjera integruese”, u shpreh Meta dje në Elbasan. Në këtë takim, kryetari i LSI-së shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm Petrit Vasili. Sipas kreut të LSI-së: “Sot duhet të heqim dorë nga retorika se Shqipëria ka mbetur vendi i fundit”. “Atyre që përdorin këtë retorikë mund t’u bëjmë një pyetje; kur ka qenë Shqipëria vendi i parë në rajon? Ka qenë Shqipëria vend i parë në rajon në kohën e Zogut?! Ka qenë në kohën e Haxhi Qamilit, ka qenë në kohën e Enver Hoxhës?! Mendoj se retorika të tilla boshe që nuk sjellin asnjë alternativë janë thjesht, spekulime të rëndomta”, u shpreh Meta. Duke folur për debatin rreth krizës ekonomike në vend, zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm tha se Qeveria e ka orientuar vendin në rrugën e duhur, që të mos e ndjejë krizën që ka prekur vendet e rajonit. “Jam i bindur që duke ruajtur atë orientim konstruktiv të LSI-së në politikën shqiptare, duke iu shmangur tensioneve false, që bëhen vetëm për interesa personale, ne do të vazhdojmë të zhvillojmë dhe të orientojmë gjithë politikën drejt zhvillimeve konstruktive, zhvillimeve integruese dhe drejt atyre zhvillimeve që ndihmojnë qytetarët shqiptarë të realizojnë aspiratat e tyre”, tha Meta. Ministri i Jashtëm foli dhe për procesin pozitiv, ku po ecën qeveria për liberalizimin e vendit. “Në këto tre katër muaj është bërë një progres spektakolar me arritjen e standardeve për liberalizimin e vizave. Nga pothuaj asnjë pasaportë biometrike janë gati mbi 300 mijë pasaporta biometrike që janë prodhuar dhe unë i ftoj të gjithë të aplikojnë”, tha Meta.PS: Vizat, Berisha falje shqiptarëveDeputeti i PS-së, Ditmir Bushati deklaroi dje se “Shqipëria mbeti e fundit në procesin e liberalizimit të vizave për shkak të dështimit të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, kritere këto të njëjta për 5 vendet të rajonit”. “është koha që të nxirren mësime e përgjegjësi nga dështimi i qeverisë Berisha në përmbushjen e standardeve të kërkuara për heqjen e vizave. është koha që Sali Berisha t’i kërkojë ndjesë shqiptarëve për dështimin e qeverisë së tij dhe për izolimin që sot përjetojmë në dallim nga fqinjët tanë”, deklaroi deputeti Bushati. Sipas tij, “bashkë me ndjesën për shqiptarët, Sali Berisha duhet të pranojë kërkesën legjitime të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit, si e vetmja rrugë për fillimin e një dialogu politik dhe mos ta vonojë më këtë vend drejt integrimit Evropian dhe lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›