Socialistët, protesta e fundit para Kuvendit për hapjen e kutive
Socialistët do të zhvillojnë sot pasdite protestën e fundit për vitin 2009. Ndryshe nga herët e tjera, PS do të mbledhë mbështetësit e saj përpara godinës së Parlamentit dhe jo godinës së Kryeministrisë. Në dy protestat e fundit të zhvilluara pas zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat ajo i konteston si të cunguara në standarde dhe kërkon transparencën e tyre, socialistët kanë protestuar para godinës së Kryeministrisë, pasi kërkesa e tyre për hapjen e kutive të votimit i adresohej kryeministrit Berisha. Pas 20 nëntorit, kur u zhvillua tubimi tre ditor, socialistët kërkojnë hapjen e kutive ose largimin e kryeministrit. Gjatë gjithë periudhës pas zgjedhore, socialistët e kanë cilësuar Kuvendin si jo legjitim, prandaj dhe sot do ta pozicionojnë protestën e tyre para godinës së parlamentit. Protesta e sotme e socialistëve do të zhvillohet vetëm nga PS e Tiranës në bashkëpunim me pushtetin vendor të saj, bashkinë e madhe dhe njësitë bashkiake të kryeqytetit ku ajo drejton me të zgjedhurit e saj. Kësaj proteste pritet t’i bashkohen dhe qytetarë të Tiranës, të cilët nuk kanë munguar në protestat e mëparshme të PS-së. Javën e kaluar socialistët zhvilluan një tur mitingjesh proteste në qytetet kryesore të vendit, në qendër qarku, ku protestuan për hapjen e kutive. Por në qendër të fjalimeve të kryetarit Rama dhe të përfaqësuesve të tjerë socialistë në këto tubime, përveç transparencës së zgjedhjeve, kanë qenë dhe kriza ekonomike dhe përkeqësimi i pritshëm i kësaj situate pas 1 janarit 2010, për shkak të rritjes së çmimit të energjisë elektrike dhe rëndimit me taksa të biznesit të vogël. Socialistët kanë paralajmëruar protesta të mëdha që në muajin janar të vitit të ri, ku priten t’i bashkohen dhe kategori të ndryshme qytetarësh, por dhe biznesi. Kreu socialist i është përgjigjur negativisht ftesave për negociim dhe dialog që vijnë nga maxhoranca, duke vendosur si kushtin kryesor për t’u plotësuar hapjen e kutive, por dhe tërheqjen mbrapsht të akuzave nga ana e maxhorancës.