E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anulohet ndeshja, gjyqtari shpërfill rregulloren

 Asnjëherë nuk kishte ndodhur në kampionatin shqiptar që pavarësisht se ndeshja anulohet, gjyqtarët dhe ekipi udhëtues të largohen një orë para orës zyrtare të fillimit të ndeshjes. Ka bërë vaki në Korçë, dje kur ekipi i Besës së Kavajës është larguar nga qyteti para se të shkonte orari zyrtar i ndeshjes Skënderbeu-Besa. Gjyqtarët e takimit Lorenc Jemini, vëzhguesi, Fatmir Tare dhe i dërguari i FSHF-së, Millan Baçi, kanë mbërritur dy orë para startit të ndeshjes dhe i janë drejtuar menjëherë fushës së stadiumit “Skënderbeu”, e mbuluar nga dëbora. Më pas gjyqtari Jemini i veshur civil ka dalë në fushë me një top në dorë, ndërkohë që shkallët e stadiumit kanë qenë totalisht të boshatisura. Jemini ka provuar topin në disa pjesë të fushës dhe më pas është kthyer në dhomën e tij. Atje është zhvilluar një takim, ku kanë qenë të pranishëm të dy përfaqësuesit e dy skuadrave dhe bashkë me ta edhe vëzhguesi Tare dhe vëzhguesi Baci. Përveç korçarëve, të gjithë të tjerët kanë pasur mendimin që ndeshja duhej shtyrë për shkak të dëborës. Kaq ka mjaftuar që të gjithë më pas të bëheshin gati për tu larguar nga stadiumi. Fakt është se në bazë të rregullores arbitrat dhe skuadrat nëse merret një vendim i tillë për anulimin e ndeshjes, rreshtohen në fushë sipas rregullores dhe më pas largohen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›