Vangjeli: Jemi kërcënuar me jetë pas “Gjuetisë së fundit”
Alma MileNë oborrin e vogël, ku tashmë stolat janë vendosur përmbys, ka mbjellë zambakë të bardhë. Do çelin dikur, kur të çeli moti... është ftohtë dhe njerëzve u pëlqen të rrinë brenda. Megjithatë atij i pëlqen të ulet jashtë. Ka më pak zhurmë dhe ai do të mund t’u vidhet kërkesave të miqve, për t’u treguar diçka për të qeshur, apo për t’i rënë fizarmonikës. “A e mbaruat punën o gra?”, u thërret me zërin e plotë punonjëseve të bashkisë që rrinë në një stol përballë, ndërsa të shërben një çaj të ngrohtë. Ndonëse vendi i tij është në skenë, aktori i humorit, Vasillaq Vangjeli e kalon pjesën më të madhe të ditës në lokalin e tij, pranë Medresesë. Kur ia mbërriti demokracia e shumëpritur, aktori i njohur, shpresoi se më në fund do luante rolet që nuk mundi në diktaturë. Fillimi qe i mbarë, por më tej ia behu zhgënjimi. Projektet u ndërprenë. “Nuk u pëlqyen komunistëve”, thotë ai, teksa tregon për presionet dhe kërcënimet, që ai dhe kolegët e tij patën pasi realizuan filmin “Gjuetia e fundit”. Sot emri i tij nuk figuron pranë asnjë institucioni kulturor. Estrada ku ai punonte u shkri disa vite më parë dhe sot për të siguruar jetesën punon në biznesin e tij familjar, një restorant modest. “Nuk është puna ime kjo. E bëj me qejf sepse mbaj fëmijët, por nuk është punë kjo”, thotë ai, teksa tregon me dorë drejt lokalit. I angazhuar me disa projekte me rastin e fundvitit, ai shpreson që të mund të punësohet në një institucion kulturor. Në një intervistë ai tregon si nisi rrugën e artit, si përfundoi në Estradë me urdhër të partisë dhe cilat janë pengjet e tij. Z. Vangjeli, po të kthehemi pas në kohë, si nisi jeta juaj artistike?Jetën artistike e kam filluar si amator, kur kam qenë shumë i vogël. Kam qenë fëmijë pak më i shkathët se të tjerët. Në kampet e pionierëve që shkonim asokohe bënim nga ato karagjozllëqet e moshës, pa e ditur se do të hynim në fushën e artit më vonë. Duke qenë fëmijë i tillë, im atë që ishte oficer, mendoi të më “mblidhte” e të më fuste në shkollën ushtarake “Skënderbej”, që të më “disiplinonte”. Ishte viti 1963 kur u futa në këtë shkollë. Duke qenë e profilizuar, unë u futa në degën mjekësore, të cilën e kisha afër edhe me shtëpinë. Nga viti i tretë për sjellje “liberale” më përjashtojnë nga shkolla bashkë me disa shokë të mitë. Duket se nuk ishim të “prerë” për të qenë ushtarakë. Më tej vazhdova shkollën mjekësore civile. Pasi mbarova Teknikumin më caktuan në Spitalin Ushtarak, në urgjencë. Pasi kreva ushtrinë, në vitin 1971 kthehem në Spitalin Ushtarak. Një profesion shumë larg aktrimit, apo jo?Jo, edhe atje zhvillonim Estradën e Spitalit Ushtarak. Vinin gjithë kuadrot e shtroheshin për të bërë një shfaqje. Regjisori i madh Kujtim Spahivogli shtrohej në spital një muaj që të bëhej teatri i ushtrisë. Këndonim, bënim parodi dhe zinim vendin e parë. Drejtuesit e Spitalit ishin shumë artdashës. Në vitin 1973, një mjek radiolog më thotë: O Vaso përse rri këtu në spital, në këtë ambient të zymtë, ku dëgjon vetëm rënkime... Përse nuk ikën?!” Ma mbushi mendjen dhe ika. Konkurrova në Institutin e Arteve. Kemi dhënë tre provime, që ishin vërtetë të forta. Nga 200 vetëm 16 vetë mbetëm në fund. Kështu filluam e mbaruam shkollën me ëndrra të mëdha, se do të mund të luanim Hamletin, Makbethin, Mbretin Lir. Diplomën e mbrojta me “Familjen e peshkatarit” me notën 10.Si përfunduat në Estradë?Më ka pëlqyer gjithnjë shumë komedia e mirëfilltë dhe drama dhe u çudita shumë kur më caktuan në estradë. Më thanë se Partia kishte menduar që të kaloja atje. Këtu unë i hoqa vizën e nuk shkova. Kaloja kohë në Kinostudio, aty takova Gëzim Erebarën, që më dha një rol të vogël në filmin “Pylli i lirisë” që zhvillohej në Divjakë. Kisha rolin e një partizani të plagosur...T’i ktheje fjalën Partisë, ndëshkohej asokohe, pati pasoja për ju?U bë zhurmë e madhe. Si kishte mundësi që të mos zbatoja urdhrin e Partisë që më kishte dhënë shkollën?! Më thërret Xhelil Gjoni e më thotë: Do të shkosh në Estradë, apo të shijosh 7 Liqenet e Lurës?! Im atë më këshilloi të bëja si thoshte partia. Më mirë në Tiranë se në Peshkopi. Kështu që ula kokën dhe shkova në estradë. Kur shkova atje aktorët e teatrit bënë një mbledhje, që nuk do ta harroj kurrë. Ata donin që unë të qëndroja në teatër. Në atë kohë kisha bërë disa role. Kisha luajtur tek “Lezja”, një shfaqje shumë e mirë për kohën, vënë nga Pirro Mani, ku luanin Luan Qerimi e Behije çela. Ishte një shfaqje 1 orë e gjysmë, që fillonte e mbaronte me një frymë. Pastaj Agim Qirjaqi vuri “Zonjën nga qyteti”, ku kisha rolin e Koçit, ku luante Roland Trebicka, Violeta Manushi e Roza Anagnosti në rolin e Melit. Dhamë rreth 70 shfaqje në teatër, përpara se të bëhej film nga Milkani. Ishte një vepër që pati të njëjtin popullaritet e jehonë si “Pallati 176”.Në një farë mënyre jeni identifikuar me rolin e Koçit, ju vjen keq për këtë?Koçi është një rol simpatik, të cilin e kam punuar me shumë qef. Pas shfaqjes në teatër, u bë film, për të cilin kemi punuar tre muaj me një staf të mrekullueshëm, si Stavri Shkurti, Violeta Manushi, Pandi Raidhi… Të gjithë nuk janë më.. Kanë ikur shumë, aq sa tani më duket vetja si 100 vjeç.Sa i censuruar ishte një aktor humori e aq më tepër një regjisor?Në Estradë më besuan regjinë, por edhe luaja, bëja 4-5 role, sepse vinin të deleguarit e partisë e kërkonin detyrimisht të dilja në skenë. Tani nuk e kuptoj se si kemi punuar aq shumë. Na dilte shpirti nga e marta deri në të diel. Censura ishte aq e madhe, saqë çdo batutë, jo vetëm në skenë, por edhe pas kuintave ishte e rrezikshme, sepse shkoje në malin me gropa e në burg. Më kujtohen raste pa fund, kur aktorët vendoseshin në situata qesharake për shkak të autocensurës. Të gjithëve u kishte hyrë lepuri në bark. Ne i tregojmë sot e qeshim, por shumë artistë tanë janë futur në burg për një fjalë goje, si Dhimitër Furxhiu, Agim Brari, Ver Likmeta në Durrës, etj. Dhe kur dilnin nga burgu nuk mund të futeshin më në profesionin e tyre. Atëherë, si ia arrinit t’i bënit njerëzit të qeshnin në këto kushte?Humori është dhuntia e njerëzve të zgjuar. Nuk mund të bëjë humor budallai. Shkrimtarët atë kohë e dinin deri ku duhet ta shtynin humorin e tyre. E hidhnin fjalën deri tek brigadieri, tek përgjegjësi i repartit. Nuk lejohej më tutje. Nuk duhej në asnjë mënyrë të bëje humor me drejtorin e ndërmarrjes, apo ministrat. është një këngë që partia e kuptoi vonë. Ishte koha e tufëzimit kur u bë kënga “Qingji vogël ri mendueshëm”, që aludonte për tufëzimin, për atë qingjin që nuk e linin të kulloste i lirë. Po kush e kuptonte... Mjerë ne nga cilët drejtoheshim... Material ne kishim plot për humor, por e kishim të pamundur ta shfrytëzonim. Ata ta kishin bërë të qartë “O me ne, o nën dhe”. Atëherë nuk kishte “o me ne, o kundra nesh”. Ishin 6 komisione nëpër të cilat do kalonte materiali. Ishin 5 premiera në vit dhe 280 shfaqje. Pas 6 komisionesh mbeteshin vetëm 2 materiale. Edhe dy të tjera i sillte Komiteti Qendror me porosi. Dhe katandisej shfaqja… ç’e pyet...Thatë që shkuat me detyrim në Estradë, u ambientuat më pas?Gjithë jetën kam luajtur pa qejf dhe erdhi një moment që lexoja vetëm tekstin dhe ikja. Të nesërmen më thërriste drejtori e më thoshte se publiku nuk kuptoi asgjë. E i përgjigjesha se nëse nuk e kuptoja unë, ç’mund të kuptonin ata? Sepse nuk doja të rrija më, nuk doja!! Po çmendesha. Kishte ndonjë pikë drite, si kur këndonim ndonjë këngë për qef, ndonjë variete, ndonjë regjistrim me televizionin, apo ndonjë premierë me teatrin, si “Nata e 12-të”, apo “Tri ditët e qametit”, etj. Por në përgjithësi kam luajtur pa qef.Më në fund erdhi demokracia e shumëpritur, si e pritët sistemin e ri?Më në fund menduam se dolëm në jetë dhe do luanim çka kishim dashur. Dhe filluam. E kthyem sallën e Estradës me tavolina, bënim “Të shtunat gazmore të një qyteti”, filluam të xhironim jashtë. Filluam të bënim gjëra të bukura bashkë me Koço Devolen e Sheri Mitën. Por na i prenë edhe ato. Nuk i pëlqyen komunistëve këto gjëra e nuk na lanë më tej. Shumë nga bashkëpunëtorët i persekutuan. Koçon e futën nja 7 muaj në burg, të tjerët ikën jashtë dhe gjithçka u shkri. Kishim shumë plane, shumë ëndërra, që na mbetën vetëm në letra. Koço Devole, Filip çakuli e Pëllumb Kulla kishin projekte shumë të bukura. Por nuk arritëm t’i realizojmë. Na morën sallën, shitën gjithçka e Estrada u shkri. Mariana është në Teatër, Rita me Beharin luajnë jashtë… Tani ka mbetur vetë Cirku dhe Teatri i Metropolit, i cili është një teatër pa trupë. Mirë do qe që të kishte një bërthamë aktorësh dhe le të merren të tjerë me kontrata. Arti vjen pikë-pikë. Nuk ka art me lopata. Një nga telefilmat shumë të suksesshëm që realizuat atëherë ishte “Gjuetia e fundit”, ku ju interpretonit rolin e diktatorit, patët “pasoja” prej këtij roli?Sigurisht. Kisha një biçikletë me të cilën nuk ecja më në bulevard. Kanë hipur edhe në trotuar me makinë për të më shtypur. Ishte një reaksion shumë i madh. Kishte shumë presion. Na kanë kërcënuar. Por në shumicën e kohës rrinim me miq e me shokë, njihnim edhe shumë policë, të cilët na mbronim, sepse do të na kishin rrahur. Po të kishte qenë ’97-a që armët ishin sheshit do na kishin hequr qafe. Vinin me makina luksoze, ca fytyra të egra.. Si sot më kujtohet ajo kohë.Cili është statusi juaj tashmë?Prej 1 maj 2005 na treguan rrugën. Tani jam pa rrogë, pa pension, pa asistencë, pa asnjë mbështetje. Dhe ja, u detyrova që shtëpinë ta kthej në lokal, që të mbaj fëmijët. Vajza është në vitin e tretë në Universitet, ndërsa djali në vitin e katërt në Liceun Artistik. Tani jemi me shpresë se mos na japin ndonjë dritë jeshile, të jemi të atashuar diku, sepse na hanë duart për punë. Sepse jemi në pikun e pjekurisë artistike. është një pozicion shumë i keq. Atëherë nuk mundnim sepse ishte koha, kurse sot qajmë sepse nuk kemi punë.çfarë pengjesh keni?Dëshirën që kisha sa dola nga shkolla për të punuar në Teatrin Popullor do të doja ta realizoja tani. Vitet e fundit, t’i kaloja atje. Do të doja të realizoja disa figura, që nuk munda dot dhe të dal i qetë në pension. Nuk ka rëndësi se çfarë. Por i dua 3 komedi të mirëfillta. Por të kemi jetë e shëndet. Nuk kam ngopur veten time akoma me art. Kam role pa realizuar.